Nga: AHMET SHQARRI*
Zakoni e do që festat të shoqërohen nga një mjedis i këndshëm e paqësor që të mund t’u gëzohemi sa më mirë atyre. Por ja që për ne shqiptarët nuk qenka e thënë që të ndodhë kështu, si në rastin e këtyre ditëve, kur përsëri vijmë me sherre e grindje, duke hedhur baltë ndaj njeri-tjetrit, për atë se ende nuk po dimë se kur iku gjermani i fundit prej këtej, që të mund të caktojmë ditën e saktë të çlirimit të Shqipërisë! Dhe sa herë ndërrohen qeveritë, dikush e “feston” këtë ditë më 29 nëntor, siç është bërë në fakt pothuajse gjatë këtyre 70 viteve, që nga ajo kohë e çlirimit të vërtetë, e ca të tjerë duan ta injorojnë atë, duke “festuar” më 28 nëntor, që në fakt njihet botërisht si Dita e Pavarësisë, së cilës tashmë i përkujtojmë 102-vjetorin e saj. Një histori e pakëndshme që po zgjat ca si shumë, ndërkohë që bota vazhdon të na çojë telegrame urime për festat përkatëse, pa u merakosur fort për datat e tyre, për të cilat ne primitivisht vazhdojmë luftën tonë absurde. Nuk po zgjatem me grindje të tjera të këtij lloji, që në përgjithësi i prishin festat tona, që janë të shumta dhe shpesh duken artificiale, sidomos për kushtet e vështira në të cilat ne shpesh kërkojmë që t’i organizojmë, megjithatë, për atë që ndodhi javën e kaluar në stadiumin e Elbasanit, ku 6 milionë eurove të harxhuara për rikonstruksionin e tij, iu hodh përsipër, si pa ndonjë gjë të keqe, një dhunë e egër shkatërruese, mund të thuhet me plot gojën se te ne, edhe sporti si mjet kënaqësie, nuk është i mjaftueshëm për t’na mbledhur si në një festë.
  Mjediset tona sportive e kishin provuar me kohë gjatë këtyre viteve demokraci dhunën e shfaqur nëpër tribunat e tyre, ku shpesh përleshjet e vandalizmat kanë përfshirë edhe fushën e lojës të mbushur me tifozë të çardallosur që vihen në ndjekje të “gjahut të radhës”, duke i shndërruar stadiumet ndër skenat më tipike të shëmtimit e mizorisë, si ajo që u pa disa javë më parë në qytetin e Shkodrës. Por, ajo që ndodhi këto ditë në Elbasan ishte pamja më e shëmtuar që mund të shihej, aq më tepër kur mendon se kjo dhunë ushtrohet në një ambient komod, ku gjithçka që të rrethon të imponon respekt dhe një farë mirënjohje për kushtet që të krijon në ndjekjen e një ndeshjeje futbolli. Dhe, reagimi i parë që të vjen ndërmend kur ndesh me dukuri të këtij lloji, ka të bëjë me faktin e parashtuar në krye të këtij komenti, se ne shqiptarët, me sa duket, nuk dimë të festojmë! Ndërkohë, një mendim tjetër të çon te mëdyshja se kjo që po bëjmë, a është një veti e jona prej frikacaku apo një lloj dyzimi personaliteti, që ndryshe shfaqet jashtë kufijve tanë dhe tjetërsojë paraqitet brenda vendit?! Tema në këtë rast mund të jetë e tillë për t’u trajtuar nga njerëz profesionistë të fushave të ndryshme shkencore, megjithatë, edhe një vrojtues i kujdesshëm mund të vërë re se si sillen shumë prej nesh kur ndodhemi jashtë shtetit, duke u shndërruar çuditërisht krejt ndryshe brenda vendit tonë. Të marrim vetëm ngjarjet e fundit në Francë dhe në Itali, ku gjatë ndeshjeve miqësore të Kombëtares sonë atje, edhe pse ishin të pranishëm mijëra tifozë tanët, nuk ndodhi asgjë që të mund t’i ngarkonte me faj, ndërsa këtu plas sherri, grushti e shqelmat, duke u shkatërruar gjithçka ke përqark, edhe pse nëpër tribuna vegjetojnë vetëm ca tifozë të papërgjegjshëm! Është ky fakt që të çon tek ai përfundimi aspak i këndshëm që mund të përcaktojë karakterin tonë prej frikacaku jashtë vendit, nga që atje të mbërthen policia dhe ligjet e rrepta kundër dhunës dhe ne i ndruhemi deri në makth përballjes me to, ndërsa këtu përcillet sheshit anarkia, vrasjet dhe shkatërrimi, sepse ligjet, rregullat dhe normat e një qytetarie të civilizuar thuajse nuk ekzistojnë, ose nuk të detyron kush që t’i zbatosh! Edhe n’ato raste kur bëhet ndonjë përpjekje për të ecur me hapin e kohës dhe të vendeve të përparuara, e kemi të vështirë, sepse ende jemi të pushtuar nga ai primitivizmi ynë i hershëm, që s’na lë të luajmë nga vendi. Ndeshjet e Kombëtares sonë jashtë, ku tribunat me mijërat e tifozëve tanë skuqen me flamujt, bluzat, shallet e kapelet emblematike, duke mos bërë dallim me tifozët e atjeshëm që i shohim aq korrektë për çdo ndeshje futbolli, sikur të ishte një festë e vërtetë, përforcojnë këtë ide, ndërkohë që pamjet e stadiumeve tona të ngjallin një ndjenjë neverie për gjithçka që ofrojnë. Ngjarjet e dhunshme të kohëve të fundit, si ajo e para ca javëve në Shkodër dhe kjo e këtyre ditëve në Elbasan, janë treguesit më të qartë të asaj që në fakt ne shqiptarët jemi, se edhe sporti ndryshe nga bota, këtu nuk shihet si një festë gazmore, por si diçka që të ngjallë veçse neveri e trishtim…!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: