KOSOVE-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.

Temë kryesore e bisedës ndërmjet presidentit Thaçi dhe kancelares Merkel ishin forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe domosdoshmëria e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Merkel e ka përgëzuar presidentin Thaçi për rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe për funksionalizimin e Ekipit Menaxhues, që është kompetent për hartimin e draftit të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kancelaren Merkel për mbështetjen që Gjermani i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb