Marrëdhëniet mes kryeministrit, Edi Rama dhe deputetit socialist, Erjon Braçe kanë pësuar një krisje të madhe.

Kjo u reflektua jo vetëm me faktin se ai shkoi të shtunën pasdite në Parlament vetëm për votimin e Gramoz Ruçit por dhe për faktin se ai bojkotoi fjalën e kryeministrit, Edi Rama gjatë prezantimit të programit të qeverisë.

Së fundmi Braçe ka tërhequr sërish vëmendjen duke braktisur seancën plenare gjatë debatit maratonë të zhvilluar për programin e ri të kabinetit “Rama 2”, raporton “BalkanWeb”.

Mungesa e tij ra qartësisht në sy për faktin se Braçe edhe si kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë njihet si një ndër ekspertët më të mirë të fushës në rradhët e mazhorancës, ndaj dhe me të drejtë është cilësuar si “debatuesi i madh ekonomik i PS”. Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi të bëhej pjesë e debatit duke preferuar të shkonte në seancë vetëm për të votuar programin.

Shumë pikëpyetje ngre ky bojkot i Braçes ndaj qeverisë “Rama 2”. Bëhet fjalë për një qejfmbetje për faktin se ndryshe nga sa u përfol ai nuk u bë ministër në kabinetin e ri? Apo se programi i qeverisë ka qenë aq i dobët, sa Braçe nuk pati kurajon ta mbronte para Kuvendit? Pikëpyetje në fakt për të cilat vetëm Erjon Braçe mund të përgjigjet me garanci të plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb