Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Tjetër përballje prestigji në shtator, Shpresat kuqezi miqësore me Italinë

shpresat

Kombëtarja Shpresa e drejtuar nga Alban Bushi muajin shtator do ta ketë të mbushur me duele prestigji. Pas ndeshjes së fundit në grup për eliminatorët e Europianit U-21 kundër Spanjës me datë 6 shtator, kuqezinjtë e vegjël do të udhëtojnë drejt Italisë për t’u përballur me bashkëmoshatarët e tyre në një miqësore, e cila do të luhet me 11 shtator.

Testi është konfirmuar nga Federata Italiane, që saktësoi se mbetet ende për tu vendosur stadiumi dhe ora kur do të zhvillohet ndeshja.

Italia do të jetë edhe skuadra organizatore e Europianit të 21-vjeçarëve në qershor të vitit 2019 dhe për këtë arsye do të shfrytëzojë maksimalisht datat e lira të FIFA-s për tu përgatitur për turneun.

Ajo ndeshje do ti shërbejë edhe Shpresave kuqezi, duke qenë se bëhet fjalë për një datë pa impenjime, me trajnerin Alban Bushi që do të konsolidojë grupin e tij përpara dy sfidave të fundit kualifikuese me Spanjën në shtëpi dhe në transfertë me Estoninë.

Përballja e 11 shtatorit do të jetë ndeshja e gjashtë në histori ndërmjet 21-vjeçarëve shqiptarë dhe atyre italianë. Të kaltërit kanë fituar katër përballje, ndërsa ndeshja e fundit, e luajtur më 10 gusht 2016 në San Benedetto del Tronto përfundoi në barazim pa gola.

(BalkanWeb)