TIRANË- Ish-kryetarja e parlamentit, deputetja Jozefina Topalli ka komentuar Asamblenë Parlamentare të NATO-s që u mblodh në Shqipëri për të diskutuar çështje të sigurisë por jo vetëm dhe sfidat me të cilat përballet kjo aleancë.

Topalli tha në rubrikën “Opinion” në News24 se kjo Asamble ishte shumë pozitive dhe historike.

“Asambleja parlamentare e NATO-s ishte një moment shumë pozitiv dhe historik. Temat kryesore kanë të bëjnë me mjedisin strategjik përshkallëzimin e konflikteve. Ka një diskutim për përballjen e NATO-s me Rusinë apo me Sirinë dhe ISIS.

Një ndër analizat ishte ajo e djeshmja ku kërkohej një vëmendje e veçantë për të parë një lidhje të rrezikut të lindjes dhe atij të jugut. Asambleja doli me një rezolutë duke folur për solidaritetin e gatishmërinë e të gjitha vendeve të NATO-s.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, shansi, privilegji dhe vendimi më në favor të vendit tonë dhe sigurisë së vendit tonë. Lajmi që kapen drogë, armë e tritol në Bari, flet për Shqipërinë. Pikë tjetër e rezolutës është që demokracia dhe zhvillimi shtetit ligjor janë kolonat kyçe mbi të cilat funksionon NATO. NATO është aleanca më fortë e të gjitha kohërave e bazuar mbi vlera e parime”, tha Topalli.

Duke u ndalur tek lidhja e NATO-s me çështje ekonomike, Topalli tha se një ndër pikat ishte detyrimi që Shqipëria ka ndaj Aleancës.

“Politika është ekonomia thuhet. Në asamble u diskutua se sa ne i kemi plotësuar angazhimet tonë se si vend anëtar i NATO-s duhet të paguajmë 2% të PBB. Ne se kemi arritur”, tha ajo.

REFORMA NË DREJTËSI
Topalli ka folur edhe për reformën në drejtësi dhe takimin që pritet mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Ajo tha se ky takim nuk do ta ndryshojë Shqipërinë duke u shprehur kundër pasi sipas saj kjo çështje duhet të shtrohet në parlament.

“Tre ditët e fundit kam qenë fokusuar në Asamblenë e NATO-s, për shkak të angazhimeve të mia të mëparshme. Pavarësisht se si më pikturojnë mediat, nuk jam politikane që jam kundër dialogut. Përkundrazi! Por bindja ime është se nuk besoj se një takim i dy kryetarëve të partive do të shpëtonte Shqipërinë. Nuk shtrohet çështja, çështja shtrohet në parlament, votimi bëhet në parlament. Reforma në drejtësi ka kaluar përmes një kalvari për shkak të rrëzimit 2 herë. Ne të gjithë ndoshta edhe ju nuk kemi bërë sqarimin e duhur për qytetarët shqiptarë se mbi çfarë draftesh po punohet. Nuk iu kemi thënë se nuk është thjesht një reformë e drejtësisë por e ndryshimit të Kushtetutës. Realizimi i një gjëje të tillë, arkitekture të re kushtetuese kërkon maturi të madhe. Me këtë duhet të them që duhet shumë kujdes me ndërhyrjet dhe institucionet që ngrihen. Ligjet në Shqipëri të standardeve evropiane. Ne se kemi problemin me ligjin por me zbatimin e tij dhe korrupsionin. Mendoj se duhet bërë një lëvizje e fortë për të stopuar këtë që po ndodh. Shqipëria ka nevojë për një sërë reformash por pikë së pari të sjellim shpresën tek qytetarët”, tha Topalli.

Për sa i përket bojkotit të opozitës pas përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga parlamenti për 10 ditë, Topalli tha se PD mund të reagonte edhe më fort.

“PD mund të reagonte edhe më fort. Zoti Berisha është politikani që ka dominuar jetën politike të këtyre 25 viteve. Përjashtimi për faktin se ky politikan ka kurajën për të luftuar edhe vetëm kriminelë si Shullazi. Pas një denoncimi të tillë, maxhoranca me një gjest burracakërie vendosi ta përjashtonte. E njëjta gjë edhe kur ai vendosi të denonconte se krimi ka hyrë në parlament. Është një situatë jashtë çdo imagjinate. Të përjashtosh për kurajën që ke është frikë ndaj së vërtetës dhe implikim në kriminalizimin e situatës”, tha Topalli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: