TIRANË- Emisioni ‘Njerëz në Fokus’ në News 24 i moderuar nga gazetarja Ola Bruko ka trajtuar sot temën e testimit të mësuesve në vend, proces ky që pritet të përmbyllet në muajin maj të vitit 2015, ku të gjithë mësuesit pavarësisht viteve të punës që mbajnë mbi supe do t’i nënshtrohen një testimi kombëtar.

Të ftuar në emision ishin përfaqësuesit e MAS, Zamira Gjini, Drejtore e Arsimit Parauniversitar si dhe Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm. Si përfaqësues të mësuesve ishin të ftuar Fatmir Bezati, Nënkryetar i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës dhe Nevrus Kaptelli, President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë. I ftuar ishte edhe një mësues i sistemit privat Xhuvani Ceroni.

Sipas zonjës Gjini, testimi bëhet për të parë nivelin e mësuesve, ndërsa Ndreca tha se ky test do mund të largojë aferat korruptive. Aksioni i nisur për plotësimin e vendeve vakante të mësuesve dhe që do të vazhdojë me testimin e çdo mësuesi që e ka një punë, siç tha Ndreca, është një detyrë historike që ka shënuar një kthesë për gjithë sistemin arsimor.

Mësuesi Xhuvani Ceroni, i cili tashmë punonte në sistemin privat përgëzoi MAS për këtë nismë, por duke cituar një mikun e tij që u bë pjesë e testimit të dhjetorit, tha se disa nga pyetjet ishin formuluar gabim.

“Jam mësues në privat, reforma në arsim do ketë edhe kundërshtime, por duhet të ketë edhe ndryshime. Kjo nismë është për tu përgëzuar. Unë jam jashtë sistemit shtetëror, por do doja të dija nëse testimi do përfshijë kontingjentin tonë apo do ketë diferencime. Në lidhje me kohën e testimit ishte një kohë e shkurtër e lënë në dispozicion për tu përgatitur. Literatura mu duk sikur ishte copy paste si ajo e vitit 2014, literatura e përgjithshme. Shoqërova atë ditë kolegun në provim dhe më tha që pyetja e parë ishte gabuar shkencërisht, kishte llogaritje shifrash me laps, etj”, tha ai.

Në përgjigje, Plarent Ndreca por edhe zonja Gjini nga MAS thanë se të gjithë mësuesit janë të hapur për të bërë animime, ndonëse deri më tani nuk ka ardhur asnjë ankesë prej tyre.

Përfaqësuesit e sindikatave të mësuesve, Fatmir Bezati dhe Nevrus Kaptelli thanë se mësuesit kanë dyshime kryesisht për besueshmërinë e testimit.

“Testimet gjithmonë kanë qenë të kontestuara dhe publiku kërkon besueshmëri të testimeve. Duhet të merren masa për të rritur besueshmërinë e mësuesve tek testimi.”- deklaroi Fatmir Bezati

“Kam konstatuar me keqardhje që gjatë këtij viti në të gjitha aktet nënligjore urdhrat që ka nxjerrë MAS nuk ka marrë mendimin e sindikatave që përfaqësojnë këta mësues.  Ka patur shumë vërejtje për mënyrën se si u bë testimi”- u shpreh Nevrus Kaptelli, President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i MAS-it, Plarent Ndreca tha se skanimi i parë që iu bë sistemit arsimor ishte skanim ligjor, që zbuloi se mijëra mësues kishin bërë krim duke u dhënë mësim pa kualifikim fëmijëve. Sipas Ndrecës, skanimi i dytë i sistemit lidhet me cilësinë.

“Janë mijëra mësues që kanë bërë krim, i kanë dhënë mësim pa kualifikim fëmijëve tanë. Ku kanë qenë sindikatat ka 20 vjet? Skanimi që i bëmë procesit ishte dramatik, shumë i rëndë. Skanuam nga na ligjore se në çfarë situate është sistemi. Tani do shkojmë tek skanimi cilësor i sistemit dhe do të shikojmë në çfarë gjendje e kemi sistemin. Nuk është instrument për të penalizuar, por për të parë situatën në sistem. Rankimi që është bërë vijon, ai që është i pari i shpallur fitues me pikë më të larta në profilin X ai ka prioritet të shkojë në atë pozicion në rastin e parë që hapet një vend pune”- deklaroi Ndreca.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, të dërguara në faqen zyrtare të emisionit “Njerëz në Fokus” në “Facebook”, Zamira Gjini tha se kandidatët për mësues të cilët nuk kanë marrë pjesë në testimin e këtij viti apo nuk janë të kënaqur, vitin e ardhshëm do të kenë mundësi të marrin pjesë në testin tjetër të mësuesve”.

Gjini bëri me dije më tej se, testimi i të gjithë mësuesve në muajin maj nuk rrezikon vendin e tyre të punës, por do të evidentojë cili prej tyre ka mangësi me qëllim që më pas t’i nënshtrohen trajnimeve.

“Ky testim nuk ka të bëjë farë nëse do qendrojë apo jo në vendin e punës. Ndihmon mësuesin për të parë çfarë niveli është, ndihmon shkollat për të parë ku i kanë problemet mësuesit e tyre, s’do ketë të bëjë me heqjen nga sistemi por mësuesit që do kenë problematika do përmirësohen aty ku kanë mangësi. Do shkojnë në trajnime të të gjitha niveleve, pra do shohim për çfarë kanë nevojë të trajnohen mësuesit”.

Ndërsa Ndreca shtoi se, mësuesit që nuk do pranojnë të futen në testim do të penalizohen.

“Nëse nuk pranojnë, kjo është shkelje disiplinore. Duhet të rinovojnë njohuritë e tyre është detyrim ligjor ti nënshtrohen testimeve, kemi të drejtë kushtetuese dhe ligjore ti kontrollojmë në çdo moment. Ka 20 vite që një gjë e tillë nuk bëhet, këto janë veprime krejt normale të një qeverisje të përgjegjshme. Duam të shohim çfarë mësuesish kemi, do marrim masa për trajnimin e tyre”, tha ai.

Fatmir Bezati, Nënkryetar i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës, deklaroi se mësuesve duhet tua garantojë shteti trajnimet dhe jo privatisht.

“Kemi pasur informacione që testimi vë në rrezik vendin e punës, ishim kundër që ai të rrezikonte vendin e punës. Trajnimet ti sigurojë vendi i punës sot i bëjnë privatisht. Mësuesi duhet ta marrë falas nga shteti trajnimin, ndërkohë që sot i bëjnë privatisht”, tha ai.

Nevrus Kaptelli President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, deklaroi se testimi që pritet të bëhet në maj “është i pabazuar në ligj”. Sipas tij, nuk ka arsye që një mësues që testohet një herë në 5 vite dhe kalon një kategori, të testohet sërish për njohuri.

Mësuesi Xhuvani Cironi tha se e vlerëson përpjekjen e ministrisë së arsimit. “Në testimin e matematikës nga 280 mësues të testuar vetëm 50 mësues janë kualifikuar. Ky nuk është niveli i mësuesve. Ky testim nuk tregon nivelin e mësuuesve. Testimi nuk ishte real. Ishte i nxituar. Ka një sfond gri, një testim thotë nuk do i pushojmë nga puna testimi tjetër thotë që do i marrim në punë. Testimi që u bë tani ishte për t’u punësuar. Kur ndërmerren masa të tilla, duhen marrë masa të studiuara dhe në momentet e duhura, jo testime vetëm për t’u dukur. Ka shumë opsione, njoh shumë elementë të mirë”, – tha Cironi.

Plarent Ndreca, Sekretar i Përgjithshëm i MAS i kërkoi Ceronit të jepte disa opsione lidhur me këtë çështje.
Zamira Gjini, Drejtore e Arsimit Parauniversitar në MAS tha se, testimi ishte i domosdoshëm dhe ishte një masë që duhej marrë menjëherë. “Bëmë një renditje sipas meritës dhe pikëve që fituan në konkurs. Më të mirët u punësuan. Mund të duhet shumë kohë por ne nuk mund të lëmë nxënësit pa mësim. Më parë në vendin e lirë merrej një mësues nga lista e mësuesve, ndërsa tani ata që kanë pikë më shumë do të punësohen të parët. Që të punësohen ata që kanë më shumë pikë duhet të ketë një vend vakant, sapo të hapet vendi vakant do të punësohen. Nëse nuk ka vend vakant nuk mund të punësohen”, -sqaroi Gjini.

President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Kaptelli solli më tej një shembull konkret. “Në Tepelenë, Myzafer Hoxha, mësues me eksperiencë 30-vjeçare, i pari në renditje pas testimit, u transferua në një shkollë 2 orë më larg.”

Ndreca komentoi: “Këtë rast do ta verifikojmë që nesër dhe nëse është kështu si thua ti do të merren masa të menjëhershme”. Ndreca ftoi edhe News24 të ndjekë rastin në fjalë.

Ceroni tha se ndryshimi duhet filluar nga drejtuesit që do të bëjnë këtë ndryshim.

Ndreca nënvizoi se testimet do të bëhen patjetër. “Duhet të dimë se për çfarë duhen trajnuar mësuesit. Në çfarë drejtimi duhen bërë trajnimet. Duhet një paronamë e qartë e situatës dhe në bazë të saj bëjmë sistemin e testimit dhe të trajnimit.”

Gjini tha se do të jenë disa mësues të cilët nuk do të testohen në maj. “Do të ketë disa grupe mësuesish që nuk do të marrin pjesë në testim. Mësuesit me titull mjeshtër, të kategorisë së parë nuk do të testohen.” Gjini shtoi se edukatorët do të testohen pasi edukimin në fëmijërinë e hershme është prioritet i ministrisë.

Sipas Gjinit mësuesit janë trajnuar në mënyrë kaotike, kanë rendur për të marrë kredite për të qenë në rregull me ligjin.

Ndreca deklaroi se sistemi do të skanohet.

(ma.ar/er.nu/a.h/BalkaNWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: