Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Në seancën dëgjimore për testimin e mësuesve ditën e djeshme ishte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjatë fjalës së saj, ajo ka përmendur se testimi i mësuesve ka për qëllim të verifikojë nevojat e arsimtarëve për kualifikim. “Rezultatet e testimit nuk do të përdoren për t’i larguar nga sistemi, por do shikohen nevojat për kualifikimin e tyre”, – theksoi ministrja e Arsimit, Nikolla. Në këtë seancë dëgjimore janë prekur disa çështje të arsimit, por nuk kanë munguar debatet mes palëve. Deputetët e opozitës kanë denoncuar raste të mësuesve që hynë në testimin e dhjetorit, të cilët ishin emëruar në ato vende pune kohë më parë, deri në dy muaj, për të cilat ministrja Nikolla tha se do të hetohen rast pas rasti.

Testimi dhe seanca
Debate të shumta ka pasur në seancën dëgjimore të ditës së djeshme në Komisionin e Arsimit, ku ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka folur në lidhje me testimin e mësuesve në dhjetor, si dhe atë që do të bëhet në muajin maj. Qëndrimi i saj në lidhje me testimin është i njëjtë me atë të ministrit të Shëndetësisë, se ky testim po bëhet për të ditur nevojat për kualifikim të 35 mijë arsimtarëve që janë në sistemin parauniversitar dhe jo për largime nga puna. Ndërsa testimin e muajit dhjetor të mbi 5 mijë mësuesve për vendet e lira të punës, ajo e konsideroi një arritje. Por në një kohë që ajo fliste për arritje, deputetët e opozitës kanë denoncuar katër raste, tre mësues dhe një edukatore kopshti, të cilët ishin emëruar në vendet e punë dy muaj para se të bëhej testimi. “Testimi i mësuesve në dhjetor ishte një farsë, ne na kanë ardhur ankesa dhe kemi raste të tre mësuesve, që emërimet i kishin marrë dy muaj para testimit për të hyrë në punë, po ashtu edhe një rast të një edukatoreje kopshti. Ata mësues që janë shpallur fitues ishin emëruar në vendet e punës shumë kohë më parë”,- ka thënë deputeti i opozitës Luçiano Boçi.

“Më vjen çudi se si opozita ankohet për testimin, i cili shënoi një sukses. Ju ankoheni për këtë testim, por vetë mësuesit nuk janë ankuar. Në ministri nuk ka asnjë ankesë për testimin e dhjetorit zotërinj. Këto që thoni, ju do t’i shikojmë rast pas rasti”, – tha ministrja Nikolla. Ndërsa kreu i komisionit, Genc Pollo, ka ndërhyrë duke thënë: “Nuk ka ankesa, sepse ju po u bëni presion mësuesve dhe i mbani nën terror”. Ndërsa Myqerem Tafaj ka theksuar se ligji i Arsimit parauniversitar, i cili në 2012 është miratuar me vota unanime e përcakton shumë qartë se si bëhen trajnimet. “Ligji i 2012, i cili ka marrë edhe votat tuaja kur ishit në opozitë, dhe dua t’ju falenderoj për këtë gjë, i ka të përcaktuara mekanizmat se si bëhen trajnimet dhe kualifikimet e mësuesve. Nuk keni pse të ndërmerrni artifica ligjore, të shkelni ligjin dhe të bëni testime të tilla, që nuk do zgjidhin situatën”, – tha Tafaj. Por ministrja Nikolla ka thënë se “ato institucione që ju thoni nuk kanë bërë mjaftueshëm, pasi nuk kanë asnjë raport në lidhje me nevojat që kanë arsimtarët për t’u trajnuar”. Nëpërmjet një ndërhyrjeje, kryetari i komisionit, Pollo ka thënë: “Si ka mundësi që ju do bëni një testim për të ditur nevojat për kualifikim në një kohë që IZHA ka publikuar nevojat që kanë mësuesit për kualifikime deri në 2015-2017? Çfarë nevojash do shikoni ju kur institucioni në varësinë tuaj i ka bërë ato publike”?

Në lidhje me këtë pyetje, ministrja Nikolla ka është përgjigjur: “Ato nevoja janë të përgjithshme, por me testimin që ne kërkojmë të bëjmë, duam të hymë në qelizë për të parë ato çfarë mësuesit kanë më shumë nevojë në çdo shkollë të vendit”. Sipas saj, testimi nuk do të bëhet me pyetje-përgjigje, për hartimin e tij është marrë konsulencë ndërkombëtare, në mënyrë që në përfundim të dalë një raport i detajuar për nevojat që kanë arsimtarët për të pasur një arsim sa më cilësor. “Ky testim do sjellë përmirësime të cilësisë së arsimit. Ato që thoni ju janë nevojat e përgjithshme, ne duam të shkojmë në qelizë”, – tha Nikolla.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb