NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Fakulteti i Mjekësisë Tiranë ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të vijuar garën për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë për vitin akademik 2016-2017. Sipas vendimit të bërë publik ditën e djeshme më 9 shkurt, të drejtën të hyjnë në këtë garë e kanë 281 kandidatë dhe 3 kandidatë janë në garë për kuotat e parashikuara për transferim studimesh, pra në total janë 284 kandidatë.

Ndërkohë që numri i kuotave të pranimit, të miratuara nga Senati i Universiteti të Mjekësisë janë 186 kuota, ku 124 janë nga kuotat e pambuluara ndërsa pjesa tjetër të ndarë në ministritë përkatëse, Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka kërkuar 42 kuota. Diferenca mes kuotave të mbuluara dhe të lira është se ata që fitojnë nga kuotat e mbuluara do të paguhen me rrogë mujore nga institucioni përkatës.

“Gazeta Shqiptare” publikon të plotë listën e 281 kandidatëve që kanë të drejtën e vijimit të garës për specializimet në mjekësi. Gara për këta kandidatë do të vijoi me intervistën me gojë të hënën që vjen më 13 shkurt, ndërsa testi i informatizuar, që do të zhvillohet pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të nisë më datë 20 shkurt 2017.

KONKURRIMI
Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ditën e djeshme ka bërë publike vendimin me listën e përfundimtare të kandidatëve që kanë aplikuar dhe plotësojnë kriteret për të vijuar etapat e mëtejshme për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë. Kandidatët, të cilët kanë emrin në listat e mëposhtme, sipas vendimit të Rektoratit të UMT do ta nisin konkurrimin më datë 13 shkurt 2017 me intervistën me gojë, e cila pritet të zhvillohet brenda një dite, pasi do ketë disa komisione të cilët do i marrin kandidatët në intervistë.

Rezultatet e intervistimit me gojë shpallen nga komisioni pas aprovimit nga dekani. Në total, intervista vlerësohet me 10% të pikëve, 20% të pikëve kandidatët i fitojnë nga mesatarja e ponderuar e viteve të studimit. Ndërsa, testimi i informatizuar, sipas rregullores së re të Specializimeve Afatgjata në fushën e mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2016-2017, nis më datë 20 shkurt 2017 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë, dhe zhvillohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) sipas kalendarit të përcaktuar nga AKP-ja.

Mesin e javës që vjen AKP-pritet të përcaktoi edhe datat e zhvillimit të provimit për kandidatët. Testi përbën pjesën më të kryesore të garës, pasi aty kandidati merr 70% të pikëve në total. Në testin e informatizuar kandidatët do të kenë 100 pyetje me alternativa. Normalisht kandidatët ditën e provimit duhet të ketë me vete mjetin e identifikimit si dhe fotokopjen e saj. Po ashtu, ata duhet të paraqiten 30 minuta para fillimit të testimit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb