TIRANË – Një konflikt për çështje pronësie, ka detyruar një qytetar të ngjitet në katin e 6-të të një pallati, nga i cili kërcënoi se do të hidhej. Bëhet fjalë për Ilir Kurtin, i cili kishte hipur në pallatin ku ai jetonte, në Bulevardin ‘Zogu I’ në kryeqytet. Tensionet, të cilat zgjatën për pak minuta, vunë në lëvizje policinë e Tiranës, forcat zjarrfikëse, por dhe ambulancën. Sipas gazetarit Spartak Koka, qytetari mbante në dorë një pankartë.
Në pankartën e tij Kuqi denonconte gjyqatrin Arjan Aliaj dhe një ekspert, për të cilët pretendon se i kanë kërkuar rreth 4 mijë euro për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. “Gjyqtari Arjan Alia dhe Eljan Kote më kërkuan 4000 euro për Ekspertizën e pronës dhe hipoteka është e korruptuar. Kërkoj ndihmë nga Prokuroria.”- shkruante ai në pankartën që mbante në duar. Për zbritjen e 47¬-vjeçarit negocioi bashkëshortja e tij, e motra dhe forcat e policisë.

Në një prononcim për “News24”, e motra e tij deklaroi se ka një proces gjyqësor prej katër vitesh për çështjen e pronësisë, rreth 700 m2 në Tiranë që ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Ajo tha se Ilir Kurti ka harxhuar rreth 70 mijë euro nga gjyqtarët, avokatët dhe ekspertët për pronën dh ese nuk ka gjetur gatishmëri në dhënien e një zgjidhjeje edhe nga hipoteka apo institucionet e tjera të shtetit.

Burime nga policia e Tiranës sqaruan se bëhej fjalë për një konflikt mes 47¬-vjeçarit dhe dajës së tij, për një pronë tek zona e njohur si “Tregu i ri” në Tiranë. Fillimisht Ilir Kuqi pretendon se është mashtruar nga daja i tij për ndërtimin e një pallati, duke i thënë se i duheshin 100 metra katrorë. Pas ndërtimit të objektit, ai konstatoi se i ishin marrë 700 m2. Më pas, palët shkuan në procese gjyqësore. Ndërkohë, gjatë kohës që 47-vjeçari kërcënoi se do të hidhej nga kati i 6 i pallatit, forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse rrethuan zonën, duke vendosur edhe një dyshek poshtë ndërtesës për një hedhje të mundshme të tij.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb