Teuta udhëton drejt Shkodrës për të kërkuar sërish tri pikë. Në kampin durrsak mbizotëron një frymë optimiste dhe të gjithë kanë besim se skuadra do të kthehet me rezultat pozitiv nga Shkodra. Një ditë para ndeshjes, trajneri Gugash Magani preferoi të mos prononcohej, duke vijuar traditën e muajve të fundit, teksa mbetet supersticioz.

“Panorama Sport” kontaktoi me mesfushorin Albi Dosti, i cili theksoi se Teuta edhe ndaj Vllaznisë do të kërkojë fitoren. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi luajmë kundër Vllaznisë, por megjithatë objektivi ynë janë tri pikët.

E kemi përgatitur mirë këtë takim dhe kemi besim të madh se përveçse do të zhvillojmë një ndeshje të bukur, do të kthehemi me rezultat pozitiv nga Shkodra. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, sepse duhet të krijojmë mentalitet fituesi, ndaj ka shumë vlera një fitore në transfertë.

Arritëm të kalonim në sfidën e parë të kampionatit Luftëtarin dhe do të tentojmë tri pikët e radhës në Shkodër”, ka thënë fillimisht Dosti.

ATMOSFERA

Riorganizimi i skuadrës në të gjitha drejtimet, që nga organika e deri tek infrastruktura, ka krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe me shumë besim në kampin durrsak. Fitorja me Luftëtarin ka ndikuar mirë në psikologjinë e skuadrës, e cila, sipas mesfushorit, është e uritur për të korrur të tjera suksese.

“Gjatë verës është punuar shumë në të gjitha drejtimet dhe skuadra e Teutës thuajse ka një riorganizim nga e para, që nga organika deri tek infrastruktura. Në skuadër na rrethon një atmosferë pozitive dhe të gjithë kemi nota të larta besimi. Teuta tashmë përbëhet nga një grup cilësor lojtarësh dhe jemi të bindur se do të zhvillojmë një sezon dinjitoz, duke arritur objektivat që na kanë venë drejtuesit e klubit, prej të cilëve kemi një mbështetje shumë të madhe”, theksoi fantazisti.

Duke vijuar më tej, Dosti tregon respekt për kundërshtarin. “Vllaznia meriton respekt maksimal, pasi është një ndër skuadrat që ka një traditë dhe një emër në futbollin shqiptar. Edhe Vllaznia ka bërë shumë ndryshime në skuadër krahasuar me sezonin e shkuar, pasi janë forcuar shumë.

Por siç theksova edhe më herët, kemi respekt për kundërshtarin, por jo frikë. Do të shkojmë në Shkodër me objektivin për ta fituar ndeshjen dhe kemi besim se do t’ia dalim”, përfundoi mesfushori i Teutës.

Ndërkohë, sot pritet që durrsakët të futen në fushë me të njëjtin formacion si javën e kaluar, teksa ndryshimi i vetëm është aktivizimi i Onyeka Osemenes nga minuta e parë dhe ulja në stol e Latif Amadusë./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: