Spikerja dhe gazetarja veterane Tefta Radi ka një peng: Një intervistë me Nënë Terezën tashmë e shenjtëruar që nuk u transmetua kurrë. Radi e kujton me detaje intervistën me Nënë Terezën që e përshkruan vazhdimisht me fjalët “e qetë” dhe “me një buzëqeshje që thoshte gjithçka”. Gazetarja model thotë se e priti me shumë emocione intervistën që u bë tek vila 31.

“Përballë thjeshtësisë së saj, u ndjeva e penduar për veshjen e asaj dite. Një fustan krem, me ngjyrë rozë në lejla të lehtë, një fustan luks për kohën e që e jepja borxh për këdo nga shoqet e mia që mund të kishin ndonjë eveniment. Ndoshta edhe me grimin e kisha tepruar pak. Diçka kjo jashtë natyrës sime si gazetare terreni”, thotë Radi.

Zonja Radi, këto ditë Nënë Tereza është shpallur e shenjtë, dhe ky lajm ka pushtuar botën, por dua të kthehem 27 vite pas, kur Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Ju atëherë keni qenë gazetare e rëndësishme e Televizionit Shqiptar, na tregoni, si e pritët këtë lajm dhe çfarë thuhej në korridoret e televizionit?
Në kohën e diktaturës nuk ishte e lehtë që gjërat të fliteshin apo përfliteshin korridoreve. Edhe muret kanë vesh – thotë populli. Aq me tepër për një figurë si Nënë Tereza, sot Shën Tereza, që na ka bërë ne shqiptarëve të ndihemi krenarë për misionin e saj të madh, të përbotshëm, postulatet e arta sërish të saj, prej të cilave kemi vend të tërë për të mësuar e vepruar në dobi të paqes e të dashurisë njerëzore. Në veçanti ne shqiptarët, edhe pse patëm fatin t’i japim globit një figurë kaq të madhe bamirësie. Ndoshta shkollimi i saj jashtë trojeve tona, zemra e saj e çelur deri në infinit ndaj dhembjes dhe skamjes, jetëve njerëzore i dha Nënë Terezës përmasat e shenjtit, përmasat e gruas më në zë në botë.

-E mbani mend atë ditë, mund të na e përshkruani?
Natyrisht që po, më shumë emocion dhe pse historia e vizitës së nobelistes, Shën Terezës në vitet e diktaturës, gjatë këtyre viteve është anashkaluar për arsye nga më të ndryshmet. Ishe mesgushti i 1989-s. Data 15, një ditë e nxehtë vere. Një mbrëmje më parë na thirrën në drejtori, ne gazetarët e operatorët që do të mbulonim vizitën e saj. Si operatorë u caktuan Gazmir Shtino e Bujar Kore.

Për herë të parë ne gazetarët morëm informacion për bamirësen e madhe. Ishte një vizitë 7 ditore, një vizitë krejt private e Nënë Terezës për të kujtuar e për të vënë përmallshëm një buqetë me lule në varrin e nënës dhe motrës së saj të dashur, për të folur me to e për t’u thënë atyre ato që nuk mundi t’ua thoshte dot kur ishin gjallë. Dhe jo për faj të saj, por të regjimit.

Ka dhe nga ata që sot dalin heronj, por të mos harrojmë se çdo gjë është e dokumentuar në foto e imazh televiziv. Mandej dhe në një sërë ekspozitash muzeale apo albume kushtuar shenjtores, me aq sa unë kam parë, çuditërisht asnjë nga ato foto nuk figuron. Me sa duket dhe në 26 vjet demokraci kemi frikë dhe historinë e shohim bardh e zi. Ky është misioni i gazetarisë. E kam pohuar dhe herë të tjera, por sërish e vërteta e vizitës së Shën Terezës në diktaturë vazhdon të mos e gjejë pasqyrimin e vërtetë.

-E kujtoni konkretisht apo në vija të përgjithshme se çfarë ka thënë Nënë Tereza në atë mini-intervistë?
27 vjet mbrapa unë nuk mund të pretendoj të mbaj mend çdo fjalë të cituar prej saj në intervistë. Në vija të përgjithshme në anglisht Nënë Tereza falënderonte Zotin që ëndrrën e saj për të vizituar Shqipërinë tashmë e kishte bërë realitet. Bamirësja e madhe ndihej e gëzuar që vizitonte këtë vend të paqtë e të bukur, vendin ku jetuan familjarët e saj. Ajo ju lut Zotit që popullit të saj, popullit shqiptar, t’i dhuronte mirësi e begati.

-Ju çfarë dinit deri në ato momente për Nënë Terezën?
Natyrisht në një Shqipëri të mbyllur e me një media të fortkontrolluar ne nuk dinim asgjë. Të paktë ishin prej nesh ata që shfletonin ndonjëherë atë që quhej “buletin i verdhë”.

-Fakti që pushteti i asaj kohe nuk e kishte pranuar atë, sa ndikoi te ju, për t’u treguar më e përmbajtur? Sa në siklet ishit dhe sa frikë kishit?
Këto janë fakte që dolën në kohën e demokracisë. Në diktaturën komuniste nuk kishte media të hapur ku të publikoheshin të tilla informacione, pra kërkesat e bëra nga Nënë Tereza për të vizituar Shqipërinë, apo përgjigjet e qeverisë ndaj këtyre kërkesave. Nuk kishim frikë, përkundrazi u ndjemë të privilegjuar që do të bëheshim pjesë e pasqyrimit të këtij aktiviteti.

-Si u caktuat ju gazetarja që do të priste dhe intervistonte Nënë Terezën? Sa keni qëndruar me të dhe çfarë biseduat?
Unë nuk isha e vetmja gazetare që do të mbuloja vizitën e Nënë Terezës. Pjesa ime ishte intervista e cila u realizua në një nga mjediset e vilës 31 në Tiranë, me kamerën e mjeshtrit Gazmir Shtino, për të cilin shfrytëzoj rastin t’i përcjell përshëndetje në Amerikën e largët ku ai jeton për mbi 2 dekada. Ishin momente vërtet emocionuese. Përballë thjeshtësisë së saj, u ndjeva e penduar për veshjen e asaj dite. Një fustan krem, me ngjyrë rozë në lejla të lehtë, një fustan luks për kohën e që e jepja borxh për këdo nga shoqet e mia që mund të kishin ndonjë eveniment. Ndoshta edhe me grimin e kisha tepruar pak. Diçka kjo jashtë natyrës sime si gazetare terreni. Ajo shoqërohej nga motër Maria dhe shkrimtarja australiane Xheni, e cila e shoqëronte në çdo aktivitet e vizitë të saj kudo në botë, pasi shkruante biografinë e Shën Terezës, shqiptares së madhe. Ajo qëndroi në krahun tim të majtë. Duken në foto çanta e vendosur në tokë dhe pjesë e fustanit të saj. Ishte ajo që fliste dhe jepte informacion për misionarët, motrat e nënë Terezës dhe punën e tyre me të vobektit, të sëmurët me lebrozë në Kalkutë të Indisë e më gjerë. Ishte një intervistë e shkurtër. Jo më shumë se 4-5 fjali. Shën Tereza foli në anglisht duke iu falur Zotit që ja mundësoi më në fund vizitën në Shqipëri. Sërish iu lut Zotit për mirëqenie të popullit shqiptar. Duke qenë se gjatë gjithë fjalës së saj shenjtorja i drejtohej Zotit, intervista nuk u transmetua. Ne ishim shtet laik. Diktatura prishi kisha e xhamia e masakroi krerët e besimeve fetare. Në këto kushte dhe pse ishte fundi i sistemit, qeveritarët tanë, nuk patën guximin ta transmetonin atë. U bë një përpjekje për ta hequr fjalën Zot, por ishte e pamundur, pasi u përdor shpesh prej njeriut të Zotit, e fjalia nuk qëndronte. E kam vuajtur shumë mostransmetimin e intervistës dhe jam ndjerë në faj.

-A gjendet intervista sot në arkivat e TVSH, a është ruajtur si material?
Nga kërkimet që kam bërë unë, nuk është. Ndoshta është e paskeduar, në ato materialet që nuk transmetoheshin. Në to, është gati e pamundur të gjendet.

-Më shumë se sa fjalë, çfarë ndjesie morët nga qëndrimi me të dhe biseda?
Sikurse e shihni edhe në fotografi, jam befasuar prej portretit të qetë që shprehte veç mirësi me buzëqeshjen që nuk iu nda gjatë gjithë kohës që ne realizuam intervistën apo bisedës paraprake. Me thjeshtësinë e saj, shtatin e mpakët e këmbët e zbathura në sandalet tipike të motrave, këmbë që nuk u lodhën kurrë gjatë tërë jetës së saj e që shpërfillën makinat luksoze. Dora e saj vendosur së fundmi mbi ballin tona përcolli bekim, një dorë e lehtë, e ngrohtë. Jam e lumtur që kam qëndruar aq pranë saj e që në kujtim kam këtë foto të mrekullueshme.

-E mbani mend itinerarin e asaj vizite, çfarë bëri Nënë Tereza, ku shkoi?
Mbërritja e Nënë Terezës në aeroportin e Rinasit u përcoll nga kameramani i mirënjohur Bujar Kore. Për ta pritur kishin dalë e ndjera artiste Marie Kraja, personaliteti i mjekësisë në fushën e onkologjisë dr. Adelina Mazreku, Natasha Haznedari si përkthyese dhe i ati i saj, mos gaboj prokuror në atë kohë. Po ashtu nga përkthyesja tjetër Diana Kristo, kryetari i marrëdhënieve me jashtë në KQ të partisë, emrin e të cilit s’e kujtoj e ndonjë tjetër. Shoqërohej nga motër Maria, një tjetër motër kosovare dhe shkrimtarja Xheni. Gjatë qëndrimit në Shqipëri me sa kujtoj nga transmetimi lajmeve, si folëse që isha, u prit nga kryetarja e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha dhe e bija, Pranvera, në vilën e tyre. Shkoi në shtëpinë ku jetuan nëna dhe motra. Vizitoi dhe vendosi buqeta me lule veç varrezave ku preheshin njerëzit e saj në Sharrë, edhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe në varrin e diktatorit Hoxha. Vizitoi një kopsht fëmije, ku drejtoreshë ishte znj. Gambeta, vizitoi spitalin onkologjik, ku drejtoreshë ishte dr. Adelina Mazreku, sanatoriumin, një shtëpi fëmijësh, një azil pleqsh, sot shtëpi e të moshuarve. Por gjithsesi nga kjo vizitë ajo nuk mundi të marrë atë që edhe e kërkoi në një farë mënyre, ngritjen e një misioni të motrave të saj. Gjithsesi ekziston dokumentacioni i kohës për të qenë ju më të saktë. Nënë Tereza u akomodua në vilën përballë godinës së informatikës atëherë.

-Gjëja që të ka lënë më shumë mbresa nga ajo ditë?
Portreti dhe qetësia e saj e jashtëzakonshme. Dëgjonte dhe fliste pak, por buzëqeshja e saj fliste më shumë se sa fjalët.

-Sa i rëndësishëm ka qenë për ju ai moment në karrierën tuaj?
Nuk e kam matur asnjëherë karrierën time me intervistat e realizuara me shumë personalitete, por me faktin se sa kam arritur me punën time, të krijoj individualitetin tim të besueshëm si gazetare e folëse njëherazi, përballë teleshikuesve, sa e vërtetë kam qenë në atë që kam transmetuar.

-Meqë ju kemi në këtë bisedë, zonja Tefta, me çfarë po merreni tani? Ju mungon televizioni?
Aspak nuk më mungon. Jam atje pothuajse çdo ditë. Punoj me dokumentarin. Tashmë kam në proces dy njëherazi, kushtuar kritikut të mirënjohur Prof. Adratik Kallulli si dhe një tjetër kushtuar intelektualëve të viteve 1930, cilësuar edhe si periudhë e artë e intelektualëve shqiptarë.

-Teksa shihni tani spikeret e reja, çfarë mendoni?
Çdo kohë ka prurjet e veta. Ndryshojnë rrethanat historike, ndryshojnë kohët, mentalitetet e brezave, teknologjitë e bashkë me to si në çdo fushë edhe në gazetari ka risi. Ka edhe sot gazetarë shumë të zotë e po ashtu edhe folëse.

-Sa e vështirë ka qenë puna atëherë duke e krahasuar më këtë tani?
Ka qenë më e lodhshme. Çdo ditë përpara televizionit uturinin zhurmat e motorëve e të makinave që niseshin me grupet e xhirimit në të gjithë Shqipërinë. Sot vërtitet pjesa më e madhe e informacionit vetëm brenda unazës së Kryeqytetit. Por gjithsesi informacioni nuk mungon, pasi teknologjia e zgjidh problemin tashmë në kohë e në hapësirë.

-Ruani miqësi me kolegët apo koleget tuaja të atëhershme?
Natyrisht, dhe është një miqësi e fortë, e vlerësuar edhe nga të rinjtë e sotëm. Shumë herë ata nuk ngurrojnë të na e vënë në dukje këtë fakt.

-E ndjeni dashurinë e njerëzve, kur ecni rrugës, në aktivitet, udhëtime?
Me modesti do të thosha po, mandej dhe nga të rinjtë që ndoshta nuk më kanë arritur, por kanë dëgjuar nga familjarët e tyre.

-Ju jeni nënë apo jo, zonja Tefta, dhe mesa di jeni edhe gjyshe, na tregoni pak më shumë për këtë ndjesi? Si i kaloni ditët?
Ditët e mia janë të ngjeshura me punë. Punoj jo vetëm me dokumentarin, por edhe administratore në një aktivitet. Veç kësaj jam një gjyshe e lumtur me mbesë e nip që flasin shqip edhe pse jetojnë në Gjermani. I marr çdo verë në Tiranë, e së bashku me bashkëshortin, Françeskun, rrethuar prej dashurisë së tyre e marrëzisë sonë, i shëtisim në plazhet e vendet më të bukura. Ata e adhurojnë Tiranën e mezi presin pushimet që të vijnë. -“Dita”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb