Një gjykatë amerikane ka vendosur sot se njeriu që u përpoq të vriste ish presidentin amerikan Ronald Reagan do të lejohet të largohet nga një spital psikiatrik në Washington dhe se do të jetë i lirë të jetojë në shtëpinë e tij në Virginia.

John Hinckley Jr, njeriu që u përpoq të vriste ish-Presidentin Reagan, do të lirohet muajin e ardhshëm nga spitali psikiatrik pas 35 viteve të kaluara nën vëzhgimin e mjekëve.
Gjykatësi Paul L. Friedman vendosi të mërkurën se John Hinckley Jr. është gati për të jetuar sërish në komunitet.

35 vite më parë, në vitin 1981, John Hinckley Jr qëlloi jashtë një hoteli në Washington presidentin Ronald Reagan, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën. Për arsye që kishin të bënin me shëndetin e tij mendor, atentatori nuk u shpall fajtor, por u dërgua për trajtim psikiatrik në një spital të kryeqytetit.

Tani gjykatësi i çështjes doli në përfundimin se 61-vjeçari mund të qëndrojë përgjatë gjithë kohës në shtëpinë e të ëmës në Virxhinia. Lirimi i tij do të bëhet më 5 gusht, por disa kufizime, siç është komunikimi me median, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb