TIRANE – Ish-presidenti Bamir Topi, aktualisht kreu i FRD-së, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në “News24”, ku foli ndër të tjera edhe për reformën në drejtësi. Sipas Topit reforma po shtyhet në mënyrë artificiale, pasi synohet miratimi i saj pas zgjedhjeve të ardhshme.

INTERVISTA
Si e festoi Bamir Topi 1 Majin, jam kurioz?
Në inercinë e ditëve jo fort të këndshme, që ka Bamir Topi këto muajt e fundit. Ju do thoni jeni i trishtuar. Jetën time personale e kam shumë mirë. Por nuk gjen motiv që të veçosh një ditë ta bësh ndryshe nga të tjerat.

Nëse do të ishit sot President i Republikës, si do të ishte mesazhi i urimit për festën e 1 Majit?
Pati një lloj koincidence dje sepse dje ishte dhe dita e Pashkëve. Padyshim do të uroja ditën e Pashkëve dhe e dyta do të dëshiroja të shikoja më shumë protesta, sepse shqiptarët nuk po e ndajnë dot. Konsiderojnë ditën e protestës si një ditë feste.

Jua bëra këtë pyetje në fakt edhe për t’iu ç’tensionuar. Mu kujtua diçka, cila ka qenë intervista më e sikletshme që ju e keni patur gjatë karrierës tuaj politike, që ju ka bërë të djersiteni?
Nuk veçoj asnjë intervistë të sikletshme.

Atëherë si shpjegohet që liderët tanë kur shkojnë nëpër studio prestigjioze televizive të tipit CNN, BBC djersiten dhe vihen në siklet?
Nuk ndihën në shtëpinë e tyre dhe me sa duket kuptojnë që atje aparaturat e diagnostikimit janë shumë të sofistikuara, nuk mund të mashtrosh.

Sot ke ndaluar tek lajmet, e pe se çfarë ka ndodhur në 2 maj në Shqipëri?
Sigurisht unë e shoh BalkanWeb-in.

Katër vjet FRD, çfarë po ndodh realisht me forcën tuaj dhe sa është sot FRD realisht një forcë e faktorizuar?
FRD është një forcë politike në identitetin e saj, është një forcë politike absolutisht e moderuar me një profil evropian. ne nuk mund të bëhemi pjesë e kakofonisë së zërave që bëjnë zhurmë për të harruar çështje të rëndësishme që ka vendi. Këtë detyrë të vështirë ja kemi lënë parlamentit, ku vetëm çështje të rëndësishme nuk dalin atje. Madje parlamenti shfrytëzohet herë pas here për të mbuluar çështjet e rëndësishme. Kualiteti i parlamentit është ndoshta në ditën më të zezë. Çështje shumë të rëndësishme që dalin atje mbyllen pas 3-4 ditësh.

A jeni juve sot një parti kryetari, sikundër janë disa parti sot në Shqipëri?
Për shumë arsye jo. Së pari atë parti nuk e kam themeluar unë. Kam qenë në dijeni që po krijohej një formacion politik, një pjesë e tyre ishin miqtë e mi. Pas një reflektimi kam bërë një vendimmarrje në shtator iu bashkova. Besoj që nuk është një parti e kryetarit, është një parti shumë e lirë, e hapur për të gjithë, nuk përjashton kënd. partia ka rregullat e veta, por kemi tendenca të qarta liberale në parti.

Njerëzit tuaj në parti më thonë shpesh se hapësirat mediatike për këtë forcë politike janë ngushtësisht të vogla. A jeni dhe juve i këtij mendimi?
Absolutisht po. Përfytyroni kur më ngushtojnë edhe mua hapësirat. Duke veçuar në mënyrë absolute rolin e televizionit tuaj, që ka qenë i gatshëm sa herë kemi patur aktivitet. Politika ka një lidhje të shkurtër me televizionet.

Në optikën tuaj zoti Topi, ku ka dështuar modeli i rilindjes, ku ka gabuar kryeministri Rama dhe ekipi i tij?
Eshtë Rama, nuk ka ekip. Më rezulton se ka një kapiten ekipi, por për fat të keq nuk ka ekip. Një qeverisje patjetër që kërkon një ekip të fortë. Ka pak ligje, ndonëse pretendohet se po bëhet shumë. Ka një lidhje të shkurtër, përderisa parlamenti shqiptar është në inefiçencë të plotë, patjetër tregon që edhe vetë strukturat e qeverisë çojnë pak ligje atje.

Cili është kapërcimi i të majtëve ndaj modelit të djathtë. A ka më shumë imazh dhe trup programi i të majtëve se sa përmbajtje?
E kam shumë të vështirë të dalloj nuancat që bëjnë diferencën mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri. Nëse duam të ndërtojmë diçka duhet ta ndërtojmë atje ku janë bazat teorike të një krahu apo një krahu tjetër. Me sa duket janë oportunistë të momentit, duan të thithin elektorat.

Zoti Topi, është kjo arsyeja që bashkëpunimi juaj me PS nuk ka shkuar aty ku duhet?
Ne e kemi thënë, jemi në koalicion administrativ. Do thoni ju a ka nuanca politike, sigurisht që ka, përderisa jemi në politikë. Por besoj që përtej zgjedhjeve të pushtetit vendor, kemi një marrëveshje për çështjet e reformës së shtetit. Ku më e rëndësishme është çështja e reformës elektorale.

A vini re ju sot tendenca të një demokracie autoritariste?
Unë bie dakord që po t’i vini re, qytetari i thjeshtë u duhet partive politike vetëm muajin e fundit. Harrohen pastaj për 3 vjet e 11 muaj dhe rikthehen sërish prap. Ajo pjesa tjetër është një lidhje organike. Pa ata nuk mund të ecin përpara. Politika shkon në interes të këtyre njerëzve. Sigurisht nuk kam përmendur asnjëherë emra. Por të gjithë i njohin. Shqipëria është vend i vogël. Madje sipas meje janë ata që përcaktojnë trendin e politikës në mjaft raste.

Një vit më parë ju ishit nga të paktët që nuk parashikonit zgjedhje të parakohshme dhe që kishit një tezë që thosh se aty ku gjithçka është ngjizur për interesa politike, do të përfundojë për interesa politike. A është ky dhe sot përkufizimi juaj, nëse do t’ju pyes për koalicionin Rama-Meta.
Eshtë i destinuar të shkojë në inercinë e vet deri në fund. Nuk kam gabuar dhe nuk besoj se do të gaboj në muajt e mbetur. Më është bërë një pyetje kur konfliktualiteti politik, qoftë dhe i fshehur, ishte i pranishëm.

Ka një ftesë që ka qëndruar pezull midis selisë tuaj dhe PD-së. Çfarë do të bëni me ftesën e PD-së për një aleancë?
Kam thënë ftesa nuk është në seriozitetin e duhur. Zakonisht ftesat vijnë nga kryetarët e partive. Kjo është arsyeja që ne nuk kemi bërë asnjë lloj përçapje për të deklaruar publikisht pozicionin tonë.

Po nëse nesër ftesa do t’iu vijë nga Lulzim Basha, keni një përgjigje?
Të shohim ç’lloj ftese. Do marrë dhe përgjigje, sipas kontestit të ftesës.

PD sot është në krizë identiteti, apo në krizë përfaqësimi?
Besoj identiteti, sepse PD është menduar gjithmonë në plan real dhe psikologjik si epiqendra e së djathtës. Kjo më shumë ka çoroditur në kohët e fundit. Duket sikur ka një lloj ambiguiteti brenda asaj partie.

Pse ka ardhur duke u përkeqësuar zoti Berisha, një lloj nervoziteti, ka një arsye, mund t’i gjejmë një arsye?
Po ta trajtojmë temën duke u nisur nga termat e fundit, do kalojmë në plan shëndetësor, nuk kam ndërmend të merrem, aq më tepër që diplomën bazë e kam si mjek veteriner. Ai sot përben atë element për të cilën as PD as e djathta s’ka nevojë më. Duhet t’i ndajmë gjërat. Askush nuk mund të thotë se Berisha nuk është intelektual. Askush nuk mund të thotë se nuk i ka mbijetuar situatave të koklavitura. Tashmë ai nuk duhet të jetë më në politikë. Është rast unikal që pas 26 vitesh dominon vendimmarrje të rëndësishme në politikë, është e papranueshme.

Pak ditë më parë zoti Berisha bëri një deklaratë për armatosjen e shqiptarëve. Jam kurioz të di se kujt i drejtohej ky mesazh?
Nuk besoj se i drejtohet shqiptarëve. Ata janë të ambientuar me armët. Kanë kaluar situata, precedentë të rrezikshëm me armë, madje i përdorin vend e pa vend, madje në shumë raste pa vend. Mesazhi i tij i drejtohet ndërkombëtarëve. Ka ndërkombëtarë që kanë eksperiencë, e disa. Problemi nuk është vetëm për Shqipërinë, por dhe Rajonin. Të flasësh në vitit 2016 për të frikësuar disa politikanë, se besoj. Ai është inteligjent, por ka kaluar vijën e kuqe.

Më lejoni t’ju pyes për diçka. A ka një hall personal Berisha që po vonon reformën në drejtësi? Cili është halli i tij?
Hallet personale të tijat i di vetëm ai. Hallet institucione le i dinë dhe të tjetër. Unë nuk futem në hallet personale. Por, dëshiroj të them se ka pasur mjaftë situata në vend, ndaj ai është i përshirë në planin politik. Se çfarë ka sjell ai pozicion, këtë nuk e di. Unë kam kërkuar nga parlamenti shqiptar është një gjë që nuk është bërë, është kjo maxhorancë sot. Unë kam mbajtur qëndrimin tim për 21 Janarin dhe kam kërkuar hetim dhe ti bëhet gjyqi politik. Sot ka deklarata spontane, duket se i vjen keq se çfarë qëndrimi mbajti gjykata; por një gjë është e papranueshme; vriten njerëzit në Bulevard dhe në fund fare përfundon në hiç.

Pse i frikësohet sot maxhoranca një gjyqi për 21 janarin?
E dinë ata.

Jo ju lutem, dua një përgjigje…
Sepse kanë qenë pjesë në lojë. Duket të kenë kurajë. Gjyqi politik iu bë presidentit, kryeprokurores, shefit të Shërbimit Informativ. Ne u kryqëzuam duke mos qenë pjesë atje. Unë si politikan them të bëhet gjyqi politik. Pjesa juridike s’më takon mua. Vendimin e gjykatës e kam quajtur një pushtet që s’më takon mua. Në mjaftë raste nuk kam qenë dakord, por kam respekt për institucionet.

Ju kam ndjekur shpesh në qëndrimet tuaja. Pse jeni skeptik për reformën në drejtësi?
Sepse s’ka vullnet.

Edhe për faktin se ajo po bëhet me ndihmën e amerikanëve dhe perëndimorëve?
Kur them s’kanë vullnet, presupozoj mungesën e vullnetit politik të politikanëve në parlament. Ne për fat të keq, ekspertët marrin pozicione të hapura apo kamufluara politike. Por ka ekspertë ndërkombëtar që na kanë asistuar,. Ideja ime ka qenë që të jep “OK” për reformën, ekspertët të bëjnë punën e tyre, e më pas të ngrihet dora. Pra të shprehet vullneti politik.

Kush ka frikë nga reforma në Drejtësi?
Kuptueshëm disa kanë frikë. Ka një trajtim të përgjithshëm kur flasim, por personal, individual, mund të jetë një konsideratë subjektive dhe s’mund të shprehesh. Fakti që po krijohen situata artificiale për tu penguar..

Zoti Bushati tha se jemi të vonuar për reformën. Ju si e parashikoni se si do të jetë ecuria për reformën?
Shoh simptoma të zgjatjes së kohës në mënyrë artificiale, dhe dëshirojnë që ta mbyllin këtë legjislaturë pa reformën e më pas janë zgjedhjet. Ndaj, kjo reformë përderisa ka kaluar filtrin e Komisionit të Venecias, duhet të kishte kaluar.

Zoti Topi, si ish-kryetar i KLD-së, në pikën tuaj ku çalon reformë në drejtësi?
Ne kemi ekspertizë ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri. Mund të ketë gjera që kontestohen nga grupi i interesit. Por ajo që mungon sot është vullneti politik. Çështja e mandateve që mund të ndërpriten, kam qenë kundër. Për të tjerat kam qenë dakord. Jemi shprehur qartazi për reformën në drejtësi.

Nesër mblidhet tryeza e partive ekstra-parlamentare? A keni ju një ftesë?
Ne kemi pasur ftesë, por për hir të së vërtetës, nuk besoj e del gjë nga tavolina të tilla. Faktori i partive ekstra-parlamentare është i rëndësishëm, por ka parë që në fund fare shkojnë dhe atashohen tek partitë mëmë. Partitë kryesor, që do dalin me një zë të fortë, të gjithë mund të dalin në grup, ndaj do kisha qenë një nga mbështetësit.

Cili është qëndrimi i FRD për sistemin zgjedhor?
Ne nuk vuajmë nga sistemi, por na monitorimi. Ne kemi një infrastrukturë të ndërtuar për të vjedhur votat. Në 2017, do ju çoja dhe njëherë tek 2008-ta.

Ju del në ëndërr se si do jetë FRD-ja një ditë pas zgjedhjeve të 2017?
Përgjithësisht bëj një gjumë shumë të qetë.

Jeni nga shqiptarët e pakët që e bëni gjumin e qetë..
E bëj gjymin e qetë, për 1000 arsye. Kur diskutojmë për të ardhmen e politikës, më vjen keq për diçka, se të gjithë janë ambientuar për diçka. Mendoj se duhet patjetër që të gjithë të jenë së bashku për të unifikuar të keqen e madhe. E keqja e madhe është se zgjedhjet po vidhen. Ne na kanë lënë jashtë parlamentit. Unë nuk bëjë shumë teori, por as njerëz pa eksperiencë nuk jemi. Ne bëjmë betejën për shtetin, për reformën elektorale. Nëse këta njerëz që na drejtojnë se nuk e kuptojnë gjëmën që na bëjnë. Gjëmën e madhe e keni ditën kur shkoni për të votuar.

Çfarë është kjo gjendje anestezike që ka mbërthyer shqiptarët?
Marrim shembullin e Moskës. Atje ka Putin, edhe këtu ka Putin të tjerë. Njerëzit nuk arrijnë të shohin të keqen.

Si shpjegohet se kur ishit në PD ju ishit figura më e kotuar brenda selisë blu. Në FRD nuk jeni në këto nivele. Nga vjen rënia e bursës Topi?
Pikërisht në atë që thash. Janë ndarë tifozeritë, Tirana-Partizani. Këtë e them dhe për një arsye tjetër. Unë nuk bëj me faj njerëzit e thjesht, por dallkaukët intelektualë.

Pse ky vend është i prirur të krijojë shumë dallkaukë intelektualë?
Komunizmi. Nuk dua të fut gjenetikën në politikë, por ka disa që kanë interesa meskinë. Ndërsa, njerëzit e thjesht lopatën kanë pasur e lopatën do kenë. Ato manipulohen për arsye të tjera. Nëse i referohemi stadiumit ‘Qemal Stafa” këto janë ata 10 njerëzit që shkojnë 10-çe dhe nisin e bërtasin për ekipin e tyre.

Cila është zgjidhja? Fakti që po mendohesh do të thotë se zgjidhja është larg…
Unë jam aq i përgjegjshëm sa të mos them risposta pagata. Unë mendoj që zgjidhja bëhet brenda filozofisë së shtetit. Kjo është pak e komplikuar. Në rast se këta që kanë sot në dorë fatet e këtij vendi bëjnë sikur harrojnë që duhet rregulluar sistemi elektoral dhe kodi elektoral, mos prit të ndodhi gjë. por kjo nuk vjen për ata, për ata vjen si një benefit, sepse nëpërmjet kësaj ata vazhdojnë të dominojnë, në rast se nuk ndodh kjo. kjo është arsyeja përse kemi bërtitur fort, ta marrin vesh edhe ndërkombëtarët. Që reforma në drejtësi të bëhet paralelisht me ligjin elektoral.

Pra juve prisni mbylljen ciklike të kësaj klase politike?
Ne nuk presim asgjë, bëjmë thirrje, por nga ana tjetër të jeni i sigurt që ne do ta vazhdojmë komunikimin, do ta intensifikojmë komunikimin, në të gjithë Shqipërinë. Do t’i garantojmë që do tu japim dhe pikën e fundit të serumit. Nëse dëshiron të vdesë si organizëm le të vdesë. Kjo është historia. Juve më pyetët si është gjendja juaj. Gjendja ime personale nuk është keq, ndjehem mirë, pasi jam bërë gjysh dhe gëzoj nipin tim këto ditë. Por nuk ndihem mirë sepse Tirana është kthyer si një fshat gjigand. Atje ku mendohet se është pjesa më atraktive e qytetit, atje është vatra e qelbit të krimit.

A jemi ne një popull dembel, është një kartë që po e luan shpesh zoti Rama…
Nuk jemi dembel absolutisht, madje në emigracion kemi provuar se jemi popull shumë punëtor. Këtë popull duam ta orjentojmë si duhet.

A mund të bëjë një parashikim për derbin Tirana-Partizani?
Ju mendoni se mund të parashikoj keq për Tiranën, asnjëherë. Unë dua të parashikoj gjithmonë me optimizëm për ekipin tim.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb