Gazeta e njohur britanike “The Guardian” e ka renditur Shqipërinë ndërmjet 20 vendeve ku mund të zhvillohet turizmi i udhëtimeve të aventurës.

“Ylli i Shqipërisë është në rritje, me më shumë udhëtarë që çdo vit dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e saj, siç janë Alpet në veri dhe plazhet e bukura të bardha të jugut”, shkruan The Guardian.

Gazeta britanike thekson se “agjencia e udhëtimeve ‘Frontiers Wild’ sugjeron dy aventura të reja për grupet turistike, nga një në çdo skaj të vendit. Në paketën tetëditore në jug të vendit, ecjet përgjatë bregdetit dhe shtigjeve malore e çon grupin drejt Rivierës Shqiptare, qyteteve otomane dhe parkut kombëtar të Butrintit”.

Ndër vendet e tjera që “The Guardian” përmend janë edhe Greqia, Bullgaria, Ishujt Azore, Suedia, Majorka, Britania e Madhe, Kuba, SHBA, Italia, Spanja, etj.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. Në stinën e verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

https://www.theguardian.com/travel/2018/jan/20/20-best-adventure-travel-challenges-for-2018-cycling-hikes-marathons

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb