TIRANË- Një 54-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme pasi gjatë një konflikti me një person tjetër ka përplasur kokën në tokë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Niazi Daci, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Sipas të dhënave, Daci është konfliktuar me 54-vjeçarin Xhavit Xhepa, i cili është përplasur më pas në tokë duke u dëmtuar rëndë në kokë.

Megjithëse Xhepa është dërguar me shpejtësi për në spital, ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Ngjarja ndodhi në rrugën “Princ Vidi”, në kryeqytet në praninë e shumë personave. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka kryer të gjitha hetimet si dhe ka marrë në pyetje disa qytetarë në cilësinë e dëshmitarëve, të cilët kanë zbardhur edhe rrethanat.

Viktima është dërguar në morg ku pritet të kryhet ekspertiza për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, ndërsa policia ka ndaluar si autor të ngjarjes shtetasin Niazi Daci.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb