Kritik dhe i drejtpërdrejtë. Rudi Vata është gjithmonë i njëjti kur vjen puna për të bërë analizën e futbollit shqiptar. “Merkato është në një masë të madhe dështim. Është e vërtetë që ka shumë afrime të huajsh, por mendoj se kampionati shqiptar për ta është zgjedhje e fundit ose e parafundit. Lexoj që ka shumë futbollistë mbipeshë dhe kjo tregon më së miri se janë lojtarë që kanë pësuar rënie në karrierën e tyre dhe vijnë në Shqipëri për të vazhduar të luajnë apo për t’u rilindur”, shprehet ish-trajneri i Vllaznisë. Vata komenton edhe largimin e Starovës nga stoli i Partizanit duke zbuluar edhe një të vërtetë, sipas tij, që përndjek trajnerët shqiptarë.

“Ajo që më shqetëson dhe të bën përshtypje në Shqipëri është fakti se trajnerët nuk janë të lirë. Ata nuk mund të vendosin vetë dhe u mungon liria në një masë të madhe. Janë peng i situatave absurde që ndodhin vetëm në Shqipëri”. Vata nuk i jep më shumë se një 5 kaluese si notë kampionatit shqiptar deri tani. Gjithashtu, komenton edhe lëvizjet e legjionarëve, ku ai i Gashit është më i çuditshmi.

Shumë lëvizje gjatë merkatos së janarit në Shqipëri. Cili është komenti juaj për to?
Është e vërtetë që ka shumë afrime të huajsh. Por, mendoj se kampionati shqiptar për ta është zgjedhje e fundit ose e parafundit. Lexoj se ka shumë futbollistë mbipeshë, çka tregon më së miri se janë lojtarë që kanë pësuar rënie në karrierën e tyre dhe vijnë në Shqipëri për të vazhduar të luajnë apo për t’u rilindur. Kampionati shqiptar konsiderohet si një mundësi për ata që të vazhdojnë të qëndrojnë në futboll.

Merkaton e Skënderbeut si e vlerësoni?
Është i vetmi klub në Shqipëri që ka financa të konsiderueshme, për shkak edhe të pjesëmarrjes në Europë dhe kjo i krijon lehtësi që të bëjë merkato sa më cilësore. Ka afruar futbollistë si Xhejms apo ndonjë tjetër për të zëvendësuar lojtarë cilësorë si Olainka apo Berisha që janë larguar. Klubi korçar ka një stabilitet financiar dhe kjo i krijon edhe lehtësi në merkato. Megjithatë, jam kurioz që ta shoh Skënderbeun sezonin e ardhshëm ku mund të ketë largime të tjera, si dhe fakti që Bledi Shkëmbin po e lënë këmbët.

Partizani ka afruar shumë lojtarë, kryesisht të huaj, si e gjykoni merkaton e të kuqve?
Te Partizani ka ndryshuar trajneri dhe ka ardhur një italian. Sigurisht, ai do të sjellë idetë dhe filozofinë e vet në një ekip. Gjithashtu, do të përzgjedhë edhe futbollistët. Megjithatë, nuk mund ta gjykojmë që tani, pasi gara është e hapur dhe pjesa e dytë e sezonit sapo ka rinisur. Por, ajo që duhet theksuar në këtë rast, është deklarata që bëri trajneri italian Agostineli se në kampionatin shqiptar nuk ka profesionalizëm, orare apo trajtim ushqimor. Nuk është ndonjë hata e madhe, pasi ka deklaruar një të vërtetë. Dhe një trajneri që ka drejtuar në Itali, sigurisht që i bën shumë përshtypje ajo çfarë gjen në Shqipëri. Ka mungesë infrastrukture dhe gjëra që në kampionatet europiane janë normale.

Largimi i Sulejman Starovës nga stoli i Partizanit, i drejtë apo i gabuar?
Nuk mund të jap një gjykim të saktë, pasi s’i dimë ende arsyet e këtij largimi, nëse ka qenë shkarkim apo edhe Starova vetë ka qenë dakord që të mos ishte më në krye të pankinës. Por, ajo që më shqetëson dhe të bën përshtypje në Shqipëri është fakti se trajnerët nuk janë të lirë. Ata nuk mund të vendosin vetë dhe u mungon liria në një masë të madhe. Janë peng i situatave absurde që ndodhin vetëm në Shqipëri. Sigurisht, në njëfarë mase i kuptoj, pasi është e vetmja mundësi për të mbijetuar në vendin ku jetojnë. Është një situatë komplekse dhe futbolli nuk del dot jashtë asaj që ndodh në çdo fushë të jetës në vendin tonë. Ka gjyqtarë të korruptuar, mjekë apo pedagogë të korruptuar dhe që nuk kanë liri, pasi kështu është e ndërtuar jeta dhe sistemi në Shqipëri. Kështu, ndodh edhe me trajnerët, të cilët nuk janë të lirë dhe janë peng i rrethanave të caktuara që, në shumicën e rasteve, janë absurde.

Gjatë merkatos së janarit janë afruar shumë lojtarë nga Amerika Jugore, kryesisht brazilianë. Sipas jush, çfarë cilësie kanë dhe çfarë pagash marrin?
Brazili është “koka” e futbollit. Moda e lojtarëve brazilianë në Shqipëri ka nisur që në kohën e Albert Xhanit, kur janë afruar me shumicë. Edhe tani, synimi i klubeve shqiptare është Brazili dhe shohin te ai vend shpëtimin e tyre. Por, kjo tregon mungesë vizioni dhe nxjerr në pah faktin që klubet në Shqipëri nuk kanë plane afatgjata. Punohet vetëm për momentin dhe kujtojnë se duke afruar lojtarë brazilianë, do t’i japin zgjidhje situatave. Në një kohë që kjo është e gabuar. Për sa u përket pagesave, dihen tashmë rrogat në Shqipëri, që variojnë nga 4-6 mijë euro në muaj. Por, për ta kjo është një pagë shumë e mirë që e përfitojnë lehtësisht në vendin tonë. Në një kohë që në Bundesligën 2 do të duhet të marrësh në dorë 10 mijë euro, pasi një pjesë të mirë janë taksa. Dhe të duhet shumë punë dhe djersë për të luajtur në atë kampionat. Kështu që ata e zgjedhin Shqipërinë si një mundësi e mirë për pagesat duke mos u lodhur shumë.

Si e komentoni zgjedhjen e Vllaznisë për të afruar në krye të skuadrës Armando Cungun?
Për mendimin tim, ai është trajneri i ri më i mirë në Shqipëri. Unë e njoh shumë pak nga afër, por e vlerësoj maksimalisht për punën që ka bërë deri tani në skuadrat shqiptare. Ai ka mundësi për të qenë i lirë te Vllaznia, pasi nuk ka presion nga lart dhe ky është një rast shumë i mirë për të. Është një trajner që di të menaxhojë grupin dhe lojtarët kanë respekt për të. E ka gjetur Vllazninë “copa-copa” dhe tashmë është duke i mbledhur për të krijuar një ekip të mirë. Tani që Shkodra do të ketë edhe një stadium të ri, për Vllazninë kjo është një mundësi shumë e mirë që, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, të synojë për trofe. Duhet një menaxhim i mirë nga ana e drejtuesve që të krijohet klima për ta ringritur edhe një herë Vllazninë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Për sa i përket këtij sezoni, kam bindjen se Vllaznia nuk do ta diskutojë aspak mbijetesën në Superiore.

Cilat skuadra shihni në Europë dhe cilat një kategori më poshtë?
Tiranën e shoh si më të favorizuarën për vendin e tretë, pasi Skënderbeu dhe Partizani janë shkëputur tashmë. Laçi nuk e ka më stabilitetin e sezoneve të fundit. Me ndryshimin e pankinave dhe largimin e Xhejms Adeniji, skuadra kurbinase do ta ketë shumë të vështirë këtë sezon. Edhe Kukësi është një skuadër e fortë dhe që do të luftojë fort deri në fund. Megjithatë, për sa i përket skuadrës së 4-t, nuk mund të jap një parashikim, pasi në Shqipëri nuk i lihet çdo gjë fushës. Marrëveshjet e mëparshme kanë treguar se mund të ndodhë gjithçka. Për sa i përket Tiranës, mendoj se Gjergji Muzaka dhe Elis Bakaj duhet të bëjnë më shumë. Janë lojtarë që tani duhet të mendojnë më shumë për veten dhe për ekipin. Bardheblutë kanë një grup cilësor lojtarësh. Për sa u përket skuadrave që do të bien nga kategoria, mendoj se Bylisi dhe Tërbuni janë më të rrezikuarat.

Do të arrijë Partizani ta ndalë Skënderbeun këtë sezon drejt titullit kampion?
Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë dhe shanset që të shpallet sërish kampion. Megjithatë, nuk e ka më urinë e sezoneve të kaluara, pasi të fitosh pesë tituj radhazi, është shumë. Partizani, nga ana tjetër, është më i uritur dhe ka më shumë dëshirë për të fituar titullin. Megjithatë, vetëm nëse Skënderbeu neglizhon, mund të mos shpallet kampion. Në të gjitha rastet e tjera, korçarët i kanë të gjitha shanset për ta mbrojtur sërish titullin.

Nota që do t’i vendosnit deri tani kampionatit shqiptar?
Kampionati shqiptar nuk është tërheqës. Është një kampionat i vakët. Për aq kohë sa ekipe me emër si Vllaznia, Flamurtari apo edhe Tirana nuk janë në vendet e para dhe në garë për të fituar titullin, nuk do të jetë një kampionat tërheqës. Megjithatë, nga 1-10, deri tani do ta vlerësoja garën me notën 5, që është kaluese.

Pse e konsideroni të vakët?
Përveç garës, duhet thënë se kampionati shqiptar nuk po prodhon as lojtarë që të shiten jashtë në liga të rëndësishme apo të jenë më pas gati për Kombëtaren. Gjatë viteve ’90, shumë futbollistë u transferuan në Gjermani, Greqi apo Francë, në ligat më të njohura të Europës. Ndërsa tani prodhohen vetëm lojtarë për kampionatin kroat apo turk. Nuk po përmend rastin e Olainkës, pasi ai nuk është një prodhim shqiptar. Në Shqipëri ka 25 vite demokraci dhe ende asnjë klub nuk ka një plan-biznes të qartë. Në fund të fundit, futbolli është lojë dhe biznes. Në këtë mënyrë, klubi duhet trajtuar si një kompani që të sjellë përfitime. Në Shqipëri punojnë vetëm për momentin, në një kohë që gjërat duhet të ndryshojnë. Një klub duhet të shihet si diçka që të gjenerojë të ardhura.

Gjatë merkatos së janarit kanë lëvizur edhe shumë lojtarë të Kombëtares, të cilët kanë ndryshuar klubet ku luajnë. Si i vlerësoni lëvizjet e tyre?
Ajeti dhe Gjimshiti kanë bërë lëvizje të mira, pasi kanë kaluar në kampionate më cilësore se të mëparshmet. Një hap përpara në karrierën e tyre. Për sa i përket Shkëlzen Gashit, është një rast që më çudit shumë dhe është larg logjikës normale. Nga golashënuesi më i mirë i Zvicrës sezonin e kaluar dhe fakti që luante në Ligën e Kampioneve me Bazelin, zgjedh të transferohet në Amerikën, një kampionat krejt ndryshe në funksionim dhe në model nga ai europian. Uroj të mos e ketë bërë për para këtë zgjedhje. Ai do të fitonte shumë nëse do të qëndronte në Europë dhe do të vazhdonte karrierën këtu. Është një zgjidhje e çuditshme./panoramasport

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: