Nga Klodiana LALA
TIRANE– Thellohet edhe më tej skandali me radarët e vëzhgimit në det. Një ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako denoncoi mosfunksionimin e radarëve, gjë që sipas tij pengonte punën e policisë; por menjëherë ka reaguar Ministria e Mbrojtjes e cila e përgënjeshtroi këtë fakt.

Por sot, “BalkanWeb” ka siguruar një letër që ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj i ka dërguar ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ai thotë se sistemi i radarëve ka shfaqur probleme, gjë që sipas tij ka vështirësuar punën e policisë, duke bërë që operacionet kundër trafikimit të lëndëve narkotike të mos realizohen.
LETRA
“Sistemi i radarëve ka shfaqur probleme. Kjo situatë vështirëson punën e policisë. Radarët nuk iu përgjigjen nevojave operacionale, pasi nuk vëzhgojnë të gjithë hapësirën. Krijohen kënde që shfrytëzohen nga trafikantë. Radarët nuk detektojnë mjetet dhe njerëzit. Parametrat e sistemit janë larg atyre që kërkohen. Nuk ka kamera të integrueshme që afrojnë objektet. Duhen marrë masa që të përmirësohen parametrat e sistemit”, shkruan ndër të tjera ministri Demiraj në letrën e siguruar nga “BalkanWeb”.

Sakaq, Demiraj në letër parashtron një rast vërtet shqetësues, ku sipas tij sinjali i radarëve është fikur në mes të një operacioni antidrogë të policisë.

Teksa shkruan për një operacion të dështuar, ministri thotë: “Më 7 gusht 2017 morëm informacion për një gomone. Por sinjali i radarit u fik në mes të operacionit . Inxhinieri i kompanisë fiku sinjalin e radarëve. Ka dyshime, se sinjali u fik qëllimisht. Përvec problematikës së vazhdueshme të sistemit edhe menaxhuesit dhe punonjësit e kompanisë, kanë shkaktuar shqetësimë deri në heqjen e sinjalit gjatë operacioneve në hapësirën detare. Rasti më flagrant ishte ai I datës 7 gusht 2017, kur nga kjo qendër nuk u dha informacion për një mjet lundrues që po leëvizte me shpejtësi përballë derdhjes së lumit Shkumbim. Në lidhje me këtë operacion nga ana jonë u organizua një operacion i përbashkët mes forcave policore shqiptare, si dhe u njoftua pala e malazeze. Në kulmin e këtij operacioni, u ndërpre sinjali I sistemit në qendër dhe sipas informacioneve të marra, ndërprerja u bë nga inxhinieri I firmës mirëmbajtëse, me pretendimin se në se në hapësirën detare ishin shfaqur disa objektiva fallco”, – shkruan Demiraj në letrën drejtuar Kodhelit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb