Tirana ia ka arritur të mposhtë Kukësin në Superkupë me një gol të vonshëm të mbrojtësit Erion Hoxhallari.

Bardheblutë e nisën mjaft mirë takimin por rastet e shumta në pjesën e parë nuk mundën t’i konkretizonin me gol. Në minutën e 28-të puna iu lehtësuar djemve të Ze Marias pasi mbrojtësi i verilindorëve, Yllli Shameti, u largua me karton të kuq.

Pjesa e dytë kishte të njëjtën ‘muzikë’, Tirana dominuese absolute e takimit por goli ende nuk po vinte. Gjithsesi Erio Hoxhallari në minutën e 90-të lëshoi një goditje vdekjeprurëse nga 25 metra duke lënë të shtangur portierin Koliçin. 0-1 për Tiranën dhe Superkupa iu takon bardhebluve.

Minutë pas Minute

90’+3′ Mbyllet ndeshja me suksesin në ekstrem të Tiranës që fiton Superkupën e Shqipërisë.

90’+1′ I kuq edhe për Turtullin, pas dy të verdhave.

90’ Supergol i Hoxhallarit, që i jep avantazhin bardhebluve në minutën e fundit. Gjuajtje e pakapshme nga 25 metra, që përfundon pas krahëve të Koliçit. 0-1.

87’ Karabeci gjuan në ecje e sipër në hyrje të zonës, Koliçi përgjigjet me një grushtim vendimtar, ndërsa më pas Halili gjuan drejt katërkëndorit të kuksianëve. Goditja e tij është shumë e lehtë dhe Koliçi ndal sferën duke i dhënë pak qetësi skuadrës.

84’ Në lojë edhe Halili për Tiranën, pasi Ze Maria po mundohet të mbyllë ndeshjen para shtesës. Doka prodhon një harkim të rrezikshëm drejt qendrës, por Ngoo nuk arrin të devijojë drejt portës.

80’ Goditje këndi për Tiranën, topi te Ngoo i cili gjuan shumë pranë portierit, duke detyruar këtë të fundit të bëjë grushtimin e radhës.

78’ Vazhdon dominimi absolut i Tiranës në fushë. Këtë radhë është Doka që provon reflekset e Koliçit me një gjuajtje nga e djathta. Portieri, si zakonisht, është i vëmendshëm.

75’ Një tjetër ndërhyrje e shkëlqyer e Koliçit. Këtë radhë portieri grushton gjuajtjen e Ngoo, ndërsa më pas Sentamu nuk shtyn topin në rrjetën e boshatisur edhe falë ndërhyrjes së Hallaçit.

72′ Në lojë edhe Ngoo për Tiranën, në vend të Grecës.

68’ Rasti më i mirë për Kukësin, Guri shfaqet në një pozicion të volitshëm dhe gjuan me të djathtën, por nuk gjen kuadratin. Dëshpërim për sulmuesin por edhe për trajnerin Milinkoviç që po bëhej gati të festonte golin.

65’ I verdhë edhe për Bakajn, vazhdon ndeshja me faulle shumë të rëndë.

64’ Një goditje nga jashtë zonës devijohet para Koliçit dhe përfundon rrezikshëm jashtë, në krahun tjetër nga ishte hedhur portieri.

63’ Hoxhallari lëshon një predhë drejt zonës në goditje dënimi, Koliçi fluturon dhe i mohon golin.

62’ Doka e fillon me ritëm. Brenda pak sekondash arrin të krijojë një rast të rrezikshëm duke i vjedhur topin Shtubinës e më pas fiton një faull në një zonë interesante.

59′ Në lojë edhe Doka, i cili zë vendin e Çelhakës në rreshtim.

54’ Hoxhallari mundohet të gjejë golin me një gjuajtje nga distanca, Koliçi është përsëri shumë i vëmendshëm dhe grushton.

53’ Tjetër dalje e sigurt e Koliçit, i cili i mohon Sentamu gëzimin e golit me një dalje vendimtare duke rrëshqitur para këmbëve të tij.

49’ Dy goditje këndi radhazi për ekipin e Kukësit, por asnjë rrezik për portën e Likës, pasi mbrojtja largon në çdo rast.

46’ Milinkoviç nuk pret shumë për të bërë ndërrimin e parë. Alijev nuk zbret në fushë në pjesën e dytë, pasi vendin e tij në lojë e zë Krkotiç.

45’+2’ Pjesa e parë mbyllet me Kukësin në sulm dhe me një goditje dënimi nga e djathta të Bakajt që nuk gjen asnjë nga shokët e skuadrës në zonë.

44’ Maveje gjen Sentamun në zonë. Sulmuesi lëviz në diagonale për të shmangur Koliçin, por portieri i bllokon rrezen dhe nuk e lë të gjuajë në portë.

41’ Tjetër harkim i Kërçikut në të djathtë, i pandalshëm sot. Greca nuk arrin të devijojë sferën në rrjetë, ndonëse pak hapa para portës.

38′ Edhe Hoxhallari mes të ndëshkuarve me të verdhë, tensionohet ndeshja.

34′ Karton i verdhë edhe për Uellsion, për një faull në mesfushë.

33’ Aksion tjetër nga e djathta e Tiranës, topi në qendër te Greca dhe Çelhaka që nuk arrijnë të shtyjnë sferën në rrjetë. Rast i pabesueshëm ai i humbur nga Tirana.

30’ Sentamu gjuan në pozicion ballor, topi kalon mbi traversë.

28’ Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, Shameti bën faull ndaj Grecës dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. I kuq për liderin e prapavijës së Kukësit që lë skuadrën me 10 lojtarë.

25′ Shumë faulle në këto minuta. Në bllokun e shënimeve të gjyqtarit Xhaja përfundojnë edhe Çelhaka me Shametin të cilët ndëshkohen me të verdhë.

17’ Aksion model i Tiranës në krahun e djathtë me një pasim të saktë të Kërçikut që gjen Dajën në zonë, por devijimi i mesfushorit prek vetëm rrjetën e jashtme të Koliçit.

15’ Maveje gjen hapësira në krahun e majtë dhe pasi merr mbrojtjen me vete, pason në qendër. Por askush nuk kupton idenë e tij dhe shpërdorohet mundësia e radhës për të shënuar ndaj mbrojtjes së Kukësit që duket shumë e përgjumur.

13’ Tjetër aksion nga e djathte i bardhebluve, topi në qendër ku mbrojtja e kampionëve largon në vështirësi, ndërsa me pas Çelhaka nuk arrin të godasë edhe pse në një pozicion mjaft të mirë ballor, duke shpërdoruar një tjetër rast para katërkëndorit.

11’ Zgjohet edhe Kukësi, me Bakajn që provon nga e djathta me një gjuajtje të fortë, e cila prek vetëm rrjetën e jashtme të Likës.

9’ Tjetër aksion i rrezikshëm nga e djathta për Tiranën, topi harkohet në shtyllën e dytë për Çelhakën, i cili gabon para Koliçit, duke dërguar topin jashtë edhe pse i vetëm para portës.

7′ Sentamu shkëputet në krahun e djathtë dhe detyron Hoxhën të ndërhyjë në mënyrë të parregullt që ta ndalë për të mos shkuar në portë. Karton i verdhë për mbrojtësin e Kukësit.

5’ Karabeci harkon në zonë në goditje dënimi mjaft interesante, Koliçi grushton topin duke larguar rrezikun, ndërsa Turtulli zihet në pozicion jashtë loje.

1’ Menjëherë Alijev përfiton nga pasiguria në krahun e djathtë të mbrojtjes së Tiranës, duke provuar të gjuajë fluturimthi por nuk godet sferën dhe rrëzohet duke shpërdoruar një mundësi të mirë shënimi që në sekondat e parë të lojës.

1’ Fillon ndeshja me shkelmimin e parë të topit nga Tirana.

Kukësi-Tirana 19:00

Kukësi: Koliçi, Shameti, Hoxha, Hallaçi, Rrumbullaku, Zeqiri, Musolli, Shtubina, Bakaj, Guri, Alijev.

Trajner: Mlladen Milinkoviç

Tirana: Lika, Uellison, Turtulli, Hoxhallari, Kërçiku, Daja, Karabeci, Maveje, Çelhaka, Greca, Sentamu.

Trajner: Ze Maria

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb