DURRES- Klithmat e trinjakëve 3-vjeçarë që u asfiksuan aksidentalisht brenda banesës së tyre në fshatin Romanat të Durrësit i dëgjoi i pari Orion Isufaj, personi që lajmëroi edhe zjarrfikësit për tragjedinë.

Dëshminë e tij e sjell për BalkanWeb, gazetarja Klodjana Haxhiaj.

“Sapo kisha mbërritur nga puna kur ndjeva tymin, e pashë që dilte nga shtëpia e Gëzimit. Kur shkova dëgjova britmat e fëmijëve. Njoftova menjëherë zjarrfikësit. Ata erdhën për 5 minuta, por unë nuk i ndihmova dot. Nga shtëpia dilte shumë tym”,- thotë Orioni, raporton BalkanWeb.

Teksa tre të miturit në banesë janë gjetur të pajetë nga forcat zjarrfikëse, Orioni ndjehet i pafuqishëm që s’mundi t’ju vijë në ndihmë.

“Unë thirra zjarrfikëset, ata erdhën për 5 minuta, por fatkeqësisht na thanë që të tre kanë humbur jetën. Fëmijët ishin mbytur nga tymi”,- rrëfen ai.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 17:30 në Romanat në banesën private të shtetasit Gëzim Konçi. Fatkeqësisht brenda banesës ku ra zjarr kanë qenë vetëm 3 fëmijë të mitur, trinjakë të moshës 3 vjeç, të cilët kanë ndërruar jetë. Brenda banesës s’ka pasur asnjë nga prindërit, ndërsa dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga loja me shkrepse e të vegjëlve.

(m.a/BalkanWeb)