Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një opinion të botuar në “The Independent”, ka thënë se ka ndihmuar në rrëzimin e Sllobodan Milloshevicit ndërsa ka shtuar se tani ka shpresë për drejtësi për qytetarët e Kosovës, raporton Koha.net. Zëvendëskryeministri Thaçi gjithashtu ka deklaruar se Kosova nuk do të lejojë barazimin e krimeve të Serbisë me ato të disa individëve kosovarë. “Millosheviçi dhe miqtë e tij për vite me radhë kanë shtypur sistematikisht popullin e Kosovës. Kryengritja jonë ka qenë rasti i vërtetë i Davidit që lufton Goliath. Nuk kishim armë, nuk ishim të trajnuar dhe numri i luftëtarëve guerilë në terren ishin në raste të shumta vullnetarë të thjeshtë që përballeshin me batalione të forcave të organizuara dhe të egra të policisë dhe ushtrisë serbe. Shumë serbë u sulmuan pas luftës, ose si shenjë hakmarrjeje ose për përfitime financiare. Këto krime individuale të kryera nga disa kosovarë ishin të tmerrshme dhe ne i dënojmë ato. Por armiqtë tanë pretendonin se këto akte të izoluara moralisht ishin të barabarta me gjenocidin masiv të lansuar nga qeveria serbe kundër popullit tonë. Kjo është fyese”, thotë ai.

OPINIONI I THAÇIT

Parlamenti i Republikës së Kosovës muajin e kaluar ka votuar ndryshimet kushtetuese për të mundësuar krijimin e Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e luftës të kryera nga shqiptarët e Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës çlirimtare të vitit 1999.
Pas diskutimeve të gjata, vota finale në Parlamentin tonë ishte në masë të madhe pozitive. Si kryetar i partisë më të madhe parlamentare, kam punuar shumë me kolegët e mi për t’i bindur anëtarët e saj, si edhe publikun, për themelimin e instrumentit të pazakontë ligjor në mënyrë që të jemi gjykime kredibile që janë të pavarur dhe të menaxhuar ndërkombëtarisht.

Shtatëmbëdhjetë vjet kanë kaluar që nga nisja e luftës më 1998. Në atë kohë, unë isha drejtor politik i forcës guerile që nisën një kryengritje kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Millosheviçi dhe miqtë e tij për vite me radhë kanë shtypur sistematikisht popullin e Kosovës. Kryengritja jonë ka qenë rasti i vërtetë i Davidit që lufton Goliath. Nuk kishim armë, nuk ishim të trajnuar dhe numri i luftëtarëve guerilë në terren ishin në raste të shumta vullnetarë të thjeshtë që përballeshin me batalione të forcave të organizuara dhe të egra të policisë dhe ushtrisë serbe.

Rezistenca guerile e Kosovës shumë shpejtë u bë kërcënim vdekjeprurës për Millosheviçin. Duart ai veçse i kishte të përgjakura pasi me dhjetëra mijëra njerëz vdiqën në Bosnje e Kroaci, përfshi edhe Srebrenicën. Ne besojmë se Serbia edhe në Kosovë ka kryer gjenocid por bota demokratike thjeshtë nuk ia lejon vetes të jetë dëshmitare e përfundimit të një pogromi tjetër të tmerrshëm në Ballkanin Perëndimor. NATO intervenoi dhe Kosova u çlirua.

Një milion njerëz të dëbuar nga vendlindja e tyre u kthyen. Ata u kthyen nga kampe refugjatësh për të gjetur eshtrat e pjesëtarëve të familjeve të tyre në varreza masive, shtëpitë e djegura me themel dhe jetesë të shkatërruar. Qeveria e Serbisë tentoi t’i fshihte gjurmët e krimeve të tyre. Me mijëra trupa u varrosën fshehurazi, disa prej të cilëve edhe në largësi prej 600 kilometrash. Tribunali i Hagës për krime lufte provoi pas më të voglin dyshim se i tërë aparati shtetëror serb, nga varrmihësit e deri tek gjeneralët më të lartë dhe presidentët, ka qenë i përfshirë në një krim të organizuar për të çrrënjosur popullatën shqiptare të Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, jo gjithçka shkoi siç kishim shpresuar. Fillimisht ia dolëm të çmilitarizonim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por disa individë me gjasë u përfshinë në sulme kriminale ndaj pakicave të mbetura. Shumë serbë u sulmuan pas luftës, ose si shenjë hakmarrjeje ose për përfitime financiare. Këto krime individuale të kryera nga disa kosovarë ishin të tmerrshme dhe ne i dënojmë ato. Por armiqtë tanë pretendonin se këto akte të izoluara moralisht ishin të barabarta me gjenocidin masiv të lansuar nga qeveria serbe kundër popullit tonë. Kjo është fyese. I kam dënuar ato veprime të kryera nga kosovarët, dhe tani e kemi Gjykatën Speciale për t’i ndarë veprimet nga ish-pjesëtarët e ushtrisë sonë çlirimtare nga këta individë.

Asnjë kosovar, duke më përfshirë edhe mua, nuk do të qëndrojë i heshtur dhe të lejojë që Gjykata jonë Speciale të barazojë veprimet e Sllobodan Millosheviqit, i ashtuquajturi “Kasap i Ballkanit”, me veprimet e disa individëve të dëshpëruar apo kriminelë të kryera gjatë apo pas luftës. Lufta e Serbisë kundër Kosovës është kryer me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paramilitare dhe e përkrahur nga intelektualët serbë. Ka qenë fashizëm i pastër. Ne në Kosovë nuk do të lejojmë që historia të rishkruhet për të turbulluar dallimet mes gjuetarit dhe presë. Do të mbrojmë legjitimitetin dhe trashëgiminë e luftës sonë të pastër dhe lirinë e pavarësinë Kosovës.

Jemi krenarë me çlirimtarët tanë dhe sakrificat që i kemi bërë për të arritur pavarësinë tonë. Jemi krenarë me trimat dhe trimëreshat tona që shërbyen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lëvizja çlirimtare nuk i ka takuar një individi, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk kemi asgjë për të fshehur. Nuk kemi arsye për t’u frikësuar. Kosova do të bashkëpunojë plotësisht me hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë në proceset gjyqësore që na presin. Do të bëjmë të pamundurën që të sigurojmë se drejtësia do të vijë dhe Kosova të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë në institucionet dhe vlerat e civilizimit perëndimor. Botës ia jap fjalën time, të qeverisë sonë dhe të popullit tonë. Kosova, me të gjitha sfidat që e presin, është dhe do të jetë histori e suksesit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: