TIRANË- Duke folur për situatën e kanabisit në vend, ish-presidenti Bamir Topi tha në emisionin “Të paekspozuarit” se Shqipëria është një vend i vogël dhe tërësisht i administrueshëm por pavarësisht kësaj mungon vullneti politik. Për ish-presidentin e Shqipërisë, më shumë se qeveria, janë të gjitha institucionet shtetërore që nuk kanë vullnet. Topi tha se “sot kemi vetëm një debat” dhe sipas tij askush nuk e kundërshton që ka kultivim të hashashit. “Por krimi kur sheh terren lulëzon”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetari Rakipi se çfarë e ka sjellë dështimin e shtetit me asgjësimin e kanabisit, duke iu referuar edhe piramidave Topi tha: Kjo bisedë ndahet në dy pjesë. Një pjesë që ka të bëjë me infrastrukturën e funksionimi dhe ka një pjesë tjetër shumë më të rëndësishme. Unë kam parë një hipokrizi shumë të madhe të politikës. Çdo të enjte shoh një skenë të mërzitshme në parlament. Është kthyer në show. Aty brenda ka edhe satirë. Njerëzit më të rëndomtë i pe, përfaqësues të administrimit të shumave marramendëse që e çuan Shqipërinë në një përplasje shoqërore dhe dekapitim të institucioneve. Pjesa tjetër ka të bëjë me vullnetin politik. Shqipëria një vend i vogël dhe totalisht i administrueshëm. Territori është shumë i vogël. Një vend kaq i vogël, me mundësi të jashtëzakonshme për ta monitoruar, aq më shumë që ka edhe një ligj që përfshin edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor, përfytyroni sot kemi vetëm një debat. Askush nuk e kundërshton që ka kultivim të hashashit. Diskutimi bëhet në sensin relativ, në kohën tuaj, në kohën tonë. Për mua është çështje e vullnetit politik”.

Ai deklaroi se “në këtë vend është fare i dukshëm kultivimi. Nuk është vetëm faji i qeverisë, shteti. Fillon me strukturat e specializuara, me pushtetin vendor, me qeverinë, me strukturat e tjera, me prokurorë e gjykatës. Të gjithë krijojnë një klimë të favorshme. Krimi kur sheh terren, lulëzon”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb