TIRANE- Pas akuzave që lëshoi sot Partia Demokratike lidhur me faktin se Policia e Shtetit nuk po i nënshtrohet vettingut she se punonjës të caktuar janë pjesë e krimit të organizuar, vjen reagimi nga Ministria e Brendshme.

Në një njoftim të saj, MB hedh poshtë akuzat për rastin e oficerit të policisë që u denoncua dje në emisionin fiks-fare ku bënte pazar me kokainë. Ministria theksoi se punonjësi i policisë Julian Balliu është pezulluar dhe shpallur në kërkim. “Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

REAGIMI I MINISTRISË
Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit reaguan menjëherë mbrëmë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë.
Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.
Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë.
Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: