TIRANE – Arrestohet në Tiranë, mjeku rus Boris Wolfman, i dyshuar si drejtues i një klinike të jashtëligjshme në Kosovë, që merrej me trafikimin e organeve.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, sipas të cilave, klinika Medicus në Kosovë, që drejtohej nga mjeku rus Boris Wolfman u premtonte ‘dhuruesve’ të organeve nga 15 mijë euro për një veshkë, por pasi u hiqte organin nuk u jepte asnjë qindarkë.

Sipas Rainews, organet shiteshin në tregun e zi në të gjithë botën, nga Kosta Rika në Turqi. Dyshohet se mjeku kishte trafikuar më shumë se 30 organe nga klinika në Kosovë.

Klinika Medicus është mbyllur, ndërsa pronarët e saj janë dënuar me 8 dhe 7 vite burg. Wolfman kishte arritur të shpëtonte. Ai u arrestua vitin e kaluar ne Turqi, si i kerkuar nga Interpoli, por me pas u la i lire.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të llogarive bankare të klinikës “A New Life 4U” sh.p.k. me administrator dhe ortak shtetasin Robert Shpolinske. Boris Wolfman, sipas akuzës, ka tentuar të pastrojë para në Shqipëri nëpërmjet një klinike të hapur në qendër të Tiranës, në vitin 2014 nga një tjetër shtetas rus.

Nga hetimet e agjentëve të parandalimit të pastrimit të parave deri në këtë fazë ku është vendosur sekuestro rezulton se nga ana Seksionit për Pastrimin e Parave pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tirane janë grumbulluar të dhëna që krijojnë dyshime për një rast pastrimi parash nga ana e shtetasit Robert Shpolinske i ditëlindjes 15.05.1980 si dhe shtetasit rus Boris Igor Wolfman/Volfman i ditëlindjes 11.03.1984. “A New Life 4U” rezulton se është hapur në Shqipëri më 11 nëntor 2014 dhe është një kompani që operon në Tiranë nën drejtimin e Robert Shpolinske.

Dyshimet mbi aktivitet të paligjshëm të kësaj kompanie dhe transaksioneve të dyshimta për pastrim parash kanë lindur në momentin që nga Izraeli drejt Shqipërisë janë transferuar 40.975 dollarë, transfertë kjo e kryer nga Boris Igor Wolfman, i proceduar në Izrael në 2007 për paligjshmëri të transplantit të organeve.

Po ashtu, shprehet prokuroria e Tiranës, një tjetër dyshim që ka bindur për të kërkuar sekuestron e parave të kompanisë së transplantit të organeve është dhe transferta që ata kanë patur me shtetasin shqiptar R.Mezini të proceduar në Itali për trafik droge.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb