NGA FATMIRA NIKOLLI*

Motive isopolifonie do të prezantojnë Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Dy kuratorët e pavijonit shqiptar, Simon Battisti & Leah Whitman-Salkin, sqarojnë në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” konceptin e tyre kuratorial dhe projektin me të cilin marrin pjesë në edicionin e 15-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2016. Përmes këngëve që kanë të bëjnë me emigrimin, do të eksplorohet ideja e urbanizimit në vendin tonë, një urbanizim i ndikuar herë nga migrimi e herë nga emigrimi. Kuratorët, thonë se pas 1991-shit, shqiptarët lëvizën nga qytetet e tyre dhe erdhën në Tiranë.

“Kjo është arkitektura e emigrimit – arsyeja pse Tirana u bë siç është, sepse u ndërtua shumë shpejt, qeveria nuk u mor me rregullimin e tyre, Tirana u bë siç është, pastaj fshatrat nga ku erdhën njerëzit janë bosh. Kini parasysh se është emigrimi ‘përgjegjës’ për këtë. Për ne është interesante të flasim për shkakun e kësaj që ka ndodhur, pa treguar foto të saj – fotot janë klishe, i kemi parë disa herë. Duam të dalim prej saj e të flasim për shkakun nga perspektiva sociale”, – thonë kuratorët. Projekti sjell temën e migrimit, duke përfshirë kujtime individuale e kolektive të pathëna dhe shpesh të mbetura në heshtje, përmes një instalimi minimalist dhe të arkitekturës së muzikës polifonike. “Programi i këtij ‘laboratori’ të historisë së migrimit dhe zhvendosjes, do të shoqërohet me performanca, debate e workshop-e të hapura, si dhe me incizime të reja.

Dëgjimi kolektiv, respekti për individualitetin dhe aktivitetet e përbashkëta, përcaktojnë një pozicion arkitekturor të fortë në lidhje me temën e përgjithshme të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2016”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, kur Battisti e Whitman u shpallën fitues nga një juri e përbërë nga Elisabetta Terragni, Gëzim Qendro, Anri Sala, Adelina Greca dhe Arta Dollani. Dy kuratorët vijnë më poshtë në intervistën e tyre informuese.

– Ju do të përfaqësoni Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Si është projekti juaj?
Titullohet “Të kam lënë malin” dhe do të bëhen këngë të reja mbi emigrimin, duke përdorur një formë të isopolifonisë. Ne i përdorim ato këngë për të eksploruar idenë e urbanizimit në Shqipëri dhe se si urbanizimi në Shqipëri është ndikuar nga emigrimi. Ne shohim një histori të emigrimit në këtë territor. Duke u kthyer për të parë që nga koha e Perandorisë Osmane dhe si kanë ndryshuar vendbanimet urbane për shkak të situatave politike etj. Në Bienalen e Venecias ne duam të eksplorojmë këtë urbanizim.

– Si? Me fotografi, me video?
Jo. Ne kemi filluar të shohim historinë e arkitekturës në komunizëm në Tiranë dhe po ashtu në gjithë territorin. Kemi parë përmes arkitekturës historinë e emigrimit, ikjet dhe ardhjet nga fshatra e qytete të ndryshme. Emigrimet që nga epoka otomane, migrimet e brendshme në komunizëm, ose pas tij, emigrimet e pas ’90-ës, dhe kthimet e tyre tani. Është një histori emigrimi, dhe për ne ishte e rëndësishme të përdorej edhe isopolifonia – një formë e lidhur me emigrimin, që këndon për të, e që transmeton ndjesitë për të.

– Ndërtimet nga koha e Perandorisë Osmane, nuk ishin mbi emigrimin, ishin prej pushtimit. Si lidhen me emigrimin?
Nuk flasim për ndërtime të veçanta, flasim për qytetet në vetvete, si ndryshuan ato, u rritën apo u zvogëluan, dhe kjo sepse njerëzit ikën ose erdhën. Nuk flasim për stilin e arkitekturës, që është shumë i ndryshëm, flasim për popullimet.

– Thatë që do ketë këngë të reja isopolifonike, me tekste të reja. Kush do t’i krijojë?
Ne jemi vënë në dijeni të muzikës që u krijua pas tragjedisë së Otrantos. Dhe, na duket interesante që kjo formë tradicionale e muzikës ia del të absorbojë histori të përkohshme – një formë arti që jeton në këtë mënyrë.
Ne nuk jemi të interesuar të tregojmë isopolifoninë shqiptare, si një formë tradicionale, as të tregojmë veshjet popullore. Kjo është bërë më herët. Isopolofonia njihet; na intereson ideja që ajo mund të përshtatet me disa histori. Kur ndodhi Otranto, u shkruan tekste të reja dhe kënduan këngë të reja, një formë improvizuese e të kënduarit. Mund të këndosh me të edhe për gjëra të reja, jo vetëm të përsërisësh këngë 200-vjeçare. Po komisionojmë poetë, artistë që shkruajnë tekste të shkurtra, që do të interpretohen nga këngëtarë isopolifonikë.

Pjesë e grupit është edhe etnomuzikologu që jeton në Vjenë, Ardian Ahmedaja. Ai shkruan për këtë muzikë. Këngëtarët do t’i zgjedhim. Janë nga jugu, do të shkojmë, të punojmë me ta, për të marrë poezitë dhe për t’i përshtatur në këngë. Me ato tekste do të këndohen këngë të reja(në formën isopolifonike), që janë të gjitha mbi emigrimin, hapësirat e emigrimit.

– A e keni tashmë në kokën tuaj, në mendjen tuaj, një imazh se si do të jetë pavijoni i Shqipërisë në këtë bienale? Me foto, video, këngë, si?
Po ju jap një përshkrim: është hapësirë ku dëgjohet, jo ku shihen foto e video. Nuk do të ketë imazhe, por folës, që do të luajnë këtë muzikë, por do të ketë edhe regjistrim të kësaj muzike. Por jo imazhe në mure. Kjo është eksperiencë universale – emigrimi ndodh kudo. Shqiptarët kanë një marrëdhënie të veçantë me të. Por, do të ketë autorë shqiptarë, francezë, e të tjerë – nga e gjithë bota, pra njerëz që tregojnë eksperiencën e tyre të emigrimit.

– Në pavijonin shqiptar do jenë këta vetë?
Incizimet e rrëfimeve. Kur të shkoni në pavijon, do të hyni dhe do të dëgjoni këto këngë. Do të ketë stola ku mund të uleni dhe të lexoni tekstet e këngëve në një botim, ose do të uleni dhe t’i dëgjoni me sy mbyllur e të imagjinoni hapësirën, duke i lexuar ose jo këto tekste. Gjatë gjashtë muajve do të ketë leksione, ku ekspertë urbanizmi e arkitekture do të flasin, e vetëm në këto leksione do të ketë imazhe që projektohen. Nëse mendoni Tiranën, deri më 1991-shin ishte e vogël e me 200 mijë banorë, e pas 1991-shit, shqiptarët lëvizën nga qytetet e tyre dhe erdhën në Tiranë. Kjo është arkitektura e emigrimit – arsyeja pse Tirana u bë siç është, sepse u ndërtua shumë shpejt, qeveria nuk u mor me rregullimin e tyre, Tirana u bë siç është, pastaj fshatrat nga ku erdhën njerëzit janë bosh, këto ndërtime quhen informalitet, të paligjshme, çfarë të doni, por kini parasysh se është emigrimi ‘përgjegjës’ për këtë. Për ne është interesante të flasim për shkakun e kësaj që ka ndodhur, pa treguar foto të saj – fotot janë klishe, i kemi parë disa herë. Duam të dalim prej saj e të flasim për shkakun nga perspektiva sociale.

– Çfarë do të thotë “Të kam lënë malin”?
Është marrë nga një këngë e vjetër isopolifonike mbi emigrimin, dhe janë fjalët e një djali emigrant jashtë vendit për të ëmën që jeton ende në Shqipëri.

– Ministria e Kulturës bëri thirrje të hapur për temën “Raportim nga fronti”. Si lidhet projekti juaj “Të kam lënë malin” me tematikën e sipërpërmendur? Kur lexon fjalinë “Raportim nga fronti”, mendon luftën në fakt, jo emigrimin. Ju, si i bashkoni temat?
Po, tingëllon si luftë, por në fakt, kuratori i bienales e përdor ‘gjuhën e luftës’ në këtë thirrje. Por, ajo që ai kërkon është: “Cilat janë sfidat më urgjente me të cilat përballet çdo vend?” Kjo është ajo që ne lexuam në atë thirrje. Për atë, është koha të fokusohemi te nevojat sociale dhe ajo çfarë arkitektët mund të bëjnë që të përmirësojnë jetët e njerëzve. Ka varfëri, ndryshime klimaterike që janë probleme me të cilat merren arkitektët, si të ndihmojnë njerëzit.

– Pra, çdo vend pjesëmarrës në bienale, po raporton nga “fronti i tij”, nga problemet e tij?
Po. Shumë njerëz thonë: jam në Gjermani dhe për mua problemi është ky, pavijoni anglez po merret me të ardhmen e strehimit, dhe, ç’do të thotë kjo në atë shtet? Kjo është një bienale që fokusohet te njerëzit.

– Cila është lidhja juaj me Shqipërinë? Pse vendosët të merrnit pjesë në këtë projekt? Pse jo një shtet tjetër po Shqipërinë?
Kemi pak kohë që jemi këtu dhe kemi bërë kërkime këtu. Kërkime për Tiranën dhe zonën pranë bregdetit jugor, jo bregdetin, por fshatrat përreth. Ne nuk ndihemi si amerikanë që po prezantojmë Shqipërinë. Shumë prej pavijoneve në Venecia janë realizuar nga artistë ndërkombëtarë, jo nga shteti që përfaqësojnë. Shqipëria është një nga vendet interesante për t’u studiuar në planifikimin urban, – arsyeja është e dukshme. Ka sfida të mëdha. Ka elementë specifikë në këtë vend, dhe ka përpjekje për t’u ngjarë qyteteve të mëdha europiane.

– Keni një aktivitet sot në GKA, “Fermerë me pamje nga deti”. Cila është lidhja juaj me “Atelier Albania”?
Kam bërë një lloj shkolle verore këtë vit, në verë, për të cilat del botimi “Fermerë me pamje nga deti”. Ka shumë turistë në jug, në bregdet, ndërsa në malet e fshatrave, është shumë më e bukur, si në Greqi apo vendet e tjera përreth, por turistët nuk shkojnë në Qeparo fshat, Pilur, Himara fshat apo Kudhës. Shkolla verore pati 6 studentë arkitekture që në 6 javë jetuan në ato fshatra e në Tiranë për të gjetur mënyra se si të dërgohen turistë në fshatrat lart, përmes aktiviteteve ose produkteve turistike. Kemi bërë një libër me hulumtimet e kësaj shkolle verore, që është një bashkëpunim mes GIZE, – Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Jam kontraktuar përmes AKPT-së për të qenë pjesë e shkollës verore, e cila u organizua nga “Atelier Albania”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: