TIRANE– Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Mësohet se nga të shtënat ka mbetur i plagosur shtetasi Elton Çiça, por ka humbur jetën rrugës për në spital. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Tiranë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, rreth orës 22:15.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes. Por sipas dëshmitarëve, viktima ka qenë ulur tek një lokal në zonën pranë stadiumit, dhe aty e kanë qëlluar persona ende të paidentifikuar.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur policia, ndërsa janë shoqëruar disa persona që kanë dijeni. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se vrasësi ka qënë me një kapele sportive, dhe pasi ka qëlluar është larguar nga vendngjarja.

Viktima, Elton Çiça ndodhej në tavolinë së bashku me 3 persona të tjerë, ku njëri është efektiv i komisariatit numër 5, por nuk ka ndërhyrë pasi s’ka pasur armë me vete. Personi tjetër ishte dentist, ndërsa i treti gazetar i kronikës në një televizion kombëtar. Të tre janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje.

Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit.

Dyshohet se viktima është djali i çiftit të pleqve që u grabitën më 31 mars 2015, në Tepelenë nga 3 persona me maska. Pak muaj më vonë në Durrës u vra Robert Rama, i cili dyshohej si një nga grabitësit, më vonë në makinën e Ervis Imerit u vendos lëndë eksplozive e llojit tritol. Ky i fundit dyshohet se ka bërë transportin e grabitësve. Dyshohet se viktima Elton Çici ka lidhje me trafikun e drogës në Itali. Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur për motive hakmarrje.

Grabitja e çiftit në Tepelenë në 31 mars 2015

Ngjarja u shënua rreth orës 00:45 në lagjen ‘Demokracia’. Sipas policisë, kanë qenë 3 persona të armatosur me armë gjahu çifte dhe maskuar që kanë hyrë me dhunë në banesën e 61-vjeçarit Naim Çiça. Blutë e Tepelenës bëjnë me dije se kanë lidhur dhe ushtruar dhunë fizike, duke përdorur edhe mjete të forta ndaj çiftit të bashkëshortëve. Pasi kanë grabitur sende personale të familjes, autorët janë larguar nga vendngjarja dhe policia vijon hetimet për identifikimin dhe vënien e tyre të pranga. Ndërkohë që çifti u dërgua në spital. Policia e Shtetit ka zbuluar dhe ka shpallur në kërkim, tre “maskat” e armatosura që kanë dhunuar dhe grabitur në mesnatë në Tepelenë, brenda në shtëpi, familjen Çiça. Ata janë: S.J, 30 vjeç dhe A.J, 37 vjeç me banim në Durrës dhe R.R, 31 vjeç, me banim në Tiranë.

Vrasja e Elton Çiças ka lidhje edhe me një ngjarje të ndodhur pak kohë më parë në Kombinat, ku ushtarakut Elton Imeri i vunë bombë në makinë.

Edhe atëherë, hetimet për shpërthimin në makinën e oficerit të policisë ushtarake Elton Imeri në Kombinat u përqendruan në pistën e hakmarrjes.

Kjo pasi nga verifikimet e Prokurorisë e Policisë, ka rezultuar se në muajin Korrik të vitit të kaluar, vëllait të oficerit, shtetasit Ervis Imeri, i kanë vendosur tritol poshtë makinës ‘Fiat’ në të njëjtën mënyrë në Tiranë.

Dyshohet se pasi kanë dështuar me atentatin ndaj Ervis Imerit, i cili e zbuloi bombën nën makinën e tij, autorët e ngjarjeve kanë dashur të hakmerren ndaj ushtarakut Elton Imeri, duke u vendosur bombën nën makinën ‘Golf 4’.

Vëllai ushtarakut shtetasi Ervis Imeri, është i dyshuar se në 31 Mars, natën, në lagjen “Demokracia” në Tepelenë, bashkë me tre persona të maskuar e të armatosur, me armë dhe me dhunë grabitën shtëpinë e të moshuarit Naim Çiça.

Ervis Imeri është njëri nga grabitësit e prindërve të personit që u vra mbrëmë, Elton Çica.

(d.d/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: