GJIROKASTER– Avokati i Popullit, Igli Totozani, e ka vlerësuar me “shumë mirë” ecurinë e procesit të vettingut. Ai u shpreh se zgjatja e afatit me një javë është një mundësi e dytë për plotësimin e dosjeve nga të gjithë kandidatët për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Totozani pohoi se deri tani numri i të interesuarve ka shkuar në 35, por kjo shifër pritet të rritet deri në përfundim të afatit të ri.

Avokati i Popullit, Totozani, ka folur edhe për debatin mbi përzgjedhjen e kandidaturave nga ky institucion duke pohuar se ONM ka një këndvështrim të ndryshëm, për një garë delikate që kërkon ndershmëri dhe kujdes nga Avokati i Popullit, për të mbrojtur para së gjithash të dhënat personale.

Totozani pohoi se ka preferuar të qëndrojë larg debateve politike dhe daljeve mediatike në mënyrë që gara të zhvillohet konform ligjit.

Shtyrja e afatit për ngritjen e komisioneve të vettingut u vendos nga Parlamenti me qëllim krijimin e mundësive për aplikim të të gjithë kandidatëve, duke përfshirë edhe ata me mungesa në dokumentacion.
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për komision është shoqëruar me ankimime nga prokurorë e gjyqtarë, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së kohës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb