Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |
FLASH

Tom Doshi zbulon: Pse votova pro Ruçit dhe qeverisë “Rama 2”

rama doshi

Katër votat e PDIU-së dhe PSD-së ishin pro zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, pro qeverisë “Rama” dhe programit qeverisës për 4 vitet e ardhshme. E duket se të njëjtën linjë pro qeverisë, këta deputetë kanë zgjedhur të mbajnë edhe përgjatë 4 viteve të ardhshme.

“E kam diskutuar edhe në zgjedhje, edhe për fjalën e Ramës për tepsinë, ne s’kemi qenë asnjëherë pjesë e kësaj qeverisjeje apo e tepsisë. Ne s’kemi qenë pjesë, s’kemi pasur 1% të numrit të të punësuarve në pushtet. Ne kemi thënë gjithmonë, edhe në zgjedhje, në qoftë se Rama mban premtimet për njerëzit, edhe për hallet e fshatarëve për tokat, ne gjithmonë kemi për të qenë pro qeverisë, plus edhe çështjen çame, që është një çështje për të gjithë shqiptarët, është kombëtare. Në qoftë se kryeministri e fut në axhendë këtë çështje, pse mos ta mbështesim?”, tha Aqif Rakipi, deputet i PDIU-së.

Përveç çështjes së partisë së saj, Reme Lala, një nga deputetet më të reja në Parlament thotë se, vota për qeverinë do të jetë pro, në qoftë se kryeministri mban premtimin për zonën që ajo përfaqëson në Parlament, Dibrën.

“Vota ime pro u ndikua kryesisht nga përfshirja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit nga ana e qeverisë në program. S’kam sesi të jem kundër ëndrrës shumëvjeçare të Dibrës dhe dibranëve, e për atë çfarë është jetike. Do të jetë mbështetje pa limit, në qoftë se mbështetja për Dibrën do të jetë pa limit. Megjithatë do të shohim”, tha Reme Lala, deputete e PDIU-së.

Në të njëjtën linjë besnikërie, ndaj ish-partisë së tij dhe kryeministrit Rama, do të qëndrojë edhe Tom Doshi, i vetmi deputet i PSD-së.

“E kam deklaruar edhe gjatë fushatës. Vota ime do të jetë për qeverinë ‘Rama’ pa limit. Vota ime do jetë edhe në Parlament, edhe në komisione pa limit. PSD-ja e ka mbështetur gjithmonë PS-në, do ta mbështesim edhe në zgjedhjet lokale”, tha Tom Doshi, deputet i PSD-së.

TCH: Megjithatë, nuk prisni që të bëheni pjesë e grupit të PS-së? Do të vazhdoni me PSD-në?

Tom Doshi: S’e ndërroj partinë, jam shumë i kënaqur me PSD-në.

Bashkë me mandatet e tyre, dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit, Qeveria “Rama” konsolidon fuqishëm numrat e saj në Parlament, me 78 mandate/tch


Komente ( 8 )



Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.