TIRANË- Protesta e opozitës dhe çadra e ngritur në bulevard është një nga temat e emisionit të sotëm “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24. E ftuar në emision përveç analistëve Andi Bushati dhe Fatos Lubonja ka qenë edhe deputetja demokrate Jozefina Topalli.

Ajo tha se protesta që ka nisur opozita është një fillim i mbarë për një lëvizje që mund të çojë në një revolucion brenda forcave politike, në një përfaqësim më real brenda parlamentit, në një raport tjetër me elitën, ose në raport me kartën morale. Por Topalli theksoi se nuk është për të mos marrë pjesë në zgjedhje siç ishte sugjerimi i analistit Bushati.

te paekspozuarit.jpg2

Rakipi: Zonja Topalli opozita është izoluar në shesh dhe kërkon qeveri teknike . Si mendoni se do të arrihej qeveria teknike?
Topalli: Së pari nuk do thosha se opozita nuk është izoluar duke parë që në protestën e së shtunës ishin mijëra njerëz. Nuk ja lejoj vetes të them që ishin për PD-në, por do të thoja që ishin kundër Ramës.

Rakipi: Si do ta realizoni ju këtë? Ju jeni një njeri i rëndësishëm i kësaj partie. Ndoshta dhe nuk ju kanë pyetur për këtë, e kanë bërë Saliu me Lulin…
Topalli: Nuk jam unë personi për të dhënë përgjigjen. Unë kam dhënë dorëheqjen, nuk jam as në organe dhe as në forumet e partisë. Unë jam një deputete e thjeshtë.

Është një realitet dhe duhet bërë analiza e situatës në të cilën ndodhet vendi.
Nuk jam dakord me zotin Bushati që zgjidhja e kësaj situate mund të realizohet përmes mospjesëmarrjes në zgjedhje. Nuk e besoj për 1000 arsye që i kam thënë.

Ishte një fillim i mbarë për një lëvizje që mund të çojë në një revolucion brenda forcave politike, në një përfaqësim më real brenda parlamentit, në një raport tjetër me elitën, ose në raport me kartën morale.

A mund të flitet për një kartë morale brenda politikës, medias e biznesit? Politika pa moral është një degradim.

Rakipi: Po i quajmë apriori të gjitha arsyetimet tuaja dhe të drejtën e opozitës për të protestuar. Çështja është ju si do e zgjidhni këtë punë?

Topalli: Unë nuk them si do e zgjidhet sepse nuk jam unë që e vendos. Unë jam dakord me Bushatin pasi këtu është një sistem i degraduar. Këtu është shembur parimi. Po ti flasësh tjetrit për parimin thotë se nuk je ambientuar me të renë. Përtej ngjyrave politike unë mendoj se kjo sëmundje mund të shërohet me kurajo dhe bashkëpunim.

Bushati: Çfarë rruge keni ju për të fituar zgjedhjet?

Topalli: Rritja e presionit ndihmon qeverinë. Varfëria të skllavëron…

Bushati:Akoma nuk ka reflektim për humbjen e zgjedhjeve.

Lubonja: Nëse doni mendimin tim se çfarë planesh ka opozita. Basha thotë unë nuk hy në zgjedhje sepse ti më vjedh votat. Unë nuk hy në zgjedhje sa je ti aty thotë Basha. Për këtë qeverinë teknike dhe unë e shoh si problem, por Basha mund të thotë jep dorëheqjen. Sigurisht që Rama zor se do e pranojë këtë. Pra mbas 3 muajsh ai thotë unë nuk hy në zgjedhje se ti nuk ike. Unë mendoj se këtu tani çështja është sa mundet kjo lëvizje të thithë njerëz.

Topalli:Unë dua që protesta të shkojë në çdo qytet. Vjen një moment që nuk mendon më për pushtetin dhe vjen ndërgjegjja shoqërore. Unë dua që kjo protestë të përhapet në çdo qytet. Protesta dha një mesazh të jashtëzakonshëm, pasi kishte dhimbje brenda, por edhe shpresë.

Rakipi: Nuk është e vështirë mendoj që të mbledhë një parti aq shumë njerëz në një ditë pasi ishte edhe në pushtet. Këta nuk ishin të nesërmen dhe të pasnesërmen?

Topalli: Ju nuk e kuptoni çdo të thotë të shkojnë qytetarët ne protestë dhe çfarë ndikimi ka për politikanin. Duhet rrëzuar Edi Rama dhe qeveria e tij.

Bushati: Nëse Rama është ende në 16 qershor në pushtet, PD do marrë pjesë në zgjedhje apo jo?

Topalli: Unë nuk di të them këtë…

Bushati: Kryeministri nuk do ikë dhe zgjedhjet do bëhen?

Topalli: Ju kujtuat betejën me Fatos Nanon. Kemi ikur ne atëherë? Jo nuk kemi ikur.

Bushati: Do shkoni ju në zgjedhje nëse Rama qëndron aty ku është?

Topalli: Beteja nuk fitohet me një raund. Kam shumë vite në politikë. Unë kam parë të fitojë dhe të humbë PD-ja. Ne nuk kemi bojkotuar zgjedhjet sepse më duket si vetëvrasje. Bojkoti mund ta shkrijë PD-në, as në ‘97 nuk kemi bojkotuar zgjedhjet.

Bushati: Është stabile Shqipëria sot?

Topalli: Është e inkriminuar. Ju thatë që çadra në bulevard është më luksoze. Po të shkosh aty brenda dhe të shohësh ato fytyra është e dhimbshme. Varfëria është e frikshme.

Lubonja: Ne kemi harruar një element të rëndësishëm që këta (Të dy palët) kanë qenë në zgjedhje. Kanë hyrë dhe ndërkombëtarët. Në situatën e sotme kemi një ndryshim. Një nga faktorët që i kanë futur në zgjedhje kanë qenë ndërkombëtarët. Lidershipin e PD e ka marrë përsipër t’i dalë ballë ndërkombëtarëve që sipas tyre kanë dalë palë me qeverinë. Ndërkombëtarët kanë mbështetur shumë më tepër këtë qeveri dhe në këtë rast mendoj se po gabojnë. Kriminelet që janë nëpër vende si Kavaja, Kruja, Fushë-Kruja, ata janë në rregull. Pikëpyetja e madhe është: Po mirë zgjedhjet i humbe, ca të pret katër vitet e tjera? Mund të pësosh humbjen e PD akoma më keq. Unë them se mund të ketë dhe një zgjidhje të tretë. Krijohet dot realisht një forcë? Unë do kisha dëshirë. Ne kemi qenë me PD në vitet 91-92, pastaj kemi parë një sjellje arrogante të Berishës. Më pas u mbështetëm tek ish-parti e punës, PS, që u bë promotorë e ndryshimit. Kjo PD do ik fare apo do krijohet një e re?

Topalli: Nuk ka forcë politike që mund të rri 5 mandate, Dy mandate merr. Një aspekt ishte i mirë, rrotacioni.. ne jemi në një pikë kritike. Më vjen një herë në zyrë kryetarja e zonjës së Laburistëve. Ishte fisnike. Kishte nisur jetën parlamentare 20 vjeçe. Po i tregoja për përpjekjet e vendit tonë. E di ç’më tha: Më shiko Jozefinë, ne kemi një mijë vite parlamentarizëm. Dua të them se vendimmarrjet nuk janë të lehta. Mendonit ju se do dilnit nga burgu e do përmbysej sistemi? (I drejtohet Lubonjës).

Lubonja: Atë se përmbysët ju, e përmbysi qytetari.. Muri i Berlinit.
Topalli: Ishin një sërë faktorësh. Ky është një sistem që ka simbol krimin. Unë them se ka një mijë mundësi krijimi dhe hapësira. Unë besoj në rritjen e presonit dhe protestën. Do e kisha bërë me kohë, s’do e kisha lënë për sot. Ne bëmë ligjin, por dekriminalizimi nuk është se ndodhi. A mund të bënim ne më shumë? Nuk është vetëm Rroshi. Flas për fenomenin. Emrat i kemi në parlament dhe ata nuk përmenden. Ndaj duhet kurajo.
 
(d.d/m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb