SHBA– Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, thotë se dhuna kundër rohingave në Mianmar përmbush përkufizimin si spastrim etnik. Në një deklaratë dje, shefi i diplomacisë amerikane tha se pas një analize të kujdesshme të fakteve, del qartë se situata në shtetin Rakhine dëshmon për spastrim etnik kundër rohingave.

Shtetet e Bashkuara dolën dje me qëndrim të ri, më të ashpër ndaj Mianmarit, duke akuzuar forcat e sigurisë në vend se kanë kryer “abuzime të tmerrshme” kundër rohingave, të cilat përputhen me përkufizimin për spastrim etnik të kësaj pakice myslimane.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson nxori një deklaratë, që përfaqëson dënimin më të ashpër që Shtetet e Bashkuara i kanë bërë fushatës ushtarake kundër rohingave.

“Asnjë provokim nuk i justifikon masakrat dhe aktet e tmerrshme që pasuan,” shprehet zoti Tillerson, duke shtuar se kjo fushatë abuzimesh ka shkaktuar vuajtje të rënda dhe ka detyruar qindra mijëra rohinga të braktisin shtëpitë.

Në deklaratën e tij, Sekretari i Shtetit thotë se personat që kryen abuzimet duhet të mbahen përgjegjës.

Përllogaritet se që nga muaji gusht mbi 600 mijë rohinga janë larguar nga Birmania.

Në disa raste rohingat largohen nga frika e abuzimeve seksuale.

Ushtria e Mianmarit ka hedhur poshtë akuzat se ushtarët e saj kanë djegur fshatra e kanë përdhunuar gra nga komuniteti rohinga në shtetin Rakhine, epiqendra e dhunës ku sipas Kombeve të Bashkuara është regjistruar një rast klasik i spastrimit etnik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: