TIRANË- Një shpërthim ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e sotme. Mësohet se një sasi eksplozivi i është vendosur një automjeti të parkuar, në zonën e stadiumit “Dinamo”, ndërsa ka mbetur i plagosur pronari i makinës i identifikuar si Artan Prenga, 35 vjeç.
JA VIDEO E SHPËRTHIMIT

Prenga mësohet se është pronar i një biznesi pranë vendit ku ka ndodhur shpërthimi dhe është një person i njohur për policinë. Ai ka marrë plagë të shumta dhe ndodhet në Qendrën Spitalore të Traumës në gjendje kritike.

Shpërthimi sipas dëshmitarëve ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar panik në këtë zonë që njihet si zonë me lëvizje të shumta. Gazetari Spartak Koka raportoi se shpërthimi ka ndodhur në orën 22:00, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” ku lidhet me Komunën e Parisit.

Eksplozivi që mendohet se ka qenë i llojit tritol i është vendosur automjetit tip “Benz ML me targa AA 948 AP”. Kanë qenë qytetarët, ata që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar menjëherë vendin e ngjarjes. Nuk dihet ende nëse ka persona të shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve.

ARTUR ÇANI: PASHË NJË PERSON TË SHTRIRË NË TOKË

Gazetari i News24, Artur Çani ka qenë një nga personat e parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas shpërthimit. Ai konfirmoi se automjeti ka qenë i parkuar kur ka shpërthyer dhe se ka parë një person të shtrirë në tokë që bërtiste.

“Pashë një person të shtrirë në tokë, para se të shpërthenin flakët. Isha ndër njerëzit e parë pranë vendit të ngjarjes. Personi bërtiste, kuptohet nga dhimbjet. Makina ishte e parkuar dhe kishte pak flakë poshtë, më pas ndodhi shpërthimi i madh”, tha Cani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: