* Banori: Ishin kryesisht të rinj në lokal, kanë pësuar djegie të mëdha
* Dëshmitari: 30 të plagosur, janë shpërfytyruar
POGRADEC- Shpërthimi i një bombole gazi brenda një lokali ka rrezikuar të shkaktojë një tragjedi në Pogradec. Të paktën, 30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të bombolës dhe janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë trajtimin mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Beragozhd në komunën Dardhas në lokalin e shtetasit Dashamir Muçka. Në momentin e ngjarjes në lokal kanë qenë të pranishëm 40 persona dhe 30 prej tyre dyshohet të kenë pësuar lëndime në disa pjesë të trupit.

Kanë qenë banorët e fshatit Beragozhd ata që kanë njoftuar policinë. Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit, ndërsa dy ambulanca kanë bërë të mundur trasportimin e të plagosurve drejt spitalit të Pogradecit.

“Mbi 30 persona, unë bëra transportimin më makinë të personave të djegur. Duhen 15 minuta kohë që të vijë ambulanca, ndaj ne kemi nxituar që t’i sjellim me makina në spital. Ata do të dërgohen në Tiranë, pasi kanë pësuar djegie të mëdha. Kjo është katastrofë. Lokali ishte i mbushur me djem të rinj. Atyre iu ishin djegur të gjitha rrobat”, rrëfen Eltoni, një nga banorët e fshatit Dardhas, i cili nuk ka qenë në lokal në momentin e ngjarjes, por ka bërë transportin me makinë të të plagosurve.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe uniformat e policisë, dhe kanë nisur hetimet për ngjarjet por paraprakisht ngjarja mendohet se ka qenë aksidentale.

Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Pogradecit, 22 të plagosur janë dërguar në QSUT, në repartin e djegies. 6 prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa 2 të plagosur janë në reanimacion. Mësohet se mes tyre është një 14-vjeçar, i cili ka djegie në 50% të trupit.

Të plagosurit janë vizituar nga deputetë të shumtë si dhe kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ministri Beqaj tha se ngjarja është në përmasat e një tragjedie dhe se është marrë çdo masë.

KRYEMINISTRI RAMA VIZITON TË PLAGOSURIT
Ora 22:35-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e QSUT, për të parë nga afër të plagosurit. Mësohet se ai shoqërohet nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Për disa minuta Rama ka takuar familjarët e të plagosurve jashtë spitalit dhe ka biseduar me ta por nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat.

MBËRRIJNË 22 TË PLAGOSUR NË QSUT
Ora 21:55- 22 të plagosur kanë mbërritur në QSUT. Mësohet se më rëndë janë 6 persona që kanë pësuar edhe më shumë djegie. Në ambientet e QSUT-së ka edhe shumë familjarë të të plagosurve si dhe deputetë dhe mjekë. Gazetarja Eglantina Alliaj raportoi nga spitali se të gjithë të plagosurit janë nga 3 fise të fshatit Dardhas.

BEQAJ VIZITON TË PLAGOSURIT NË SPITAL: 6 PERSONA NE GJENDJE TE RENDE
Ora 21:39-
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka vizituar nga afër të plagosurit që ndodhen të shtruar në QSUT. Beqaj pohoi se 21 të plagosur kanë mbërritur në repartin e djegies, ku 6 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. “Kanë marrë ndihmë në Pogradec, e më pas kanë marrë mjekim në Korçë. 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët jashtë rrezikut. Po u jepen të gjitha shërbimet. Përmasat janë të tilla, në kufijtë e tragjedisë, dhe janë mbi 20 vetë që kanë qenë në atë ambient. Koha do tregoj dhe se nuk bëhen tani vlerësimet. Kemi ende pacient që i presim.”, tha Beqaj.

NË QSUT NJË 14-VJEÇAR, MJEKËT: KA DJEGIE NË 50% TË TRUPIT
Mes të plagosurve është edhe një 14-vjeçar. Sipas mjekëve, bëhet fjalë për 14-vjeçarin E. Hamolli, i cili ka djegie në 50% të trupit. Bluzat e bardha pohojnë se gjendja e tij është e rëndë.
DREJT QSUT EDMOD SPAHO, HALIM KOSOVA DHE TRITAN SHEHU
Për të monitoruar nga afër situatën, drejt QSUT-së janë nisur deputeti Edmond Spaho, Halim Kosova dhe Tritan Shehu.

ZIÇISHTI: GJENDJA E TË PLAGOSURVE JO SHUMË E RËNDË, KEMI MARRË TË GJITHA MASAT
Deputeti Ylli Ziçishti, me profesion mjek, i cili ndodhet në QSUT tha për News24 se gjendja e 4 personave të parë që kanë mbërritur është një gjendje e mesme, jo shumë e keqe. Ziçishti tha se janë marrë të gjitha masat për shërbimin ndaj tyre.
“Gjendja nuk është aq e keqe, është e mesme. Masat janë marrë në të gjithë spitalin. Mjekët e stafi janë në këmbë. Janë marrë masat për gjakun dhe shtratin. Është marrë çdo masë. Të plagosurit që kanë mbërritur nuk janë në gjendje kritike, por presim të tjerët”, tha Ziçishti.

Ora 20:30- Mbërrijnë në QSUT 6 prej të plagosurve. Gjendja e tyre ka qenë e rëndë, pasi edhe me sy të lirë duken djegiet e rënda. Ata kishin djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Në QSUT kanë shkuar edhe deputetët, Taulant Balla, Ylli Ziçishti, Ilir Xhakolli. Në QSUT ndodhen aktualisht:
PERSONAT E PLAGOSUR
1-Leonard Hamolli, 30 vjeç
2-Reanto Hamolli, 27 vjeç
3-Aldi Fraholli, 23 vjeç
4-Andrea Fraholli, 22 vjeç
5-Agjerim Muçka, 45 vjeç
6-Arion Fraholli
7-Florenc Fraholli
8-Eri Fraholli
9-Erion Fera, 34 vjeç
10-Klodian Dumani
11-Nardi Hamolli, 30 vjeç
12-Drilon Hamolli
13-Arjon Fraholli
14-Xhulian Smaholli
15-Musa Smahollari
16-Gentjan Lumani
17-Jurgen Muçka
18-Eri Hamolli

THËNGJILLI: NË SPITAL MBËRRITËN MBI 30 TË LËNDUAR, SITUATA E RËNDUAR
Shefi i pavijonit të djegieve në Spitalin e Pogradecit, Olsi Thëngjilli tha për Neës24 se situata është e rëndë. Ai ka treguar se në spital kanë mbërritur mbi 30 persona të lënduar dhe 22 janë dërguar në Tiranë. Sipas tij, 6 persona kanë djegie të shkallës së dytë.

“Në spital kanë mbërritur mbi 30 të lënduar. 22 persona janë dërguar në Tiranë. Situata aktualisht është e rënduar. 6 persona kanë djegie të shkallës së dytë. Në Pogradec po marrin ndihmë disa persona. Në spital nuk kemi mjekë specialistë”, deklaroi Thëngjilli.

NËNKRYETARI I BASHKISË SË POGRADECIT PËR “NEWS24”: TË PLAGOSURIT MË RËNDË, DREJT TIRANËS DHE KORÇËS
Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Polikron Balliu, duke folur për “News24” është shprehur se situata është e rëndë. Ai tha se të plagosurit më rëndë po nisen më autoambulancë drejt Tiranës dhe Korçës. Ndërsa persona me lëndime më të lehta po marrin trajtim në spitalin e Pogradecit.

INSPEKTORATI SHTETËROR TEKNIK DHE INDUSTRIAL NIS GRUP PUNE NË VENDNGJARJE
Ndërkaq, drejt vendit të ngjarjes është nisur një grup pune nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial nis grup pune.

Kryeinspektori Osmani konfirmon se janë nisur urgjent 6 inspektorë, duke u shprehur se “po ndjekim situatën, kontroll për cilësinë e shërbimit”.

(el.sp/m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: