Kompania Tesla ka prezantuar Modelin 3–makina e saj e re për tregun e madh. Kompania thotë se deri tani ka marrë 130 mijë porosi për modelin e ri, megjithëse jemi ende një vit larg momentit kur do të fillojë prodhimi:

Modeli i ri u prezantua këtë javë në Kaliforni nga shefi i kompanisë Elon Musk, i cili tha për gazetarët se makina do të ketë një çmim bazë shitjeje prej 35 mijë dollarësh.

“Dua të theksoj se edhe nëse konsumatori nuk kërkon gjëra shtesë përveç atyre që gjen në variantin bazë, kjo është gjithsesi një makinë e mrekullueshme. Edhe pa opsione shtesë do të jetë një makinë shumë e mirë që mund ta blesh për 35 mijë dollarë”.

Suksesi i Modelit 3 është me rëndësi kritike për kompaninë që të ruajë çmimin e lartë të aksioneve. Në pritje të makinës së re, aksionet e Teslas në bursë u rritën edhe më shumë.

Modeli 3 do të ndeshet me konkurrencën ekzistuese nga Audi A4 dhe BMW 3, të dyja me karburant, si dhe një numër makinash elektrike si Chevrolet Bolt EV nga General Motors.

Tesla njihet për dizenjo elegante që deri tani janë shitur vetëm në tregun e makinave të shtrenjta. Modeli 3 me katër dyer, do të ketë një mbulesë prej xhami me pamje të gjerë, dhe linja aerodinamike që afrojnë me makinat sportive.

Konsumatorë të apasionuar pas produkteve inxhinierike mbajtën radhët gjithë natën në dyqanet e Teslas në Kaliforni për të paguar këstin e porosisë. Por nuk është ende e qartë sa do të mbajë ky entuziazëm fillestar. Tesla ka varur shpresa të mëdha tek Modeli 3 për mbarëvajtjen e kompanisë, e cila ka vënë si pikësynim shitjen e 500 mijë makinave në vit deri në 2020. Tesla po ndërton edhe kompleksin e prodhimit të baterive për makina Gigafactory, suksesi i së cilës do të varet nga shitjet e Modelit 3. Analistët e tregut të automjeteve thonë se Modeli 3 është i rëndësishëm për mbarë këtë industri, jo thjesht për Teslan:

“Ka rëndësi për industrinë pasi sinjalizon çfarë rëndësie do të ketë kompania Tesla në tregun e automjeteve, nëse do të jetë një konkurrente e fortë apo një pretendente e pafuqishme,” thotë Jack Nerad i kompanisë Blue Book.

General Motors, një konkurrente në tregun e makinave elektrike do të nxjerrë këtë vit modelin Chevrolet Bolt, që premton të realizojë 320 kilometra rrugë për çdo karikim baterie, me çmimin bazë prej 35 mijë dollarësh.

Tregu i makinave elektrike ende përballet me konkurrencë nga makinat me karburant, të cilat mbeten shumë të leverdisshme me çmimet e ulëta të karburantit aktualisht; po ashtu problem mbetet çmimi i lartë i baterive dhe infrastruktura ende e pazhvilluar e karikimit të baterive.

(ZeriAmerikes/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: