Kryetari i Komisionit për çështje evropiane të Bundestagut, Gunther Krichbaum (CDU) që njihet si një nga zërat kundër për çeljen e negociatave në qershor për Shqipërinë është prononcuar edhe njëherë për këtë çështje.

Në “Facebook” teksa ka shpërndarë një intervistë të tijën, Krichbaum thotë se fillimi i negociatave për Shqipërinë para verës është shumë herët.

“Ne na duhet të vendosim për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë para verës. Mendoj se është shumë herët”, shkruan Krichbaum.

Gunther

“Në këtë moment, unë jam qartësisht kundër fillimit të negociatave të pranimit me Shqipërinë”, tha Krichbaum për “Welt”.

“Shqipëria na ka prezantuar reforma të shumta, por këto duhet të zbatohen plotësisht. Kjo vlen në veçanti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili shpesh arrin në qarqet më të larta të qeverisë. Komisioni Europian, i cili pretendon për fillimin e negociatave për anëtarësim, është “nganjëherë shumë i besueshëm”, u shpreh politikani i CDU, shkruan “Welt”.

Deputeti i Merkel është edhe një nga zyrtarët e huaj pak i pëlqyer nga kryeministri Rama. Pas opinionit të tij në prill për çeljen e negociatave Rama shprehej se nuk është miku i tij dhe se nuk është dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë.

“Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë! Unë dhe Partia Socialiste, jo vetëm s’jemi marrë me asnjë lloj shkrimi për mikun tënd gjerman, po s’jemi marrë asnjëherë as me vetë jetën tënde personale a me familjarët e tu”, ishte përgjigjja e Ramës pas akuzave të kreut të PD Lulzim Basha se po sulmonte deputetin gjerman.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb