Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se takimi i sotëm me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, në Uashington, do të shënojë fazë të re të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Thaçi tha se në takimin me Mike Pence do ta kërkojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë do të kem takim në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin Pence nga i cili do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe procesin e integrimeve euroatlantike”, tha Thaçi në një intervistë për televizionin publik.

Presidenti Thaçi foli edhe për takimin që ka pasur me Papa Françeskun, me të cilin ka diskutuar për Kosovën dhe rajonin. “Unë i kërkova Papa Franceskut që Vatikani ta njohë Kosovën”.

Thaçi bëri me dije se ka ftuar Papën që të vizitojë Kosovën. Ai tha se ka marrë mbështetje nga Vatikani për të pasur paqe dhe bashkëpunim të Kosovës me vendet e rajonit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb