Nga: RUDINA HOXHA*TIRANE-Tony Barber ishte një nga 12 gazetarët europianë që viz ituan këtë javë Shqipërinë për tri ditë me radhë për të mësuar më shumë për vendin tonë. Ai mban postin e kryeredaktorit për Europën në prestigjiozen “Financial Times”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Barber ndan me lexuesit pikëpamjet e tij për Shqipërinë, situatën në Greqi, Maqedoni dhe se si e sheh ai Lazaratin dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare drejt BE-së dhe kundër korrupsionit.
Cilat janë përshtypjet tuaja nga Shqipëria në fund të kësaj vizite treditore? Ju keni qenë në vendin tonë në vitet 1992-1993. Si ju duket Shqipëria pas më shumë se dy dekadash?
Të godet, do të thosha, qyteti është më me ngjyra, më i gjallë, është e dukshme që ekziston një standard jetese më i mirë për shumë njerëz. Kontaktet me botën e jashtme janë shumë më të zhvilluara se ç’ishin në 1993, kur unë e vizitova Shqipërinë për herë të fundit. Dhe entuziazmi i popullsisë për të vazhduar ndërtimin e këtyre kontakteve është shumë i qartë. Kam qenë edhe në vende të tjera të rajonit Ballkanik në dy vitet e fundit dhe entuziazmi që ekziston në Shqipëri, më duket më i fortë se në çdo vend tjetër të rajonit.
Ku e shikoni Shqipërinë në rajon? Si do ta vlerësonit pozicionin e saj?
Mendoj se në disa aspekte, ajo përfiton nga një sens më i madh i stabilitetit gjeopolitik. Megjithatë, mendoj se kaosi në Greqi mund të ketë një efekt ekonomik serioz, ndoshta më shumë se sa politikëbërësit janë të gatshëm ta pranojnë. Sigurisht, kjo nuk është e sigurt, por mua më duket se rreziku është shumë i lartë. Mendoj se rreziku i kalimit të destabilitetit në Kosovë, në një vend fqinj, është më i kufizuar. Një nga problemet në rajon është se trazirat në një vend kalojnë në vendin tjetër. Çdo gjë është e ndër-lidhur në shumë mënyra. Kështu, edhe Shqipëria nuk mund të jetë plotësisht e izoluar nga kjo. Ju nënvizuat se pasojat nga kriza greke mund të jenë më serioze se sa pranohen nga autoritetet shqiptare. Çfarë kuptoni me këtë? Po mendoj më së shumti se çfarë ndodh me shumë emigrantë shqiptarë që janë në Greqi. Kursimet (remitancat) që ata kanë sjellë në Shqipëri që nga koha që kanë filluar të punojnë atje. Ne e dimë që këto kursime kanë rënë në këto vitet e fundit, por mua më duket se ato ndoshta do të pësojnë një ulje edhe më të madhe. Ne nuk e dimë se sa, por dukshëm disa nga emigrantët punëtorë do të kthehen. Kjo do të tendosë aftësinë e sistemit ekonomiko-social të Shqipërisë për t’ia dalë, sidomos në jug të vendit. Se sa shumë mund të zmadhohen këto probleme është e pasigurt, por nëse situata në Greqi stabilizohet në një farë mase nga një përpjekje tjetër e Eurozonës për të gjetur një zgjidhje për Greqinë, më pas pasojat do të jenë më të vogla në Shqipëri. Por ne nuk e dimë këtë akoma.
Çfarë parashikoni të ndodhë në Greqi?
E vetmja gjë që dihet me siguri është se pavarësisht nëse qeveria greke qëndron në fuqi apo bie, më tepër ndihmë e jashtme do të nevojitet për Greqinë. Nuk mund të lihet ky vend të zhytet edhe më tepër në kaosin financiar dhe ekonomik. Kështu pra, do të duhet të ketë një formë të një ndihme europiane të rinovuar sipas meje. A i keni vënë re hapat e integrimit të Shqipërisë drejt BEsë Ka të bëjë me qëndrimin e Europës ndaj rajonit në përgjithësi. Nuk është veçanërisht ndaj Shqipërisë. Problemi e ka zanafillën te pranimi i Rumanisë dhe Bulgarisë në 2007, kur ka një lloj rënie dakordësie midis vendeve të Europës Perëndimore se këto dy vende u pranuan herët në BE. Ata nuk e kanë zgjidhur akoma mirë problemin e korrupsionit, nuk kanë ende një sistem drejtësie të pavarur e kështu me radhë. Pra, shkopi është vendosur lartë për të gjithë të tjerët për t’u kaluar për shkak të këtij problemi. Siç e pamë me Kroacinë dhe tani me shumë vende anëtare aspiruese si Shqipëria. Kur shkopi është vendosur kaq lart, është shumë e rëndësishme që këto standarde të larta të mos përdoren si justifikim për të shtyrë rrugën e anëtarësimit në një të ardhme të papërcaktuar. Dhe kam frikë se ekziston ky rrezik në rastin e Shqipërisë në kuptimin se deklarimi si vend kandidat tingëllon i bukur, por nëse nuk fillon negociatat për anëtarësim, ose e shtyni këtë moment, fakti i të qenurit kandidat nuk do të thotë asgjë. Pra, është e rëndësishme që BE të njohë nevojën për të vazhduar rrugën, vizionin dhe shpresën e ardhjes së kohërave më të mira. Kjo është e rëndësishme për të ruajtur, atë që unë shoh, konsensusin. Ky është drejtimi i duhur për vendin. Një situatë e turbullt dhe e tensionuar mbizotëron edhe në Maqedoni. Si ekspert edhe i çështjeve të Ballkanit, si i gjykonit ngjarjet e fundit dhe situatën aktuale në vendin tonë fqinj? E gjeta dhunën në pjesën veriore të Maqedonisë majin e kaluar si shumë shqetësuese. Jo shumë për elementët e dukshëm etnikonacionalistë të dhunës, por më tepër sepse ekspozoi faktin se sa i pambrojtur është ky vend, nëse nuk ka siguruar një vend të qëndrueshëm në sistemin ndërkombëtar. Dhe Maqedonia nuk e ka këtë vend edhe 20 vjet pas fitores së pavarësisë. Pjesërisht për shkak të çështjes së njohjes së emrit nga Greqia dhe pjesërisht nga efektet e kësaj mosmarrëveshjeje në rrugën e Maqedonisë drejt institucioneve perëndimore dhe euroatlantike. Maqedonia ishte e bllokuar. Dhe ky shtet nuk ka zënë ende vendin e tij në sistemin europian. Dhe kështu, kur kjo kombinohet me një shkallë tensioni etnik dhe nacional brenda përbrenda Maqedonisë dhe me atë trazirë politike të atij lloji që ne pamë midis qeverisë maqedonase dhe opozitës, të gjitha këto të ofrojnë një kokteil helmues. Lazarati është një çështje që ka dëshmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare kundrejt sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Si ka tingëlluar kjo gjë tek ju?
Ka përpjekje dhe është arritur një progres mesatar. Ka ende shumë për t’u bërë. Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me ekspozimin e korrupsionit dhe dënimin e të korruptuarve e të emrave të mëdhenj të lidhur me korrupsionin, se sa me ndërtimin e një sistemi bindës të sundimit të ligjit. Për mua, kjo është sfida e vërtetë. Fatkeqësisht rruga është ende shumë e gjatë. Por dikush duhet të mbajë mend se pikënisja për Shqipërinë, për shkak të një forme veçanërisht të pakëndshme që komunizmi mori në Shqipëri dhe prapambetjes së vendit gjatë periudhës përpara komunizmit, e ka bërë këtë detyrë tmerrësisht, tmerrësisht, tmerrësisht të vështirë. Dhe dikush nuk duhet të presë që kjo gjë të arrihet thjesht brenda 25 vitesh. Kjo do të dojë breza të rinj që të lindin dhe ta marrin këtë sfidë përsipër. Kjo nuk është absolutisht e lehtë, por mendoj se konsensusi kombëtar lidhur me rrugën që vendi do të marrë të krijon shpresë dhe më tepër progresi do të arrihet nga viti në vit.
Z. Barber, çfarë do t’u thoni shqiptarëve deri në vizitën tuaj të ardhshme?
Shpresoj shumë të vij në Shqipëri përsëri. Do të thosha se më ka bërë shumë përshtypje çka është arritur në këtë vend, duke marrë parasysh atë pikënisje tmerrësisht të vështirë në fillimet e viteve ’90-të. Shumë gjëra po ecin. Kështu që vazhdoni të punoni dhe mos u dëshpëroni. Dhe do t’ju thosha se ndërsa ju bëni këtë gjë, unë do të shkoj në kryeqytete të ndryshme europiane dhe do të mbështes përpjekjet e tyre për të vazhduar ndihmën ndaj Shqipërisë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb