TIRANE– I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘News24’ themeluesi i Universitetit ‘Luarasi’ Prof. Dr. Aleks Luarasi ka folur ndër të tjera dhe për ligjin e arsimit të lartë. Luarasi tha se ekziston një pikëpamje sikur ligji mbështet universitetet private, por kjo nuk është e vërtetë.

“Ka debate të mëdha. Unë e njoh ligjin dhe doja të thoja që ligji nuk është kaq i ashpër sa janë debatet dhe debatet ne i bëjmë pak të nxehta. Thelbi për ligjin e lartë është reformimi i arsimit të lartë në tërësi. Si në aspektin e akreditimit dhe të financimit. Ekziston një pikëpamje sikur ligji mbështet universitetet private, pra lekët e shtetit shkojnë tek privati. Jo nuk është kështu. Ky është një debat që është nxitur nga disa njerëz që nuk e kuptojnë ligjin. Shpesh nga ky debat janë nxitur edhe studentët”- tha profesor Aleks Luarasi.

Ndërkohë sa i përket tregut të universiteteve, Aleks Luarasi tha se ky treg është i pabarabartë dhe nga ligji për arsimin e lartë është më i favorizuar Universiteti publik.

“Ky treg është i pabarabartë. Universiteti publik është më i favorizuar se kanë ndërtesat etj. Iniciativa private pranohet kudo, kurse në fushën e arsimit shikohet pak ndryshe. Quhet kulak. Si në atë kohë. Kur hartuam rregulloren e parë, donin që universitetet private të përjashtoheshin. Ligji ruan dallimin midis universiteteve publike dhe private. Ligji mbështet studentin. Pra i jep një paketë me para dhe i thotë përdore ku të duash. Kjo reformë ka për qëllim ta reformojë universitetin publik”- tha profesori.

Themeluesi i Universitetit ‘Luarasi’ tha se nuk duhet të ketë arsim falas, por duhet të ketë mbështetje për studentët në nevojë.

“Nuk duhet të ketë arsim falas. Ashtu thuhej në komunizëm. Universitetet asgjëkundi nuk janë falas, por duhet të ndihmojnë studentët nevojtarë”- tha Aleks Luarasi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: