Ku është Kristiano Ronaldo? Kjo është një nga pyetjet që të gjithë po bëjnë për formën e sulmuesit gjatë vitit 2015. Ylli portugez mbylli një vit fantastik 2014 me statistika të paimagjinueshme (53 gola në 43 ndeshje për Realin e Madridit) dhe fitoi 4 trofe, përfshirë Champions-in dhe Botërorin e Klubeve. Të gjitha këto shifra u përkthyen në çmimin e “Topit të Artë” në janar, duke lënë pas për të dytin vit radhazi rivalin e tij më të madh, Lionel Mesi, shkruan Panorama.

Por e vërteta është se, pasi u kurorëzua si futbollisti më i mirë në botë për herë të tretë në karrierën e tij, rivali i tij argjentinas ka shkëlqyer më shumë se ai. 27-vjeçari shënoi tripletë në fitoren e fundit të Barcelonës 5-0 kundër Levantes në La Liga dhe u ngjit në kuotën e 12 golave në të gjitha kompeticionet pas ceremonisë së Zyrihut.

Ndërkohë që portugezi ka shënuar vetëm 3 gola. Tripleta e fundit e asit katalanas në “Kamp Nou” ishte e 23-ta në kampionatin spanjoll, duke barazuar edhe rekordin e Kristianos, si lojtari me më shumë tregolësha në kampionatin spanjoll. Forma e shkëlqyer e “Pleshtit” shkon paralelisht me atë që po jep në fushë skuadra e tij, Barcelona, ndërkohë që rënia e formës së atij që ishim mësuar ta shikonim si një makineri golash që nuk do pushonte kurrë, përkthehet edhe nga rezultatet jo të mira të “galaktikëve”.

Të hënën, dy të përditshmet madrilene, “Marca” dhe “AS” skanonin problemin e formës së 30- vjeçarit, teksa Reali po reziston me shumë vështirësi për të ruajtur kreun ndaj Barcelonës. “AS” hapej me titullin kryesor: “Alarmi Kristiano” dhe komentonte se forma e lojtarit kryesor është parë si shqetësuese në klub, pasi ai nuk ka gjetur golin në tri ndeshjet e fundit. Ndërkohë që “Marca” ishte më e moderuar, duke e vënë theksin te ndeshja e 1/8-ave të Champions-it kundër Shalkes dhe e cilësuar Ligën e Kampioneve si kompeticionin e preferuar të kampionëve të Europës. Nëse Ronaldo do që të barazojë 4 “Topat e Artë” të Mesit, siç ka në plan, atëherë nesër kundër Shalkes do jetë momenti ideal për të nisur kthesën.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: