Telekom Albania garanton vazhdimësinë e komunikimit për banorët e zonave të prekura nga moti i rënduar. Reshjet e dendura të borës dhe ngrica e javëve të fundit ndikuan në shumë aspekte të jetës së përditshme të qytetarëve. Edhe ekipet e specializuara të Telekom Albania janë bërë pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të siguruar normalitetin dhe vazhdimësinë e shërbimeve ndaj abonentëve.

Disa zona malore në vend kanë mbetur të izoluara dhe stacionet e antenave të Telekom Albania që ndodhen në këto lartësi u prekën nga ndërprerja e energjisë elektrike. Për shkak të terrenit të vështirë dhe reshjeve të borës për ditë me radhë, ekspertët teknikë u përballën me një sfidë të vërtetë për të mbajtur në punë këto stacione dhe për të siguruar komunikim të vazhdueshëm. Disa maja mali, me lartësinë më të madhe 1.683 metër mbi nivelin e detit, u mbuluan nga akulli dhe bora që arritën tre metër trashësi dhe për rrjedhojë, segmentet rrugore që të çojnë drejt këtyre pikave u bënë të pakalueshme.

Mjetet e zakonshme të transportit nuk mund të përdoreshin, ndaj traktorët dhe makinat e borës përparuan deri në një kuotë të caktuar. Në disa raste stafi teknik ka shkuar më këmbë për të kryer shërbimet e nevojshme në stacionet e antenave. Ndërsa në raste të tjera, i vetmi mjet transporti për në zonat e bllokuara ka qenë helikopteri.

Investime vit pas viti në rrjet, modernizimi i tij, si dhe mbi 100 eksperteve në terren siguruan komunikim edhe gjatë periudhave të gjata pa energji elektrike. Të gjitha këto përpjekje marrin më shumë vlerë duke patur parasysh komunikimin më të mirë të mundshëm për banorët e këtyre zonave në momentet e vështira që kaluan. Telekom Albania është krenar për ekipet e tij dhe gjithashtu vlerëson përkushtimin e partnerëve të tij në këto përpjekje të përbashkëta. Burimet njerëzore dhe teknike të Telekom Albania do të jenë përherë në dispozicion të qytetarëve, pasi komunikimi në situate të tilla merr rëndësi jetike!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb