TIRANE- Nën moton “Tirana pa makina”, për 6 ditë me radhë Bashkia e Tiranës do të promovojë dhe ndërgjegjësojë qytetarët e saj që të përdorin më pak mjetet që shkaktojnë ndotjen e mjedisit dhe më shumë biçikletat apo transportin urban. Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai që e lajmëroi i pari nismën, duke deklaruar se mes 17-22 shtatorit do të ketë një sërë aktivitetesh që promovojnë mënyrën e jetesës pa makina. Kjo nismë do të kulmojë në datën 22 shtator, kur bashkia do të bllokojë totalisht trafikun në qendër të Tiranës, brenda asaj që njihet si Unaza e Vogël.

“Në këtë javë sensibilizimi, ku çdo ditë do të organizojmë aktivitete të ndryshme deri në 22 shtator me një qendër pa makina, qytetarët të kuptojnë se për distanca të vogla, më pak se 1 km, nuk ka asnjë arsye pse duhet të përdorin makinën dhe të shkaktojnë ndotjen e qytetit”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se, pranë Bashkisë së Tiranës është vendosur një stacion biçikletash, ndërsa u ka kërkuar zyrtarëve të bashkisë që të përdorin më shumë biçikletat, duke shtuar se kësaj nisme do t’i bashkohen edhe zyrtarët e institucioneve të tjera qendrore. Sipas tij, ndërmarrja e kësaj nisme ishte e nevojshme për shkak të ndikimit negativ që ka sot në jetën e qytetarëve të Tiranës, përdorimi pa kriter i makinave.

“Çdo vit, në qytetin tonë, 500 qytetarë humbasin jetën vetëm nga problemet në mushkëri, që kanë lidhje me ndotjen e ajrit. Kjo është një statistikë që drithëron këdo. Në qytetin tonë, çdo ditë lëvizin 140 mijë makina të cilët bëjnë 800 mijë segmente rrugore. Nga këto 800 mijë segmente rrugore, 400 mijë janë më pak se 1 km. Kjo do të thotë se ka njerëz që e marrin makinën për të shkuar nga kafja në kafe, çka është totalisht e papranueshme”, u shpreh ai. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh skemën e plotë të qarkullimit të automjeteve në datën 22 shtator, ku shumë akse do të jenë të bllokuar për automjetet.

QARKULLIMI I AUTOMJETEVE NË DATËN 22 SHTATOR
 Në kryqëzimin e rrugës “Ded Gjo Luli” me bulevardin “Zogu i I-rë”, drejtim i detyruar djathtas.
 Rruga “Ded Gjo Luli”, me drejtim nga bulevardi “Zogu i I-rë” deri në “Rruga e Durrësit” do të kufizohet vetëm me një sens lëvizjeje.
 Në kryqëzimin e rrugës “Ded Gjo Luli” me “Rruga e Durrësit”, drejtim i detyruar drejt djathtas.
 Në kryqëzimin e “Rruga e Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, drejtim i detyruar djathtas.
 Në kryqëzimi e “Rruga e Kavajës” me rrugën”Dëshmorët e 4 Shkurtit”, drejtim i detyruar djathtas.
 Në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George W Bush”, drejtim i detyruar majtas.
 Ura që lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”, lëvizja emjeteve nga sheshi Nënë Tereza – ura e madhe do të jetë me drejtim majtas.
 Në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”, drejtim i detyruar majtas.
 Mjetet e transportit publik me drejtim sheshin “Skënderbej” nga “Rruga e Dibrës” do të devijohen në rrugën “Urani Pano”.
 Mjetet e transportit publik me drejtim sheshin “Skënderbej” nga “Rruga e Kavajës” dhe “Rruga e Durrësit” do të devijohen në rrugën “Ibrahim Rugova”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: