President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të takohet me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Siç raportojnë mediat kosovare, mësohet se Thaçi është nisur drejt New York-ut, në krye të delegacionit të Kosovës, i shoqëruar nga Zonja e Parë e shtetit, Lumnije Thaçi, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas një njoftimi të Presidencës, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës do të priten nga çifti presidencial Trump.

Gjatë vizitës, pritet që Presidenti Thaçi të ketë një takim të shkurtër me Presidentin Trump. “Gjatë vizitës pesëditore në Nju Jork, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Presidenti Thaçi gjithashtu do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini. Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: