TIRANË- Emri i biznesmenit të njohur serbo-boshnjak, Damir Fazliç është rikthyer sërish në regjistrat e prokurorisë shqiptare, 8 vite pasi i mbylli llogaritë me drejtësinë shqiptare, e cila e shpalli të pafajshëm për veprën penale të pastrimit të parave.

Burime të “TCH” bëjnë me dije se para 1 jave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dorëzuar një kallëzim pranë njësisë task forcë, në të cilin akuzohet Fazliç për përfitimin e padrejtë të një fondi rreth 2 milione euro.

Sipas burimeve, në raport përmendet një shoqëri e themeluar në Shqipëri në vitin 2005 me ortak dhe zotërues të vetëm serbo-boshnjakun Damir Fazliç.

Përmes kësaj shoqërie, me aktivitet tregtar në fushën e projekteve të zhvillimit urban dhe të ndërtimit, ka dyshime se mund t’i jetë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 2 milionë eurosh, duke ndjekur një skemë mashtrimi me rimbursimet fiktive.

Sipas raportit ka dyshime se kjo skemë është aplikuar gjatë vitit 2011, ndërkohë që nën hetim përveç dyshimeve për mashtrim janë edhe disa punonjës të mëparshëm të Tatimeve. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumentet.

Emri i Fazliç është denoncuar shpesh nga opozita socialiste në atë kohë për përfitime dhe privatizime të paligjshme të pronave në vendin tonë. Në valën e këtyre akuzave, Prokuroria e Tiranës çeli hetimet kryesisht mbi dyshimet e pastrimit të parave.

Megjithëse prokuroria pretendoi se përmes një shoqërie të regjistruar në gjykatë Fazliç kishte kryer transaksion me 1.7 milion euro fitime, kjo kompani u dyshua se nuk kishte kryer asnjë aktivitet në Shqipëri.

Në përfundim të gjykimit u konkludua se Damir Fazliç ishte i pafajshëm me argumentin e mos vërtetimit se ai kishte kryer ndonjë vepër penale në vendin tonë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: