*BERZH mund të anuloje HEC-in në Maqedoni

Më shumë dihet për lumenjtë në Amazon sesa rrugët e reja ujore të Evropës në Ballkan. Por këto ekosisteme unike në Evropën juglindore, së shpejti mund të harrohen, së bashku me specie që janë të rrezikuara, si Rrëqebulli i Ballkanit, nëse planet për mbi 2000 diga që planifikohen të ngrihen, realizohen.

Gazeta prestigjoze britanike “The Guardian”, në një shkrim të gjatë investigativ, ngre alarmin se ndërtimi i mijëra hidrocentraleve po vë në rrezik lumenjtë e Ballkanit dhe ekosistemet përreth tyre. Sipas “The Guardian”, në vitet e fundit institucionet financiare të Perëndimit kanë financuar miliona dollarë për ndërtimin e digave në Ballkan, kjo si një ndihmesë për të nxjerrë rajonin nga kriza energjitike. Por, “The Guardian” ka mësuar se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është në prag të anulimit një projekti rreth 65 milion Euro në parkun kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, pas kritikave te shpeshta nga ambientalistët përqëndruar në zhdukjen e mundshme të rrëqebullit të Ballkanit. Në artikull gazeta britanike i kushton një hapësirë të gjerë Shqipërisë, ku janë ndërtuar ose janë në proces ndërtimi qindra hidrocentrale, madje dhe në zona apo parqe të mbrojtura.

“Në lumin e Vjosës po tentohet të ndërtohen 8 diga nga kompani të huaja. Qeveria shqiptare po përpiqet në mënyrë private t’i rezistojë këtyre tentativave”, shkruan ajo, duke cituar kryeministrin Edi Rama të thotë se, në 6 muajt e parë të detyrës nuk kalonte ditë në zyrën e tij pa marrë një telefonatë nga kompani shqiptare, europiane apo amerikane që kërkonin të ndërtonin hidrocentrale në Shqipëri. “Në Kalivac, një digë arriti në stad të avancuar para se polemikat të ndalnin progresin e saj, duke lënë pas një kaba të madhe betoni në brigjet e lumit”, shkruan gazeta, duke cituar edhe specialistë të zonës të thonë se projekti i HEC-it të Kalivacit ka shpyllëzuar 56 hektarë dhe se ndërtimi i tij mund të shndërrohet në një kërcënim për gjithë rajonin.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb