TIRANE- Ka nisur me debate dhe tensione seanca e sotme plenare, ku pritej të diskutohej ngritja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Që në nisje të seancës, opozita ka kërkuar që të ketë debat për këtë çështje, por kryetarët e PS dhe LSI kanë kërkuar që debati të shtyhet për javën e ardhshme.

Një gjë e tillë nuk është pranuar nga opozita, e cila ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Vetë kreu i opozitës, Lulzim Basha, i është drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, se me këtë qëndrim “synohet t’i mbyllet goja opozitës”.

Në përgjigje, Ruçi është shprehur se kjo çështje është kompetencë e seancës, dhe jo e Konferencës së Kryetarëve, por Basha nuk e ka pranuar këtë gjë, duke qëndruar në foltoren e Kuvendit.

PJESE NGA DEBATI
Basha: Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani vendos për një afat të arsyeshëm debati, nuk mund të shtyhet për një javë. Kjo seancë nuk mund të procedojë në kundërshtim të rregullores. Kërkon ta shtysh me një javë debatin që t’i mbyllësh gojën opozitës. Sot dhe nesër, shqiptarët meritojnë debat në këtë seancë.

Ruçi: Nuk ka asnjë kontribut Konferenca e Kryetarëve kur seanca e ka të miratuar rendin e ditës sipas procedurave diskutuan 3 krerët e grupeve parlamentare. Sipas rendit përkatës për të futur ose nxjerrë çështje nga rendi i ditës, u votua, dhenuk mund të konsiderojë një çështje që e ka Kuvendi, Konferenca e Kryetarëve. Kjo nuk ësht ë për t’i mbyllur gojën opozitës, por veprova sipas procedurës. Kjo çështje është kompetencë e seancës, ndaj quhet e mbyllur.

Basha: Thir Konferencën…

Ruçi: Nuk dua ta nis këtë seancë me vërejtje, lironi foltoren. Do flasin të tjerët.

(Basha nuk largohet, deputetët e PD rrethojnë foltoren)

Ruçi: Po plotësohet 2 minutëshi që keni bllokuar foltoren. Z.Basha të tërheq vërejtje për pushtim të foltores, seanca pushim 5 minuta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb