*News24 dhe BalkanWeb kanë siguruar kërkesën e Doshit për kryeprokurorin Adriatik Llalla-
*Doshi: Ngjarja nuk është sajesë, do i shkoj deri në fund!-

TIRANË-Deputeti Tom Doshi është paraqitur rreth orës 10:20 të paradites së sotme për herë të tretë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mësohet se Doshi nuk ishte thirrur sot nga prokuroria për të dhënë një dëshmi, por është paraqitur në organin e akuzës me vullnetin e tij. Deputeti ka dorëzuar një kërkesë me shkrim për hetim ndërkombëtar të cështjes drejtuar Prokurorit te Pergjithshem Adriatik Llalla.

Doshi argumenton se përse kërkon ekspertë të huaj në hetim. Sipas deputetit, në eliminimin e tij fizik “janë të përfshirë aktorët kryesor politik vendimarrës në vend, drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda si dhe Prokurori i Përgjithshëm kurse  i denoncuari prej meje si porositës i vrasjes është funksionari më i lartë i Shtetit, pas Presidentit të Republikës, atëherë është mëse e kuptueshme që çdo konkluzion i këtyre hetimeve do jetë në mënyrë të bazuar i pabesueshëm (!), pasi çdo kujt i shkon ndërmend që krerët më të lartë të legjislativit dhe ekzekutivit ushtrojnë trysninë e nevojshme për të diktuar rezultatin e hetimeve, siç edhe kanë vepruar deri më tani (janë të njohura intervistat, deklaratat e prononcimet zyrtare të tyre në lidhje me këtë ngjarje se sipas tyre gjithshka është trill!).”
Doshi hyri në Prokurori nën masa të rrepta sigurie, ndërsa qëndroi në ambientet e brendshme për rreth 1 orë e 20 minuta.
Në dalje nga prokuroria, Doshi iu shmang pyetjeve nga gazetarët.

Pak para se të shkelte në zyrat e organit të akuzës ku do të pyetet rreth cështjes që ai pretendon për eliminim fizik, në një prononcim në rrjetin social, Facebook, Doshi garanton se ngjarja nuk është sajesë. Madje, Doshi thotë se do e zbardhë cështjen, pavarësisht se cfarë do të nxjerrin sot Spartak Braho dhe Ilir Meta.

“Të dashur qytetare. Pavarësisht atyre që do nxjerrin Iliri me Spartakun, një gjë j’u garantoj, që kjo ngjarje nuk është sajesë dhe porositësi është Ilir Meta.
Zbardhjen e kësaj cështje do ta bëj un bashkë me ndihmën tuaj.
Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund!”.

News24 dhe BalkanWeb kanë siguruar kërkesën e Doshit për kryeprokurorin Adriatik Llala ku specifikohet që cështja të hetohet nga hetues ndërkombëtarë.

K Ë R K E S Ë
Drejtuar:                                              Zotit Adriatik Llalla

Prokuror i Përgjithshëm

 

Kërkues:                                              Tom Doshi, i biri i Gjekë lindur në 06/06/1966 në Shkodër dhe banues në Tiranë në Rrugën “Qemal Stafa” banesë private me nr. 304

Baza ligjore:                                        Neni 110 Kod.Pr. Penale

 

I Nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm

 

Siç dihet sëfundi Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazë të Urdhërit Tuaj ka nisur hetimin kryesisht mbi deklarimet e mija, se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj meje dhe një tjetër deputeti, disa muaj më pare të porosituar nga Zoti Ilir Meta Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Hetimi i kësaj çështje po vijon intensivisht dhe konstatohet lehtësisht se publiku njihet pothuajse online me çdo detaj të veprimtarisë hetimore.

Në këtë çështje janë pyetur edhe funksionarët më të lartë të vendit, të cilët janë të përfshirë në çështje si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, përveç dyshimeve të konkretizuara prej meje.

Po ashtu së paku në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit është e domosdoshme që të pyetet edhe ish drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda si dhe Ju që jeni Prokuror i Përgjithshëm.

Për sa mësipër, duke qenë se:

–           në çështje (në cilësitë e sipërpërmëndura) janë të përfshirë aktorët kryesor politik vendimarrës në vend dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda si dhe Prokurori i Përgjithshëm

–           i denoncuari prej meje si porositës i vrasjes është funksionari më i lartë i Shtetit – pas Presidentit të Republikës

atëherë është mëse e kuptueshme që çdo konkluzion i këtyre hetimeve do jetë në mënyrë të bazuar i pabesueshëm (!), pasi çdo kujt i shkon ndërmend që krerët më të lartë të legjislativit dhe ekzekutivit ushtrojnë trysninë e nevojshme për të diktuar rezultatin e hetimeve, siç edhe kanë vepruar deri më tani (janë të njohura intervistat, deklaratat e prononcimet zyrtare të tyre në lidhje me këtë ngjarje se sipas tyre gjithshka është trill!).

Pabesueshmëria e proçesit gjithashtu është e dukshme edhe nga takimet e bëra publike të tyre me Ju në Kryeministri.

Përveç kësaj, hetimi i kësaj çështje nga vartësit e drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda (deri para disa ditësh) është tjetër detaj që minon besueshmërinë e proçesit në sy të publikut dhe timen veçanërisht.

Gjithashtu edhe qënia Juaj në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që si edhe drejtuesit e lartë politik të vendit jeni person që ka dijeni për rrethanat e hetimit (e madje sipas meje edhe i dyshuar që keni bërë me dije të dyshuarin për detaje të ngjarjes që ju kam pasë bërë me dijeni) edhe si element i vetëm dhe e bën proçesin të pabesueshëm.

Zoti Prokuror i Përgjithshëm

Është e gjithëpranuar, sipas edhe standarteve ndërkombëtare, se drejtësia është edhe perceptim. Si e tillë, në çështjen konkrete, çdokush nuk e perception si drejtësi çdo lloj vendimi të marrë nga prokurorët tanë në kushtet kur çështja ka lidhje dhe interesa me drejtuesit më të lartë politik të vendit.

Për sa mësipër, sygjeroj e kërkoj që në hetimin e çështjes të përfshihen prokuror dhe ekspert ndërkombëtar(me dijeni te posacme), të cilët do jenë garanci për besueshmërinë e konkluzionit të hetimeve.

Për këtë zgjidhje në vendin tonë ka patur raste që gjithsesi kanë rezultuar shumë efikase, sjell si shëmbull:hetimin e vrasjes së deputetit Azem Hajdari apo dhe hetimin e çështjes së 21 Janarit.

Po ashtu, kjo zgjidhje (duke përfshirë edhe prokuror dhe ekspert ndërkombëtar) diktohet edhe në interpretim të neni 26 dhe 17 të Kodit të Proçedurës Penale, pasi duke qenë se organ i Prokurorisë është i centralizuar me Prokurorin e Përgjithshëm në krye të saj, ky i fundit ka shfaqur qoftë edhe me mosveprim mendim mbi objektin e proçedimit dhe  organi i prokurorisë ka arsye të rëndësishme njëanshmërie.

Me respekt

Tomë Doshi

Tirane me date 11.03.2015

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: