Nga: XHENSILA KODRA
TIRANE – Prokuroria e Tiranës do të bëjë sekuestrimin e llogarisë bankare të kompanisë “Marsi-&AL”, e cila ishte fituese e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit. Ky fakt bëhet me dije pranë burimeve të prokurorisë, të cilat shtuan më tej se kjo gjë do të bëhet pasi dyshohet se kompania në fjalë, përveç veprës penale të mashtrimit, mund të ketë kryer edhe atë të falsifikimit të dokumenteve.

Mësohet se nga hetimet paraprake ka rezultuar se kjo kompani ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash si detyrim për prodhimin e uniformave, dhe pikërisht për këtë gjë është vendosur edhe bllokimi i llogarisë bankare. Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se hetuesit e çështjes i kanë kërkuar informacion Ministrisë së Punëve të Brendshme për sa i përket dosjes së tenderit të uniformave lidhur me kontratën e policisë me atë të kompanisë së sipërpërmendur, si dhe letërkëmbimet shkresore mes tyre. Përpos këtyre, grupi hetimor ka kërkuar edhe sekuestrimin e dosjes së kompanisë “Marsi&AL” pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, pasi dyshohet se shkresat e dorëzuara në QKR kanë qenë të falsifikuara.

Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura thanë për “GSH”, se nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar ndonjë shkresë ose provë nga dogana që fakton hyrjen e uniformave në Shqipëri, duke qenë se uniformat do të prodhoheshin në Turqi. Lidhur me këtë fakt, pro-kurorët e çështjes kanë ngritur dyshime se uniformat mund të jenë futur kontrabandë ose mund të ketë pasur falsifikim të dokumenteve.

Po sipas të njëjtave burime, dyshimet janë edhe mbi faktin se uniformat e punonjësve të Policisë së Shtetit mund të jenë realizuar në territorin shqiptar. Pak ditë më parë, me anë të një njoftimi, nga ana e Policisë së Shtetit u raportua se “ndërprerja e kontratës me kompaninë ‘Marsi&Al’, e cila duhej të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, u bë për shkak se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës, nuk janë në parametrat e kërkuar sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur”. “Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuar sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.

Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti ‘Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore’, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj”, sqaron më tej policia, e cila thekson se nuk i ka bërë asnjë pagesë kompa-nisë në fjalë, por e ka kallëzuar atë në prokurori për akuzën “Shpërdorim i kompetencave”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: