VLORË- Policia e Vlorës po heton në dy pista në lidhje me vrasjen e 22-vjeçarit Armando Rrapaj në Vlorë. Një prej tyre është ajo e një borxhi që viktima ua kishte vëllezërve Klevis e Novruz Merkaj, ndërsa tjetra ajo për një lidhje dashurie.

Mësohet se vajza e njerkut të dy vëllezërve Merkaj kishte një lidhje dashurie me një djalë që ishte në burg. Dy vëllezërit ishin kundër kësaj lidhje dhe për të shkëputur “motrën” e tyre janë takuar me kushëririn e të dashurit të saj, 22-vjeçarin Armando Rrapaj, në mënyrë që ai të ndërhynte për të prishur lidhjen apo edhe për t’i dhënë një mesazh pretendentit për dhëndërr. Por me sa duket Rrapaj nuk ka pranuar dhe konflikti ka përshkallëzuar duke bërë që vëllezërit Merkaj të qëllojnë me thikë mbi 22-vjeçari që ndërroi jetë në spital.

Pista tjetër ku po heton policia është ajo e borxhit. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Enrik Mehmeti për BalkanWeb, viktima kishte qëndruar gjatë gjithë paradites së sotme deri në momentin e vrasjes me Klevis Merkaj.

Pasi nuk janë marrë vesh, Klevis Merkaj është konfliktuar verbalisht me viktimën, pohuan burime për BalkanWeb, ndërsa më pas është futur edhe vëllai tjetër Novruzi. Nga dëshmitarët është pohuar se Armando Rrapaj ka goditur me gurë Klevis Merkaj dhe më pas është futur në sherr edhe vëllai i tij Novruzi.

Sherri është përshkallëzuar në përdorimin e armëve të ftohta dhe Armando Rrapaj është qëlluar me thikë, e cila i ka prekur zemrën. Ndërkaq burime nga spitali i Vlorës thanë se mjekët nuk kanë arritur dot t’i mbyllnin plagët në zemër dhe 32-vjeçari ka humbur jetën për shkak të hemorragjisë.

Policia arrestoi fillimisht Klevis Merkajn, 27 vjeç dhe rreth 4 orë pas ngjarjes vëllain e tij, Novrus Merkaj. Gjithsesi policia po heton edhe në pista të tjera për të zbardhur vrasjen e 22-vjeçarit Rrapaj.

ÇFARË THOTË POLICIA
Rreth orës 13:45, ka ndodhur një konflikt midis 3 personave për motive të dobëta, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë !

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka konstatuar se në lagjen “Partizani” pranë rrugës së spitalit, për motive të dobëta është plagosur me mjet prerës shtetasi A.RR., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili u dërgua në Spitalit Rajonal Vlorë dhe ndërroi jetë disa minuta më vonë në ambientet e tyre.

Policia ka bërë të mundur identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt, dy vëllezërit K.M dhe N.M, ku njëri është arrestuar ndërsa tjetri në kërkim.

Shtetasi K.M., 27 vjeç, është arrestuar në flagrancë nga Policia. Ndërsa shtetasi N.M, 20 vjeç, ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, por po punohet për kapjen dhe arrestimin e tij. Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb