TIRANE –Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur me armë zjarri një ndër filialet e “Union Bank” në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40, në filialin e “Union Bank”, në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë, ku sipas dëshmitarëve, grabitësit kanë arritur të marrin dy thasë të mbushur me para.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se grabitësit kanë vepruar në garazhin e bankës, në momentin e transportimit të parave me automjete të blinduara, dhe pasi kanë kërcënuar me armë drejtuesin e mjetit, kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash. Mësohet se grabitësit kanë qëlluar 3 herë në ajër me armë zjarri dhe janë larguar me njërën nga automjetet shoqëruese të autoblindit që transportonte paratë. Makina tip fuoristradë është gjetur disa minuta pas ngjarjes e braktisur tek shinat e trenit. Krismat kanë alarmuar banorët e zonës, disa prej të cilëve i kanë parë grabitësit dhe po merren në pyetje nga policia.
Makina qe u gjet ne periferi, tek shinat e trenit, Tirane
makina, grabitet union bank
Sipas policisë, ka dyshime që autorët janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, që qëndronin disa metra larg bankës me një tjetër makinë.

Mësohet se ngjarja është filmuar nga dy kamera sigurie. Sipas policisë, kamera e bankës ka pamje të qarta dhe mund të dallohen lehtësisht karakteristikat fizike të grabitësve. Gjithashtu, në rrugë ndodhet një tjetër kamera, që ka filmuar momentin e grabitjes së bankës.

Ndërkohë ekspertë të policisë po punojnë për kapjen e autorëve, ndërsa autoritetet pritet të japin versionin zyrtar për ngjarjen.

Disa vite me parë, e njëjta bankë është grabitur nga disa persona, të cilët tashmë janë dënuar nga drejtësia shqiptare.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb