PRISHTINE– Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për prestigjiozen amerikane “The Wall Street Journal” deklaroi se ka kaluar koha e dominimit në Ballkan.

Thaçi për WSJ-në pohoi se çdo pretendim nga çdokush për ta prezantuar veten si një superfuqi në rajon, është i gabuar. “Sidomos nëse ky pretendim përfshin avionët rusë”, ka thënë Thaçi për WSJ-në.
Presidenti Thaçi në këtë intervistë ka thënë se asnjë vend nuk është lider i rajonit. “Kjo është arsyeja pse Serbia i ka humbur të gjitha luftërat që i kishte filluar”, ka thënë Thaçi. Në këtë intervistë për gazetën amerikane me ndikimin më të madh në botë, Thaçi ka thënë se bota dhe Evropa po ndryshojnë. Sipas tij, nuk mund të mohohet fakti se demokracitë liberale janë lënduar.

“Të drejtat e njeriut si vlerë janë lënduar, si dhe vetë demokracia. Kjo është arsyeja pse ne e shohim një rritje në ideologjitë nacionaliste dhe autoritare”, tha Thaçi. Presidenti Thaçi shtoi se është punë e Beogradit “nëse ata duan të bëhen një bazë e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por mendoj se qytetarët e Serbisë duan një perspektivë evropiane, e jo të jenë një faktor destabilizues në rajon, ashtu siç ishin më parë”. Gazeta prestigjioze amerikane shkruan se shteti më i ri i Evropës bart disa plagë të dukshme nga gjakderdhjet etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe që detyruan administratën e Clintonit dhe NATO-n që ta bombardojë Serbinë në vitin 1999, derisa Sllobodan Millosheviçi ndaloi me shtypjen e shqiptarëve dhe largimin e tij nga Kosova.

Megjithatë, sipas presidenti Thaçi, Kosova dhe Serbia janë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: