Nga: OLA MITRE*

TIRANE- Për herë të parë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vendos t’u përgjigjet publikisht akuzave për tenderin e shumëpërfolur të check-up-it dhe përzgjedhjen si fituese të Vilma Nushit, e cila njihet si person i afërt me kryeministrin, Edi Rama. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ministri bën me dije dhe vendimin përfundimtar të dikasterit që ai drejton për testimin kombëtar të bluzave të bardha, ndërsa njofton dhe arritjen e marrëveshjes për uljen e çmimit të ilaçeve në masën 20- 30%.

Z. Beqaj, pas lançimit të nismës së MSH për testimin kombëtar të mjekëve dhe infermierëve, ka pasur shumë zëra kundër (Urdhri i Mjekut, sindikatat e shëndetësisë), ndërsa deputetë të ndryshëm të PD, PS dhe LSI kërkuan tërheqjen nga kjo nismë. A ka ndryshuar qëndrimi i ministrisë?
Jo. Ne vazhdojmë të kemi po atë pozicion që kemi bërë publik. E kemi komunikuar edhe në seancën dëgjimore në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë dhe po punojmë për ta përgatitur konkretisht atë. Sigurisht që në këtë rast unë po evidentoj dy momente që i çmoj të rëndësishme, sidomos në komunikim me mjekët dhe infermierët. Ne besojmë se nga ky proces figura e tyre do të lartësohet, dinjiteti i tyre do rritet, ndryshe nga ç’thonë disa prej tyre. Nuk bëhet për të larguar mjekë apo infermierë nga puna dhe sidomos në rastin e mjekëve: neve na mungojnë mjekët në Shqipëri, kështu që, edhe sikur të kishim ndonjë ide të marrë për të hequr mjekë, ne s’kemi ku t’i gjejmë të tjerët. Por ne besojmë se, edhe për faktin që ka përfunduar cikli i parë i edukimit në vazhdim, që do të thotë se është momenti i vlerësimit të këtij 5-vjeçari dhe jo thjesht sasior. Sigurisht, në fund të këtij procesi mjekët kanë pasur detyrimin të mbledhin 150 kredite: kush i ka mbledhur shumë mirë, kush s’i ka mbledhur deri në një moment të caktuar do të ketë një periudhë të dytë që do t’i lihet në dispozicion, ndërsa kush rezulton me 0 kredite do të duhet t’i nënshtrohet provimit të shtetit. Por, se sa efektiv ka qenë ky proces edhe nga ana cilësore, na duhet një arsyetim edhe për të programuar ciklin e dytë, që do jetë ‘x’ vjet, që do të ketë ‘a’ kredite, që do plotësohen në ‘x’ lloje aktivitetesh, si dhe nëse do të ketë të përfshirë elementë të ndërsjellë të vlerësimit, sepse unë kam konstatuar që në 6 muajt e fundit ka pasur një rendje shumë të madhe për të marrë kredite. Me këtë dua të them që procesi i testimit nuk i kundërvihet procesit të edukimit të vazhdim, por e plotëson atë.

Duke qenë se u përfol përbaltja e figurës së mjekut, ka pasur disa kërkesa që testimi të bëhet në mënyrë anonime ose me një kampion të veçantë. A janë pranuar këto kërkesa?
Së pari, duhet të them që nuk do të ketë vetëm një test, sepse do të na duhet të testojmë sipas çdo specialiteti, që do të thotë, pediatrit do testohen për pediatri, kardiologët për kardiologji e kështu me radhë. Së dyti, ne besojmë se për të vlerësuar efektivitetin e edukimit në vazhdim, na duhet dhe identiteti i mjekut, por nga ky proces nuk do thuhet: e more apo nuk e more testin. Nuk është ky qëllimi; qëllimi është të evidentojmë çfarë mangësish ka në njohuritë e tyre, në mënyrë që të ndërtojmë një program konkret, edhe me përdorimin e parave publike, sesi t’i plotësojmë këto boshllëqe në njohuri.

Pra, testimi do të bëhet nominal dhe jo me kampion…
Po, dhe ndërkohë duhet të kemi parasysh që njohuritë mjekësore, të marra në shkollën e lartë, nëse vlenin në vitet ’60 për pjesën profesionale, tashmë duhen rifreskuar. Ndërkohë që, ne duam ta bëjmë testimin edhe për infermierët, sepse po punojmë të bëjmë një platformë për kategorizimin e profesionit të tyre dhe sigurisht që edhe te ata, testimi do të jetë i shënjestruar sipas llojit të punës që bëjnë. Me mjekët do e fillojmë me ata të familjes, ku do përqendrohemi te ato grup sëmundjesh që kanë impakt më të madh në sëmundshmëri (kardiovaskulare, diabeti, tumorale dhe SPOK-u), dhe gjithashtu te shëndeti mendor dhe te shëndeti i nënës e fëmijës. Ndërkohë që, për infermierët do të duhet të testojmë dhe njohuritë që kanë në mënyrën e komunikimit, me informacionin e sistemit shëndetësor dhe me probleme që lidhen me marrëdhëniet që krijohen në qendrat shëndetësore, ku ne praktikisht po hyjmë në fazën e dhënies së një roli krejt të ri. Në programin e kontrollit bazë pa pagesë, mjekët dhe infermierët në QSH marrin një rol krejt të ri. E kemi bërë hapin e parë që me futjen e kartës së shëndetit, pasi kemi zvogëluar kohën që ata përdorin për procedura burokratike. Po punojmë që një pjesë të mirë të recetave për të sëmurët kronikë t’i kalojmë nga të përmuajshme në deri tremujore, dhe kjo lehtëson dhe punën e mjekëve, në mënyrë që të jepet shërbim shëndetësormë i mirë.

Sindikatat e shëndetësisë dhe mjekë të ndryshëm kanë lajmëruar protesta për të kundërshtuar testimin dhe kanë kërcënuar me paralizim të sistemit shëndetësor. Ndërkohë që, ditën e premte u zhvilluan dhe protestat e para në QSUT dhe Spitalin e Gjirokastrës. Cila është përgjigjja juaj?
Dua t’u them se, nëse nga njëra anë thonë se veprimi i ministrisë nuk ka bazë ligjore, e kam për detyrë t’u kujtoj që edhe ata e kanë për detyrë të zbatojnë ligjin: qoftë çfarë buron nga ligji i grevave, qoftë çfarë buron nga Kodi i Punës. Të paktën ajo çfarë u zhvillua të premten është një proces që nuk përputhet me këto dy ligje. Në radhë të parë ka forma sesi arrihet deri te greva, ka forma sesi një sindikatë e shpall (ligji thotë se, para se të shkohet te greva duhen bërë diskutime), por sidomos ka dhe një rast të veçantë: shërbimet e Urgjencës mjekësore nuk mund të bëjnë dot grevë. Me këto nuk dua t’u them mjekëve që të mos protestojnë, s’dua t’i pengoj të shprehin lirshëm çfarë mendojnë për punën e tyre, për specialitetin e tyre, për vështirësitë me të cilat ndeshen çdo ditë, të cilat unë i di. Megjithatë, besoj se kemi bërë përpjekje jo të pakta që të ketë në spitale një furnizimin shumë të mirë me barna, me materiale mjekësore, një funksionim shumë më të mirë të vijueshëm të pajisjeve diagnostikuese imazherike dhe laboratorike, që pa dyshim i ndihmojnë ata t’i shprehin shumë më mirë njohuritë që kanë, të kenë siguri kur japin një diagnozë, por pa dyshim unë jam përgjegjës edhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve. Nëse ne po shtojmë fondet në shëndetësi, nëse ne hoqëm TVSH-në e barnave, paratë që u kursyen ngelën po në shëndetësi. Nëse kemi pajisje të reja, besoj se duhet të investojmë edhe në burimet njerëzore, dhe unë e pranoj që një mjek apo infermier, në buxhetin e tij familjar nuk mund të investojë për formimin e tij profesional dhe sigurisht neve na duhet të alokojmë para për këtë punë. Por, që t’i japim në mënyrë më të shënjestruar, na duhet ta dimë se ku janë mangësitë. Në gjithë këto vite, jo se kanë munguar trajnimet që janë bërë, por nuk ka pasur vlerësim të plotë të efektivitetit të tyre. Evidentimi i njohurive të tyre duhet të përfundojë brenda tetorit, në mënyrë që të bëhet buxheti për vitin e ardhshëm.

Do ketë penalizime për mjekët dhe infermierët që refuzojnë të futen në testim?
Unë po e përsëris që, qëllimi i testimit nuk është penalizimi. Për sa kohë nuk është penalizimi, atëherë s’kanë pse të mos futen.

Megjithatë ka një grup mjekësh ‘rezistentë’, që pavarësisht kësaj refuzojnë të futen në testim…
Qëllimi s’është penalizimi, por është një proces që lidhet me vendin e tyre të punës. Vlerësimi i punës së mjekut, infermierit, është edhe vlerësimi i njohurive që ne kemi zgjedhur. Unë besoj se pas një komunikimi që kemi filluar me shërbimet e QSUT-së, pas një bashkëpunimi që kemi programuar, të fillojmë me shoqatat e mjekëve dhe me mbështetjen e OBSH-së si dhe përfshirjen e Urdhrit të Mjekut dhe Infermierit. Ky do jetë një proces që do ndërtohet në mënyrë të tillë që do pakësohet shumë numri i atyre që deri më sot e refuzojnë apriori. Ndërkohë që, ne kemi marrë edhe shënim propozimet e Komisionit të Shëndetësisë, kemi një korrespondencë me Avokatin e Popullit, por edhe çfarë na ka thënë OBSH-ja, dy janë momentet kryesore: e para, procesi do jetë me bazë ligjore në gjithë hallkat e tij, dhe së dyti, duhet që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës. Këta dy elementë jemi të vendosur t’i realizojmë.

Po për atë pjesë të vogël të mjekëve apo infermierëve që do refuzojnë?
Unë besoj se është një moment për të cilin duhet të flasim kur të konkretizohet.

Testimi, do të fillojë brenda shkurtit?
Po, do të fillojë brenda shkurtit, ashtu siç është programuar.

Po për ata mjekë që pretendojnë se nuk ka kush t’i testojë, pasi janë shumë të zotë në profesionin e tyre?
Nëse është kështu, atëherë ata s’kanë pse t’i ndruhen testimit, por përkundrazi, duhet të jenë të parët
që t’i thonë ‘Po’ këtij procesi.

Le të fokusohemi te ilaçet. Në fund të vitit 2014 u deklarua se gjatë 2015-ës çmimi i barnave do të ulet me 20-30%. A do të realizohet kjo dhe kur?
Ky proces ka përfunduar ligjërisht. Pra, ka përfunduar procesi i negocimit të çmimit të barnave midis MSH-së dhe mbajtësve të autorizimit për tregtim. Ata kanë deklaruar çmimet, ne kemi bërë krahasimin e këtyre çmimeve me 5 vendet që kemi marrë për referencë (Italia, Greqia, Serbia, Kroacia dhe Maqedonia). Risia këtë vit është se barnat xhenerikë për të njëjtin princip aktiv nuk mund të jenë më shumë se 80% e barit patentë. Kështu që çmimet janë deklaruar, komisioni ka mbaruar punë, ia ka përcjellë çmimet Agjencisë së Barnave, që do të thotë se çdo bar që do të vendoset në treg këto ditë e në vijim do të jetë më i lirë. Kjo vlen për barnat në treg të lirë, që do të thotë se, nëse një bar importohet sot dhe shkon nesër në Agjenci, do të marrë çmimin e negociuar që është më i lirë. Për listën e barnave me rimbursim, efektet konkrete do të ndihen në datën 1 prill. Efektet do ndihen edhe në spitale, pasi me të njëjtat fonde do të blihen më shumë barna. Tashmë ka filluar tregtimi i ilaçeve me çmim më të ulët, por për të sqaruar qytetarët, në treg ka barna që e kanë marrë pullën në dhjetor dhe normalisht nuk reflektohet çmimi i ri. Unë besoj se do duhet 2-3 muaj derisa të kemi në treg vetëm barna që janë importuar në janar e në vijim.
Negocimi është arritur për të gjitha barnat?
Po, për të gjitha. Është negociuar për rreth 3700 barna që janë të regjistruara në Shqipëri dhe janë aktive.
Shumë shpejt nis diskutimi i listës së barnave me rimbursim. A do të ketë zgjerim të saj këtë vit?
Gjëja e parë është që po vlerësojmë me çmimet e reja, në bazë të konsumit të vitit të kaluar, se çfarë efektesh kemi në fondin e rimbursimit. Së dyti, këtë vit ne duam të jemi pak më të kujdesshëm dhe të lëmë një lloj rezerve në fondin e rimbursimit, pasi besoj që nga zbatimi i kontrollit bazë (check-up) do zbulohen sëmundje që njerëzit nuk i dinë e që sigurisht do të duhet të futen në mjekim. Por, po diskutojmë që për herë të parë të fusim në rimbursim edhe materiale mjekësore.
Çfarë do të thotë kjo?
Për shembull, po mendojmë që pajisjen e implantit koklear ta rimbursojmë nga fondi, ndërsa ndërhyrjen kirurgjikale e kemi gati me paketat e vitit të kaluar. Po ashtu, po diskutojmë që për rastet e ndërhyrjeve në sy, për pensionistët të rimbursohet lentja. Ne kemi rreth 600 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar, por do të shohim si do ndikojnë dhe çmimet e reja për të ndërmarrë politikat shëndetësore në vijim.
A keni në plan të hartoni paketa të tjera, si 10 paketat e vitit të kaluar, të cilat mbulojnë shpenzimet nga shteti për disa ndërhyrje edhe në spitalet private?
Ne duam ta shtrijmë këtë gjë, në radhë të parë si kostim i ndërhyrjeve, por se çfarë do të kemi risi këtë vit, ende nuk kemi grupe pune të ngritura për ndonjë paketë.
Të ndalemi pak te check-up apo kontrolli shëndetësor bazë për personat 40-65 vjeç. U tha që në Tiranë do të fillonte në fund të dhjetorit, ndërsa në rrethe përgjatë janarit. Pse nuk ka filluar ende zbatimi i tij?
Ne u vonuam me negocimin dhe miratimin dhe lidhjen e kontratave. Kontrata u arrit të lidhet vetëm në 7 janar, sepse ishte një procedurë që zgjati, ndërsa ne donim të ishim më të kujdesshëm me kontratat që do nënshkruanim edhe me Avokatin e Shtetit. Ndërkohë që, kemi lidhur javën e kaluar një marrëveshje me Postën Shqiptare, që ka marrë përsipër të dërgojë te çdo shqiptar ftesa për të ardhur në check-up. Kabinetet e para në Tiranë janë instaluar dhe unë besoj se javën e ardhshme do të fillojmë në kryeqytet dhe më pas do të shtrihet në rrethe.
Po ngritja e call-center-it?
Sigurisht që do të ketë një qendër, ku njerëzit që duan të marrin informacion të telefonojnë, por ajo do të jetë vetëm me telefonata hyrëse. Pra, nuk do të njoftohen përmes telefonatave. Ai që ka marrë përsipër logjistikën, ka detyrim dhe qendrën e telefonatave.
Ka pasur akuza rreth firmës fituese të tenderit të check-up. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Së pari unë dua të shpjegoj që, nuk po i lihet ky proces një firme private, por po kryhet në qendrat shëndetësore publike në gjithë Shqipërinë, nga mjekët dhe infermierët e Shqipërisë. Bashkimi midis dy kompanive, që është shpallur oferta më e mirë dhe që më pas ka krijuar kompaninë e kontraktuar nga MSH, ka eksperiencë shumë të mirë në gjithë territorin shqiptar, në logjistikë dhe në aktivitete kapilare edhe në fshatrat e Shqipërisë.
Shumë njerëz kanë thënë “pse nuk e bën vetë shteti”?
Shteti, atë pjesë që ka të vetën po e bën, me qendrat shëndetësore dhe mjekët. Edhe po ta bënim vetë, do të na duhej të bënim tendera dhe kontrata për pajisje zyre, për pajisje mjekësore, për sistemin informatik, për sistemin e telekomunikimit, për call-center, për furnizimin me pajisjet laboratorike, për kite, reagentë, e pastaj të kishim çdo vit kontratë mirëmbajtjeje. Gjithë këtë pjesë logjistike ne ia kemi dhënë një kompanie private. Praktikisht, gjithçka që bëhet me privat po e bëjmë me privat. Nuk ka asnjë ndryshim. Së dyti, investimi fillestar ishte jo i vogël dhe që ky investim të bëhej i mundur në kushtet e mospasjes së fondeve publike për të investuar u zgjodh partneriteti publik-privat. Ne kemi qenë të kujdesshëm të kuptojmë sesa do të investohet në tri vitet e fundit, që të mos kemi vetëm pajisje të amortizuara, por edhe pajisje në gjendje pune, por gjëja që çalon më shumë në Shqipëri është mirëmbajtja. Këtë e shmangim përmes këtij partneriteti. Ne po çojmë EKG në çdo qendër shëndetësore, ne po fillojmë procesin e marrjes së analizave në çdo qendër shëndetësore. Në fund të koncesionit pajisjet mjekësore mbeten pjesë e qendrave shëndetësore dhe ndërkohë krijohet edhe regjistri kombëtar i kontrollit bazë, që ato të dhëna të shërbejnë jo vetëm për të dhëna individuale për shtetasit e caktuar, por edhe për të krijuar një profil epidemiologjik të vendit.
Ka pasur akuza se fituesja e tenderit të check-up, Vilma Nushi ka lidhje të ngushta me kryeministrin. Ka ndikuar kjo lidhje në përzgjedhje?
Procesi ka qenë transparent, i bërë publik. Ka pasur një garë. Këtu praktikisht opozita është mësuar të baltosë, të njollosë. Unë dua të nënvizoj që ne jemi në rrugën e duhur për zbatimin e programit. Ky është hapi i parë konkret i mbulimit universal. Ka qenë një angazhim programor dhe sigurisht që me operatorët jopublikë realizohen shumë gjëra. Ne si MSH po e shtrijmë partneritetin për të blerë drejtpërdrejt kujdes shëndetësor.
Pra, nuk ka ndikuar aspak kjo lidhje?
Jo, fare!
Si do të monitorohet puna e firmës që ka fituar tenderin?
Në secilën nga degët rajonale të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor janë krijuar që në tetor strukturat që do të merren vetëm me ndjekjen e check-up-it. Është krijuar një sektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit dhe pastaj sektorë e individë për të ndjekur zbatimin e tij.
Cili do jetë fokusi i këtyre kontrolleve?
Në radhë të parë gatishmëria e funksionimit të pajisjeve në çdo QSH, furnizimi ritmik i QSH me materiale mjekësore të nevojshme, ndjekja e transportit në kushte të caktuara lagështire, temperature dhe kohe e mostrave nga QSH në laborator dhe pastaj koha me të cilën realizohen dhe hidhen në sistem të dhënat, në mënyrë që mjeku t’i komunikojë qytetarit përgjigjen.
Së fundmi, para disa ditësh u lançua nisma antikorrupsion përmes portalit online. Si do veprohet në shëndetësi, pasi ka një perceptim se do të rritet presioni te bluzat e bardha?
Ne duhet të pranojmë që shëndetësia perceptohet nga shqiptarët si një nga sektorët më të korruptuar. Ky sistem është një mënyrë më e mirë për ta matur sa reale është kjo dhe për të bërë një lloj evidentimi që, cili mjek apo infermier mund të hyjë në praktika korruptive. Nuk është qëllimi për të anatemuar trupën e mjekëve dhe infermierëve. Ne jemi shprehur që jemi përkrah tyre. Por pa dyshim që ne duhet të merremi me problemet e korrupsionit. Nëse dikush mendon se ka diçka për të denoncuar, mund ta bëjë përmes portalit. Kanë filluar të na vijnë denoncimet e para. Ka denoncime për korrupsion, por ka dhe denoncime në formën e ankesave, ka që janë nominalë, ka që janë anominalë. Kemi ngritur një sistem të brendshëm, në mënyrë që t’i ndjekim dhe t’i sqarojmë. Aty ku ka rast për të hetuar më thellë, do hetojmë. Ku ka rast për përgjegjësi individuale, të mbajë përgjegjësitë kush i ka, por do të shohim dhe çfarë ka për të përmirësuar në procesin e punës të çdo institucioni shëndetësor, sepse mund të ndodhë që për shkak të mosfunksionimit të një hallke, pacienti të mendojë se përgjegjësia është e mjekut dhe infermierit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: