TIRANE- Prof. Dr. Aleks Luarasi, themeluesi i Universitetit ‘Luarasi’ vjen sot në një rrëfim për jetën, që nga studimet e tij për Juridik, deri tek hapja e një institucioni privat arsimor në Shqipëri. Në një intervistë për emisionin ‘Studio e Hapur’ në “News24”, Luarasi tregon se si e bëri realitet dëshirën që e kishte shoqëruar prej shumë kohësh, duke ndërtuar në vitin 2000, Universitetin ‘Luarasi”.

Profesori u ndal edhe tek situata politike në vend, ndërsa theksoi se Shqipëria ‘vuan’ tranzicionin e gjatë prej vitesh. Themeluesi i ‘Luarasit’ nuk kurseu mes të tjerash as qëndrimet e tij kritike për politikën shqiptare, që sipas tij merren me debate boshe në Kuvend kur populli ka shumë probleme, shkruan ‘BalkanWeb’.

INTERVISTA
Si janë fillimet tuaja? Ku keni studiuar?
Kam mbaruar fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

I kuptonit kufizimet e kohës së komunizmit?
I kuptonim këto kufizime, por nuk mund të flisnim. Viti shkollor u shkurta ndjeshëm. Kufizimet ndiheshin ë përdorimin e literaturës. Kohën e madhe e kalonim tek Biblioteka Kombëtare. Të pyesnin dhe për librat, se pse na duheshin. “Po ç’të duhet?”. Kjo ishte pyetja.

Çfarë ishte e mirë për akademikun në atë kohë?
Kishte disa të mira. Universiteti kishte disiplinë të fortë. Nuk kishte shumë studentë. Dega e Drejtësisë ishte e preferuar. Kur unë isha student, 17 kanë qenë në këtë kurs. Më pas u rrit numri. Dilnin aq jurist sa kishte nevojë. Ministria e Arsimit shpërndante kuotat dhe ia shpërndante rretheve.

Çfarë kujtoni nga studentët tuaj që fituan të drejtën e studimit dhe sot janë dikushi. Mund të na thoni një emër?
Po, për shembull Fatmir Xhafaj. Unë i mbaj mend studentët e mi, kanë qenë të mirë.

Ka një emër që i ka kaluar pritshmëritë tuaja?
Studentët dallohen që në bankat e shkollës, nga shumë forma. Nëse janë të mirë në shkollë, janë edhe në jetë.

Si kaloi stafeta nga ai brez, tek brezi juaj?
U bë në mënyrë natyrale. Ata dolën në pension, punuan aq sa kishin mundësi. Ne ishim një brez që u përgatitëm për ndryshimin, ndaj edhe u aktivizuam për kontributin tonë. Nuk e përfytyronim kurrë se do ishte kaq i vështirë ky tranzicion. Dhe akoma nuk ka mbaruar kjo fazë.

Pse nuk ka mbaruar?
Shqipëria është në prag të disa reformave shumë të rëndësishme. Ekonomia nuk ka ecur me ritmet që prisnim ne. Këto kthesat dramatike kanë edhe vegime. Njerëzit ngaqë e duan shumë dhe shpresojnë shumë, e mendojnë si të arritshme lehtë, por nuk qenka ashtu.

Pas viteve 90 keni qenë profesor dhe përfaqësuesi i parë i Komisionit të Venecias. Çfarë kujtoni si momente të rëndësishme?
Do ndaja një kujtim pak më tokësor. Ngaqë ne nuk kishim dalë, ishte hera e parë. Unë udhëtova me traget deri në Trieste dhe më pas do merrja trenin. Aty kishte shqiptarë dhe ata rrinin ulur këmbëkryq dhe shumë të lirshëm. Kemi udhëtuar natën deri në Venecia. Kur u ngrita në mëngjes, ishte një ditë më shi dhe ujërat përplaseshin me kanalet, unë isha i trishtuar. Sa gjeta hotelin, u akomodova. Më pas shkova në mbledhje, Shqipëria ishte mes vendeve të para, pasi ishte me A dhe unë duhet të flisja i pari. Nuk ishim mësuar, pasi as tematikën se dinim. Më pas u ambientova. Atje nuk kishte sherre, ka mënyra të ndryshme qytetarie për të zgjidhur gjërat.

A i njihnin problematikat tona anëtarët e Komisionit të Venecias?
Po i njihnin. Kishin qenë në Shqipëri. Ata e dinin predispozicionin tonë për t’ju bashkuar Europës. Por ata pyesnin, nëse do të pranonim ne që të na cënohej edhe sovraniteti. Këto gjëra i dinin shumë mirë, pasi ne na dukej shumë çudi. Sjellja e autoriteteve italiane kishte një respekt të madh ndaj sovraniteti të BE-së. Ishte shumë e lehtë për ta kuptuar, por e vështirë për ta arritur.
Ajo që dua të them është se duhet të përmbushim më mirë dhe më shpejt ato ekzigjencat që ka pjesëmarrja në këtë forum. Përfaqësuesit tanë kur shkojë në këto forume bëjnë debate me njëri tjetrin. Fakti që bëjnë debate dhe e shajnë Shqipërinë, e ulin figurën e saj në sytë e tyre, s’më pëlqen.

Ju thatë se kemi një tranzicion pa mbarim. A e shikoni përgjegjëse politikën shqiptare për këtë tranzicion?
Është përgjegjësi kryesor. Politika nuk është treguar aq e përgjegjshme për të marrë hallet e popullit dhe për t’ja vënë vetes. I ka dhënë më shumë hapësirë debatit bosh në Parlament. Por duhet më përgjegjësi për popullin që e ka me shumë halle të së shkuarës dhe të tashmes.

Në vitin 2000 profesor Luarasi ndërmerr një sfidë të vështirë për kohën dhe hap një Universitet, universiteti “Luarasi”. Mund të na kujtoni të gjitha rrethanat se si e ndërmorët këtë iniciativë…
Unë kam lindur në Luaras të Kolonjës. Për të rinjtë kanë shumë rëndësi modelet. Modeli i formimit tim në këto mjedise, ishte i këtyre patriotëve të mëdhenj, siç ishte Petro Nini Luarasi. Këto modele më kanë ndjekur gjithë jetën dhe që në kohën e monizmit kisha një dëshirë të brendshme për të çelur një shkollë private. Ato ishin iluzione dhe s’ma merrte mendja se kjo do të vinte një ditë dhe të bëhej realitet. Kur doli legjislacioni përkatës, kur Gramoz Pashko çeli universitetin, mua mu bë qejfi dhe përgatita dokumentacionin dhe mora licencën në Ministrinë e Arsimit. Para se të hapja shkollën kisha hapur shtëpinë e Botimit ‘Luarasi’. Të rinjtë ndikohen shumë nga modelet dhe shpesh herë i frymëzojnë për të bërë punë të mëdha.

Çfarë vështirësie hasët në atë periudhë?
Unë bëra disa reforma, meqë kisha punuar edhe në fakultetin e Drejtësie. Atë e njihja në detaje. Në këtë projekt që përgatita parashikova që të ndërtoja një model solid për degën e Juridikut. Pranova si fillim 160 studentë. Dhe thashë unë do të pranoj me mesataren mbi 8. Edhe pse kanë ardhur dhe kanë qarë, nuk i kam pranuar.

Ju ishit dhe në ceremoninë e diplomimit, çfarë mesazhi keni për këtë Universitet?
Universiteti i ka ruajtur standardet dhe kodin moral dhe ka bërë hapa përpara shumë të rëndësishëm. Janë hapur degë të reja. Unë kam qenë në rolin e këshilltarit dhe nuk i kam shkëputur lidhjet. Më është ofruar edhe një detyrë si kryetar i bordit të administrimit, institucion i rëndësishëm. Kam marrëdhënie shumë të mira me rektorin e Luarasit, është kolegu im, është shume i talentuar. Kjo shkollë do të ecë shumë përpara.

Ti do më pyesësh si është e mundur që e le Universitetin që e themelove me dashuri?
E lashë kur u bëra 70 vjeç dhe dola në pension. Ua këshilloj gjithë 70-vjeçarëve, vjen një moshë që njeriu duhet të tërhiqet. Në rastin e shkollës ndoqa një rrugë, emri i një institucioni jeton më gjatë se njeriu. Themeluesi ka qenë një, universitetin e Gjenevës e ka themeluar Kalvini, Oxfordi është themeluar herët por nuk dihet themeluesi. Bologna është më i vjetri në botë dhe kështu me radhë. Universiteti i Virginias është themeluar nga një nga etërit e Amerikës, Jefferson, një nga hartuesit kryesorë të deklaratës së pavarësisë. Pra, themeluesi është një, ai jeton jetën e vet, institucioni vazhdon jetën e vetë.

Rëndësi ka që jeni i kënaqur në duart ku e keni lënë..
Jam shumë i kënaqur dhe rruga është e gjatë.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb